Kinë, 43 të vdekur nga zjarri në një klub nate
Flakët e zjarrit shpërthyen të shtunën rreth orës 16:00 në klubin “Dance King” në qytetin që është në kufi me Hong Kongun, në një kohë që në klub ndodheshin rreth 1000 persona. Zjarrfikësit u shprehën se zjarri është vënë nën kontroll dhe se dyshojnë që shkak të kenë qenë fishekzjarret e lëshuara në skenën e klubit të natës. Mbikëqyrësi i zonës gjithashtu urdhëroi nisjen e shpejtë të një hetimi për gjetjen e shkaqeve të rënies së zjarrit. Sipas reporterëve të Hong Kongut, klubi ishte në një ndërtesë trekatëshe dhe zjarrfikësve iu desh të thyenin disa dritare gjatë operacionit të shpëtimit, ndërsa të tjerë u bllokuan nga muret.“Ishte vetëm një shteg i ngushtë... në korridor. Njerëzit u plagosën teksa tentonin të largoheshin”, u shpreh një nga punonjësit e klubit, i cili shpëtoi falë zhytjes në ujë e megjithatë ka disa plagë djegieje në qafë. Zjarret me viktima janë ngjarje të zakonshme në Kinë, vend për të cilin korrespondentët thonë se rregullat e sigurisë shumë shpesh nuk respektohen. Ndërkaq, të paktën 36 minatorë kanë humbur jetën në dy aksidente të tjera në zona të ndryshme të Kinës. Një shpërthim gazi në një minierë në provincën Henan shkaktoi 31 viktima dhe pesë të tjerë vdiqën në një zjarr në një minierë qymyri.