E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Meta si Britney Spears,me bodigardë në protestë

 

Intervista/ Kreu i G99 thotë se shqiptarët presin nga opozita thellësinë e ideve dhe jo lartësinë e banderolave partiake

TIRANË- Dy ditë më parë, mitingu i opozitës për sigurinë e jetës në vend tejmbushi sheshin “Skënderbej” edhe bulevardin kryesor të kryeqytetit. E paralajmëruar si një protestë paqësore, pa slogane dhe pankarta, ajo “devijoi”. Sloganet dhe pankartat mbanin firmat e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke paraqitur haptazi një qëndrim ndryshe nga opozita shqiptare. “Me thirrje për të braktisur parlamentin dhe nën shoqërinë e badigardëve të shumtë, kreu i kësaj partie, Ilir Meta, theu edhe marrëveshjen më të thjeshtë”. Kështu reagon një ndër kryesuesit e kësaj proteste, Erion Veliaj, duke përshëndetur mobilizimin e opozitës qytetare dhe dënuar mbushjen e protestës me bodigardët e kreut të LSI-së.

Zoti Veliaj, si e vlerësoni mitingun e djeshëm të opozitës, duke pasur parasysh se qytetarët shqiptarë rrallëherë dalin në protesta për çështje që lidhen me shqetësimet e tyre, në këtë rast për rendin dhe sigurinë?

Jam absolutisht i bindur që një ndërgjegje qytetare është ngritur tashmë në Shqipëri. Për këtë arsye unë mendoj dhe besoj se mitingu i para dy ditëve vuri një tullë të madhe në murin e rezistencës qytetare. Për këtë jam shumë optimist. Them që beteja e vërtetë sot në Shqipëri, për organizimin qytetar, është mes aktivistëve dhe cinikëve dhe kjo është beteja e parë që duhet të fitojmë, beteja me njëri-tjetrin. Dje pamë qytetarët që morën në dorë fatet e tyre dhe thanë: Pavarësisht se kush vjen në protestë, unë do të jem aty për të mbrojtur dinjitetin tim dhe të familjes sime. Ishte jashtëzakonisht shumë inkurajuese të shikoje njerëz të të gjitha moshave, nga të moshuar tek fëmijë e tyre e deri tek nipërit dhe mbesat. Mendoj se protesta e djeshme ishte mozaiku më i mirë.

Edhe pse u deklarua se do te ishte një protestë pa flamuj me ngjyrat e partive dhe pa slogane partiake, gjatë zhvillimit të saj u vu re një përpjekje e LSI-së për protagonizëm, mbështetësit e së cilës nuk ngurruan të ngrinin dhe banderola politike. Si e komentoni këtë devijim të protestës?

Duke qenë se isha në krye të protestës, nuk mund të jem aq naiv sa të mos vija re numrin e madh të banderolave dhe bodigardëve nga të cilët shoqërohej kreu i LSI-së. Por unë i përkas një race shqiptarësh, kryesisht shqiptarët e rinj, e cila më shumë se lartësinë e banderolave vlerëson thellësinë e ideve. Prandaj në vend që ta mbushnim tribunën me badigardë, ne synonim që ta mbushnim me ide. Por këto janë zgjedhjet që bën gjithsecili. Në fund të fundit, u shkel një marrëveshje dhe ajo që ndodhi me LSI-në ishte një shkelje etike. Megjithatë secili vepron sipas lirisë së tij të mendimit, gjykimit dhe gjykuesit më të mirë duhet të jenë qytetarët. Pamë se edhe në një organizim qytetar, LSI nuk ishte në gjendje që të mbante një marrëveshje kaq elementare për të ruajtur etikën dhe estetikën e asaj proteste. Gjithsesi edhe me këto kapriço të partive private të opozitës unë them se ishte një manifestim absolut qytetarie. Në fund të ditës ne duhet të kuptojmë se kundërshtari real është i vetmi sovjet që qeveris në Evropë dhe ky është Sali Berisha. Rëndësi ka që opozita qytetare ishte e bashkuar dhe nëse është apo jo e bashkuar opozita e partive, mua pak më intereson. Ka disa politikanë që vijnë në protestë sikur të ishin Britney Spears të rrethuar nga bodigardë dhe ka të tjerë që vijnë thjesht si qytetarë. Por unë i përkas grupit të qytetarëve dhe nuk impresionohem aspak as nga badigardët e as nga banderolat. Por nga ana tjetër pyes veten ku janë gjithë ata analistë, ish-stafi i Nanos, teksa bëjnë protesta me badigardë. Çuditem se si nuk reaguan këta analistët e LSI për faktin që protesta u mbush me badigardë. Ky ishte civilizimi që donin të tregonin, duke kaluar nga Fatos Nano tek Ilir Meta?

