E Diel, 1 Nëntor 2026

Kine veteflijohen dy murgj tibetiane

Dy murgj tibetianë kanë humbur jetën pasi i kanë vënë flakën vetes në provincën e Siçuanit, në jug të Kinës.

Murgjit, të moshave 20 dhe 23 vjeç, i vunë zjarrin vetes në manastirin e kontesë Aba, që ka qenë një vatër e protestave në muajt e fundit. Murgjit në manastirin ku ndodhi tragjedia mbajtën lutje për dy viktimat dhe trupat e tyre do të kremtohen gjatë së enjtes, raporton Radio Azia e Lirë. Mbi 100 tibetianë, shumica e të cilëve murgj në moshë të re, i kanë vënë flakën vetes që prej vitit 2011, shumica e të cilëve me pasoja fatale, në shenjë proteste ndaj regjimit Kinez. Shumica e rasteve të vetëflijimit janë verifikuar në zonat me etni tibetiane jashtë Tibetit, kryesisht në kontenë Aba. Murgjit budistë kërkojnë më shumë liri besimi, më shumë autonomi nga Kina dhe kthimin e liderit të tyre në mërgim, Dalai Lama. Qeveria kineze e akuzon këtë të fundit se orkestron protestat anti-regjim, një akuzë që lideri shpirtëror e mohon tërësisht. Mediat e huaja nuk lejohen të hyjnë në provincën e Siçuanit, duke e bërë shumë të vështirë verifikimin e rasteve të vetëflijimit. Media shtetërore kineze ka konfirmuar disa raste, por jo të gjitha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›