Kinemaja e mëhallës së vjetër
Njëra dritare e dhomave tona binte mbi kinemanë verore, me stolat e gjatë jeshilë të bërë me listela, një kinema që pothuaj nuk funksionoi asnjëherë, mbasi Lezha kishte aq shumë mushkonja sa nuk të linin asnjëherë rehat për të parë film. Ndoshta kjo e plaku shpejt kinemanë verore, stolave u doli boja nga shiu e dielli, vendin e mbuluan barishtet dhe zhapinjtë, qoshja e aparaturave në shpinë të kinemasë mori një varrë krisjeje (derisa u shemb një ditë), ndërsa në murin e bardhë të ekranit mbiu si cullufe një fik keqan.
Mbasi ishte prishur kinemaja e Fushës së Hanit (një magazinë gërdallë dhe plot stola të gjatë dërrase, ku filmi jepej me “motor dritash”), filmat u dhanë për pak kohë në një palestër të braktisur dhe më në fund, u zu vend tek një ndërtesë dykatëshe diku pranë “bahçes së Limit”.
Në katin e dytë qe biblioteka e qytetit, më tutje zyra e tim eti që lidhej me një sallë ku babai mblidhte drejtorët e shkollave, përbri saj një zyrë llogarie plot rafte të vjetër e regjistra po kaq të vjetër sa dhe raftet, ku në qosh si i strukur bubërronte në shkresa një llogaritar po aq i moçëm sa raftet dhe regjistrat bashkë.
Ndërsa në katin e parë qe holli i kinemasë më një banak të madh që nuk shërbeu asnjëherë, banjot që vazhdimisht kishin rubinetat e prishura dhe ku derdhej ujë me zhurmë, një kthinë e vogël nën shkallët (që quhej zyra e drejtorit) dhe salla e filmit, e lartë dhe me karriget prej kompensate, të ngjitura tri e nga tri me njëra-tjetrën.
Në fund qenë dy sportelet nga dilte fasha e dritës që sillte filmin deri në ekran apo dukeshin kinooperatorët që ndërronin tepsitë me shiritat e gjatë të filmit. Në skenë qe bezja e madhe e ekranit, sa dhjetë çarçafë së bashku, dhe pas saj dy dhoma të vogla bosh (që dikur kishin qenë magaze rekuizite). Familja jonë u sistemua aty për dy vjet, sa të bëhej pallati katërkatësh ku na kishin dhënë shtëpi.
Njëra dritare e dhomave tona binte mbi kinemanë verore, me stolat e gjatë jeshilë të bërë me listela, një kinema që pothuaj nuk funksionoi asnjëherë mbasi Lezha kishte aq shumë mushkonja sa nuk të linin asnjëherë rehat për të parë film. Ndoshta kjo e plaku shpejt kinemanë verore, stolave u doli boja nga shiu e dielli, vendin e mbuluan barishtet dhe zhapinjtë, qoshja e aparaturave në shpinë të kinemasë mori një varrë krisjeje (derisa u shemb një ditë), ndërsa në murin e bardhë të ekranit mbiu si cullufe një fik keqan.
Dritarja e odës tjetër shikonte nga sipër radhën e njerëzve që prisnin biletat.
Qysh herët ia behnin magjypët, tërë zhurmë e shamatë, grupe-grupe, varg e vistër për të zënë radhë. E donin shumë filmin, kishin një hutim të sinqertë dhe besim të verbër pas imazhit. Madje ato kurrë nuk e përmendnin shprehjen e të bardhëve se “filmi është andrra në beze”. Ndoshta e kuptonin si blasfemi. Magjypët e besonin filmin, qenë besimtarë të kinemasë. Qenë qejflinj të mëdhenj, nuk e prishnin terezinë për lekët e filmit apo për ditën e punës që linin vetëm e vetëm që të siguronin biletat.