Zoti Veliaj, si pozicionohet G99 në debatin politik ndëropozitar, për mënyrën e të bërit opozitë?

Unë them që mënyra me të cilën partitë kryesore të opozitës së shëndoshë dhe jo asaj private ka qenë absolutisht fantastike. Dëgjova më vonë ironinë e kryeministrit Berisha dhe kjo më inkurajoi pa masë. Mua më inkurajoi fakti që zoti Berisha është aq i sikletosur nga kjo protestë dhe ironizon, ndërsa mua më kujtohen protestat e tij në vitin 1998. Në një rast të ngjashëm, arkivoli i personit të vrarë nga vetë badigardët e Sali Berishës, siç u zbulua më vonë, u përdor për të sulmuar ministrinë ku turmat u përdorën për të vjedhur tanke dhe militantët u përdorën për të djegur kryeministrinë. Ndërsa ne arritëm të ruajmë me dinjitet edhe humbjen e miqve, edhe pronën publike edhe institucionet shtetërore. Nuk ka asnjë faturë dëmi nga protesta e djeshme që t’i faturohet publikut. Nuk u prek asnjë uniformë blu, sepse ne jemi qytetarë dhe si të tillë trajtojmë me respekt pronën tonë të përbashkët. Prandaj edhe Berisha është i sikletosur për stilin tonë të të bërit opozitë. Ky u vendos një precedent që nuk ka ekzistuar më parë në Shqipëri. Precedenti i humbjes apo të fituarit të zgjedhjeve me votë dhe precedenti i të bërit të një opozite që nuk shkatërron pronën publike ose nuk jep leksione se pushtetet ndërrohen vetëm me dhunë. Mendoj se do të jetojë gjatë.

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, edhe gjatë fjalimit të mbajtur në këtë tubim i ka mëshuar idesë për të kërkuar rrëzimin e Berishës me çdo mjet, përfshi këtu dhe largimin nga Kuvendi. Sipas jush, a duhet të kërkojë opozita ndërmarrjen e një veprimi të tillë, në një kohë që në planin e punës për klasën politike shqiptare mbetet realizimi i reformës zgjedhore dhe reformave të tjera që kanë të bëjnë edhe me drejtësinë?

Nëse i referohemi studimeve që masin pjesëmarrjen e deputetëve në parlament, zoti Ilir Meta është i dyti pas Fatos Nanos për mungesat. Ai është larguar nga parlamenti me kohë dhe kjo thirrje nuk ndryshon absolutisht asgjë për të. Problemi që kemi pasur ne në Shqipëri është tek politikanët e papërgjegjshëm që dorëzojnë detyrën e tyre qytetare për të cilën paguhen, për të vazhduar kateringun ndaj interesave të tyre. Realisht e gjithë dilema është si të kthejmë Fatos Nanon, Ilir Metën dhe njerëz të tillë në parlament, sepse po paguhen për një punë që nuk po e bëjnë. Shumë njerëz po luftojnë që të kenë një mundësi t’i shërbejnë publikut e jo të bëjnë si Nano e Meta që marrin mungesa në parlament. Këta janë deputetë që e kalojnë parlamentin me 20% -sha, sikur të ishin ende në shkollën fillore. Mua më duket e pazgjuar ideja e largimit nga parlamenti. Qytetarët paguajnë ata t’u shërbejnë në parlament. Dikush mund të thotë që nuk kanë numrat, por në të gjithë botën, opozita nuk ka numrat e duhur në parlament. Unë nuk shoh demokratët amerikanë të lënë Senatin, sepse tetë vjet pushtetin e kishte Bush, por ata qëndrojnë aty dhe përpiqen. Unë do të preferoja të luftonim me dinjitet, edhe pse Berisha ka numrat, në mënyrë që t’i themi publikut se ne ishim aty edhe në ditët më të vështira; ne nuk kemi braktisur betejat dhe nuk kemi shkuar në kafene si ata që menaxhojnë partitë private.

