E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga furnitorit të pabeve, sekuestrohen 11 kg hashash

 

Agjentët e Antidrogës në Tiranë arrestuan 30-vjeçarin Shefqet Murati. Në banesën e tij u gjetën armë dhe fishekë

TIRANË- Agjentët e Antidrogës i vënë prangat furnitorit me hashash të pabeve të Tiranës dhe sekuestrojnë 11 kilogram bimë narkotike. Operacioni i koduar “Qafë-Shtama” u realizua mbrëmjen e së premtes, gjatë së cilit u arrestua Shefqet Murati, 30-vjeç, lindur e banues në Noj të Krujës. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se Murati u kap në afërsi të kryqëzimit të rrugës “Siri Kodra” në Tiranë. Pas një kontrolli të imtësishëm që iu ushtrua automjetit të tij me targa të huaja u gjetën rreth 11 kilogram lëndë narkotike canabis sattiva. Policia nisi menjëherë hetimet për të zbuluar origjinëndhe destinacionin e drogës. Burimet policore thanë se dyshohet që droga do të shpërndahej në kryeqytet, por paralelisht po hetohet edhe tregtimi i saj drejt Italisë.

Arrestimi

Agjentët e antidrogës pranë policisë së Tiranës kishin siguruar informacione në rrugë operative për trafikun e hashashit, e cila dyshohet se kontrollohej nga Shefqet Murati. Ky i fundit, prej disa kohësh ishte në vëzhgim nga agjentët e antidrogës të cilët po angazhoheshin për të kryer kapjen e 30-vjeçarit me “presh në duar”. Kështu pas disa kohë hetimesh intensive, policia e kryeqytetit ka organizuar dy net më parë një operacion për kapjen e të dyshuarit. Mësohet se Murati po udhëtonte me automjetin e tij me targa të huaja në Tiranë dhe teksa ndodhej në afërsi të kryqëzimit të rrugës “Siri Kodra”, policia ka urdhëruar ndalimin e tij. I riu nuk ka bërë rezistencë ndërsa i qetë ka vëzhguar kontrollin e policisë. Specialistët e antidrogës zbuluan rreth 11 kilogram bimë e dyshuar e lëndës narkotike e llojit kanabis sattiva. Ndërkohë që një kontroll i imtësishëm iu ushtrua edhe banesës së 30-vjeçarit ku u gjetën e u sekuestruan dy armë zjarri si dhe një sasi e konsiderueshme municioni. Gjithashtu Muratit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma e parave prej 20 000 lekësh, një sasi prej 600 euro, për të cilat dyshohet se i ka përfituar nga shitja e kësaj lënde si dhe një automjet tip-“Golf”, e një pasaportë.

Hetimi

Tregu i kryeqytetit apo Italia? Policia ende nuk ka mundur të verifikojë nëse lënda narkotike ishte përgatitur për të furnizuar shpërndarësit në Tiranë, apo i dyshuari i arrestuar si pronar i hashashit do të transportonte mallin drejt Italisë. “Dyshohet se lënda narkotike do t’u shpërndahej prej Muratit, “tregtarëve” të vegjël në Tiranë, të cilët më pas e shesin atë në lokalet e natës. Por policia po heton edhe një pistë tjetër paralelisht atë të trafikimit të lëndës narkotike drejt Italisë”- thanë për “Shekulli” burimet policore të kryeqytetit. Megjithatë hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me prokurorinë, ndërsa ndaj Shefqet Muratit u mor masa e arrestit për veprat penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “armëmbajtjes pa leje dhe municioneve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›