Uleshin në shulla të mbështetur në muret e kinemasë dhe ngroheshin në diell, këndonin, pinin duhan, bënin ndonjë sherr, shaheshin me fjalë të pista, dhe përtypnin tërë ditën fara lule dielli. (E kishin fabrikën e vajit ngjitur me mëhallën e tyre).
Poshtë dyshemesë së dhomave tona kalonte një korridor si tunel ku me blloqet e biletave në dorë shkonte drejt dy sporteleve të vegjël shitësja e biletave.
Sapo niste shitja plaste sherri. Njerëzit shtyheshin, rriheshin me njëri-tjetrin, bënin me hile për radhën, bërtisnin me të madhe, kërcenin mbi turmë për të zgjatur krahun drejt dritares së vogël nga dilnin biletat, e kjo vazhdonte gjatë, derisa nga gryka e sporteleve të vegjël thuhej: “S’ka më. Biletat mbaruan”. Turma pastaj mbasi kërkonte në grahmat e fundit se mos kishte mbetur të paktën dhe ndonjë, fillonte të merrte veten. Njerëz të shpupuritur, pa komça këmishash, shqepur në ndonjë mëngë, me ndonjë këpucë të tretur, tërë turfullim, pranonin fatin e tyre. Të tjerët, ataqë kishin arritur të merrnin bileta, ia mësynin dyerve të kinemasë, dhe vetëm kur hynin në sallë ndiheshin të shplodhur, rrëzoheshin me rrapëllimë në stola prej kompensate, thërrisnin njëri tjetrin që u kishte humbur turmave dhe prisnin aty të fillonte filmi. Më të paduruarit fishkëllenin dhe kërkonin që të fillohej sa më parë.
Magjypët megjithëse merrnin biletat e para (që qenë për radhët e fundit ku filmi dukej më mirë), shkonin në karriget fare pranë ekranit, buzë skenës, tërë shamatë zinin vend duke rregulluar në prehër kalamajtë që i merrnin me vete se s’kishin me kë t’i linin. Gjithë lagjja e tyre vinte në film.
1
Dyert e dhomave ku banonim qenë fare pas ekranit të madh, dhe filmat i shikoja së prapthi. Shpesh merrja një stol të vogël dhe kundroja filmin, ose më mirë vetëm një cep të tij, mbasi qe krejt ngushtë dhe hunda ime gati sa s’prekte bezen. Mund të shikoja nga filmi ndonjë rrotë karroce, thundra kuajsh, këmbën e ndonjë aktori të rrëzuar, ndonjë sy apo vesh të vetëm, dhe nga të tërë këto mundohesha aq sa mundja të ndërtoja një film të tërë sipas modelit tim. Dhe kur im atë më merrte përdore e më vinte në sallë, kërkoja nëse filmi që pata menduar unë i ngjante sado pak filmit të vërtetë?
Kur mbërrinin spektatorët e parë e salla niste të mbushej, mrekullohesha, më dukej sikur kishin ardhur për mua. Shikoja nga cepat e kuintave ato që ishin miqtë e mi të përkohshëm. Ngaqë banonim aty, familja jonë nuk kishte as lagje, as oborr dhe as banorë përreth, unë s’kisha shokë fëmijërie, vetëm ca në kopsht, ku shkoja rrallë.
E kur mbaronte filmi e iknin njerëzit, fikeshin dritat e fundit dhe kyçeshin dyert, një pjesë e madhe e botës për mua zhdukej. Atëherë sillesha nëpër sallën e errët, mes rreshtave të gjatë të karrigeve, nëpër oborrin tim të vetëm, krejt fillikat, ashtu kuturu, i rrethuar prej imazheve e zhurmave të filmit, që shuheshin dalëngadalë brenda meje.
2
Mbrapa kabinës ku qenë aparaturat shkoja vazhdimisht për të gjetur shirita te prerë filmash. Mbasi filmat qenë tepër të përdorur e të vjetër, herë pas here i prisnin dhe i ngjisnin në sekuenca të tjera. Nuk ishte çudi që tërë shfaqen ta ndiqje qoftë dhe për pak metro film, dhe të nesërmen kur të vije përsëri, ajo pjesë të mos qe më.
