Kinë, masakron tre fëmijë me sopatë, plagos 13 të tjerë

Tre fëmijë janë vrarë sot, ndërsa 13 të tjerë janë plagosur kur një kinez i armatosur me sëpatë ka sulmuar nxënësit e një shkolle në jug të Kinës, raportuan mediet shtetërore. I rrituri, i identifikuar si Vu, sulmoi grupin e fëmijëve që gjendej në klasë në qytetin Pingnan, njoftoi agjencia Sinhua.
Sulmuesi, për të cilin u tha se është person me të meta mentale, u arrestua në shumë shpejt pas krimit.
Në dy vjetët e fundit në Kinë kanë ndodhur disa sulme fatale ndaj fëmijëve në shkolla e çerdhe, duke përfshirë edhe atë në vitin 2010 kur kanë humbur jetën gjithsej 15 fëmijë dhe dy të rritur, ndërsa janë plagosur mbi 80 fëmijë.
Niveli i dhunës në Kinë është rritur në dekadat e fundit, paralelisht me lulëzimin ekonomik dhe me hendekun gjithnjë e më të madh ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Studimet tregojnë se është shtuar numri i personave me sëmundje mentale, gjë që disa ekspertë e lidhin me stresin shkaku i tempit gjithnjë e më të shpejtë të jetës dhe zhdukjes së sistemit socialist të përkrahjes.
Mirëpo, autoritetet kineze pohojnë se vrasjet, për të cilat parashihet dënimi me vdekje, janë më të rralla se sa në vendet perëndimore.