E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinemaja e Arkivit, gati për shikuesit

Duke filluar nga gushti, një film në javë falas për publikun


Përfundon rikonstruksioni i kinemasë së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Për herë të parë e shkelën këtë ambient dje tri veteranë të filmit shqiptar: inxhinieri teknik Nasi Shamia, inxhinieri i zërit Fahri Jukniu dhe kameramani Beqir Vaqarri, që kanë punuar tri dekada në ish-Kinostudion "Shqipëria e Re". Arkivi i Filmit e organizoi aktivitetin me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tyre.


Kinemaja 100 vendëshe vazhdon të mbajë emrin "Salla 2000", por mendohet të pagëzohet me një emër të ri. Dhe ka mundësi të mbajë emrin e një kineasti shqiptar.
Këto kohë shefja e redaksisë në Arkivin e Filmit, Eriona Vyshka po punon për përzgjedhjen e filmave që do të shfaqen për publikun në muajt e verës.


Nëndrejtori i Arkivit, Flori Balliu thotë se ekziston një mundësi që në ditën e promovimit të kinemasë të shfaqet premierë bashkëprodhimi shqiptaro-gjerman "Shqiptari" i regjisorit gjerman Johanees Naber, por ende nuk është e sigurt.


Programi i rregullt i shfaqjes së filmave falas për publikun mendohet të fillojë në muajin gusht deri në fund të vitit. Fillimisht do të shfaqet vetëm një film në javë, kurse me fillimin e shtatorit një film çdo ditë!


"Do të jetë një program i detajuar dhe më i plotë. Kushtet teknike janë, personeli është, filmat janë të ruajtur mirë", vijon më tej Balliu.


Nuk do të humbasë tradita e përvjetorëve të kineastëve, ku shfaqen filmat më të mirë të tyre, por tani e tutje do të shfaqen edhe filmat "që kanë bërë epokë dhe për të cilët ka kërkesa".


Balliu tregon se ka njerëzi që kërkojnë rishfaqjen e filmave të huaj, si "Doni i qetë", "Bija e kapitenit", "Shën Mëria e Parisit", "Perënditë me kokë poshtë". Ka ndodhur që një grup punonjësesh të Postës Shqiptare kanë kërkuar shfaqjen e filmit "Love Story".


Mbas 20 korrikut, Arkivi i Filmit shpall për mediat programin e filmave për muajin gusht.
Rikonstruksioni i kinemasë është llogaritur brenda rikonstruksionit të plotë të gjithë godinës, që kap vlerën 12.000.000 lekë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›