Sa e dëmton opozitën ky diversitet qëndrimesh dhe sa do te ndikojë kjo periudhë mosmarrëveshjesh në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme?

Kjo mënyrë nuk do të ndikojë aspak në zgjedhjet e ardhshme. Të gjithë po e kthejnë vëmendjen nga opozita e gabuar. Aty ku duhet të kthehet vëmendja është opozita qytetare, e cila është shumë e organizuar dhe shumë e mobilizuar, siç e keni parë këto ditë. Për sa kohë opozita qytetare është e organizuar dhe ka një reagim për këto çështje, çdo opozitë tjetër partiake, e partive private apo SH.P.K- ve private, të gjithë janë të ftuar. Rëndësi ka që sot e ka marrë përgjegjësinë e rezistencës opozita qytetare. Nëse kjo qëndron bashkë nuk ka asnjë shans për të humbur zgjedhjet. Për këtë jam shumë i sigurt. Shumica e njerëzve tani kanë nisur të shohin nga e ardhmja, ku Berisha nuk do të jetë më kryeministër. Shumë shqiptarë janë larguar nga kjo qeveri dhe nuk do të lënë egon e sëmurë të kurrkujt që t’u prishë të ardhmen.

Për mitingun

“Jam absolutisht i bindur që një ndërgjegje qytetare është ngritur tashmë në Shqipëri. Për këtë arsye unë mendoj dhe besoj se mitingu i para dy ditëve vuri një tullë të madhe në murin e rezistencës qytetare. Për këtë jam shumë optimist. Them që beteja e vërtetë sot në Shqipëri, për organizimin qytetar, është mes aktivistëve dhe cinikëve dhe kjo është beteja e parë që duhet të fitojmë, beteja me njëri-tjetrin”.

Për LSI-në

“Pamë se edhe në një organizim qytetar LSI nuk ishte në gjendje që të mbante një marrëveshje kaq elementare për të ruajtur etikën dhe estetikën e asaj proteste. Gjithsesi edhe me këto kapriço të partive private të opozitës unë them se ishte një manifestim absolut qytetarie. Në fund të ditës ne duhet të kuptojmë se kundërshtari real është i vetmi sovjet që qeveris në Europë dhe ky është Sali Berisha”

Për Metën

Ka disa politikanë që vijnë në protestë sikur të ishin Britney Spears të rrethuar nga bodigardë dhe ka të tjerë që vijnë thjesht si qytetarë. Por unë i përkas grupit të qytetarëve dhe nuk impresionohem aspak as nga badigardët e as nga banderolat. Por nga ana tjetër pyes veten ku janë gjithë ata analistë, ish-stafi i Nanos, teksa bëjnë protesta me badigardë”

Për Berishën

“Unë them që mënyra me të cilën demonstruan dje partitë kryesore të opozitës së shëndoshë dhe jo asaj private mendoj se ishte absolutisht fantastike. Dëgjova më vonë ironinë e kryeministrit Berisha dhe kjo më inkurajoi pa masë. Mua më inkurajoi fakti që Zoti Berisha është aq i sikletosur nga kjo protestë dhe ironizon, ndërsa mua më kujtohen protestat e tij në vitin 1998”

Për bojkotin

“Nëse i referohemi studimeve që masin pjesëmarrjen e deputetëve në parlament, zoti Ilir Meta është i dyti pas Fatos Nanos për mungesat. Ai është larguar nga parlamenti me kohë dhe kjo thirrje nuk ndryshon absolutisht asgjë për të. Problemi që kemi pasur ne në Shqipëri është tek politikanët e papërgjegjshëm që dorëzojnë detyrën e tyre qytetare për të cilën paguhen, për të vazhduar kateringun ndaj interesave të tyre”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›