Mbasi i shikoja nga dielli se cili film ishte e ç’pjesë kishte, me një gërshërë të vogël i prisja një e nga një dhe i vija në palë të librit ashtu siç bëja dhe me pullat e postës. Ndërronim me shokët copat e filmave, figurën e Gaborit me atë të Lejlasë, Nina Kruzen me të artistit të cirkut, Kirin me Semiramidën, Vito Juvarën apo Graciano Kasitën, Françeska Çimarozën, Helenën e Trojës, Akilin, Bekim Fehmiun që luante Uliksin.
Kirin e kërkonin të gjithë, qe një prej heronjve të fëmijërisë sonë. I fortë dhe i dashuruar.
Magjypët e donin më fort, u dukej si “rob zoti, që mbron dorën e tyre”. Dhe në film, kur i hodhën helm në gotë dhe Kiri nuk e pa, magjypët të ngritur në këmbë, thërrisnin me alarm e dhimbje “Mos e pi Kir, mos e pi Kir, mos e pi Kir”. Por Kiri që nuk i dëgjonte dot lutjet dhe përgjërimet e magjypëve, e pinte me fund kupën dhe binte i helmuar në dysheme. Atëherë dhe magjypët rrëzoheshin të pezmatuar në karriget e tyre, me atë gjendjen që “A të thamë Kir, s’kemi ç’të bëjmë, ne të dolëm borxhit”. Por të nesërmen magjypët vinin përsëri, e ndiqnin filmin plot ankth dhe i luteshin prapë që mos ta pinte kupën me helm, me shpresë se së paku këtë radhë do t’i dëgjonte, por s’qe e thënë. Ai e pinte përsëri dhe magjypët po prapë të ngrysur e të mërzitur që s’ia kishin dalë dot dhe kësaj here, shembeshin në karriget prej kompensate, për të ardhur dhe të nesërmen në kinema, që t’ia mbushnin mendjen së paku një herë.
Dimrat qenë të ashpër dhe kinemaja përherë ishte e ftohtë. Kur kinemaja e vjetër kishte qenë në Fushë të Hanit, në reklamat e filmit, përkrah “Film me ekran të gjerë dhe me ngjyra” shkruhej dhe “film me stufë”. Qe një fuçi e madhe metalike e vënë në mes të sallës, ku ndizej zjarr dhe spektatorët, herë njëri e herë tjetri, i xisnin me dru stufës së madhe.
Përgjegjësi më i vjetër i kinemasë (që shikohej nga të gjithë me një lakmi të madhe, mbasi kishte mundësi të shihte të gjithë filmat që kalonin në qytet, e aq më tepër sa herë që të donte dhe t’i kishte qejfi, madje pa paguar as një kacidhe), vdiq në 1968, kur unë qeshë krejt i vogël. Thuhej se pati zënë shtratin qysh një dimër kur ishte përmbytur Lezha, atëherë kur pati nxjerrë nga kinemaja për tre ditë e net të katërqind karriget.
Vetë i shkruante reklamat, vetë kishte sajuar sobën, vetë lyente kinemanë dhe rregullonte karriget. Për ta bërë më interesant e të shikueshëm filmin u thoshte njerëzve vazhdimisht se qe film i bukur, mbasi i kishte pëlqyer dhe një burri të rëndësishëm që e thërrisnin Dulaq.
Tek kinemaja e vjetër thuhej se jo rrallë filmat vinin të papërkthyer. Atëherë pak a shumë tregohej filmi. Njëri që e kishte parë filmin më përpara se të tjerët ngrihej dhe shpjegonte ngadalë, se “ky burri këtu, që shikoni mbi urë është njeri i mirë, që më vonë do të fitojë, keni për ta parë se ky tjetri me kokë të lidhur do të tradhtojë shokët, merr këtë gruan, po në fund atë e grabit ai që do të vijë më vonë me kalë, që do ta ndihmojnë disa kusarë, do të fshihen në pyll, pastaj do të bëjnë dyluftim, mos u mërzisni se ky i miri fiton, ia rregullon qejfin atij maskarait. Ku ke parë ti që t’i marrësh gruan tjetrit?” Dhe rrëfimi i filmit vinte duke u bërë përherë e më i zbehtë, por shpesh dhe më konkret.
Ndodhte nga ndonjëherë që shpjeguesi e lidhte filmin me histori të njohura të qytetit dhe njerëzit e tij. “Ja ky është hajdut, vjedh bagëtitë e fshatit, tamam si … Dhe përmendte emrin e ndonjë braci që po ndiqte filmin. Atëherë plaste sherri, prishej filmi, kërcente njeriu i prekur në sedër dhe turma e njerëzve të tij. Rrëzoheshin stolat e gjatë me dërrasa ponti gjithë gdhenj, stufa me prush derdhej përdhe, e bëhej nami, derisa vinin t’i shpërndanin.
Magjypët nuk përziheshin në sherrin e të bardhëve. Ato shumë-shumë mërziteshin kur nuk iu përshtatej filmi, nuk u pëlqente dhe atëherë ia krisnin muhabetit, ndiznin duhan, nuk rrinin rehat, rrihnin fëmijët për inat të filmit të keq, thërrisnin nëpër terr njëri tjetrin, hipnin mbi karrige e stola dhe hidhnin topa letre apo zgjasnin duart lart tek fasha e filmit që të lëshonin hije në ekran. Kur megafonat e zbehnin pak zërin apo pësonin ndonjë defekt të shkurtër ngriheshin me tërsëllimë e tërë zemërim dhe kërkonin “Zë Salo”. Pastaj shanin përgjegjësin e kinemasë që “i kishte rrejtë, se pati vu në reklamë fotografi të bukura dhe filmi nuk bënte një lek, qe film kulli”.
3
Kur mbaronte filmi dhe njerëzit turreshin shpejt e shpejt, secili në hesap të vet drejt shtëpisë, magjypët prisnin gjatë në oborr të kinemasë. Disa prej tyre shpesh i zinte gjumi nga lodhja nëpër karriget e vjetra të kinemasë dhe me zor ngriheshin nga të mpirit, ca të tjerë ngrinin e mbështillnin me xhaketat dhe kapotat e vjetra fëmijët që kishin qenë duke fjetur dhe që ngriheshin përherë të trembur e duke qarë, ca mblidhnin çaklat e teshat, shkarpat e vjetra. Të gjithë prisnin njëri-tjetrin në oborr derisa prej skutave të sallës që boshatisej dalëngadalë, dilte dhe magjypi i fundit, e pastaj niseshin nëpër natë, për në mëhallën e tyre të vjetër diku në periferi, gjithë muhabet, britma, pakënaqësi, sharje e muzikë. Shpesh mundoheshin të këndonin muzikën e filmit që sapo kishin parë.
Karvani i tyre i binte mespërmes qytetit, nëpër rrugicën e ndriçuar zbehtë prej dritave me vajguri, që një plak i mbushte dhe i ndizte çdo muzg. Rrapëllima e nallaneve prej druri e kënga e tyre dëgjohej deri pas mesnate dhe mbyllej vetëm atëherë kur të gjithë sosnin në shtëpitë e tyre.
Mëhallën dikur ua kishin thirrur Kodër Top, (sepse, siç tregohej, në një luftë që s’dihej se kur, nga kodra e tyre ishte shtirë vazhdimisht me një top). S’dihej se kush pati qëlluar, por qe e sigurt se magjyp nuk kishte qenë. Qenë frikacakë të mëdhenj e ndoshta dhe kjo qe arsyeja që natën shkonin të tërë bashkë, rresht, varg e vistër, pa u ndarë. Kishin frikë “se mos u del përpara Judi” (që pa dyshim ishte ndonjë variant disleksikor i Judës). Edhe filmat e frikshëm nuk i shihnin dot, kërkonin vetëm filma me hare dhe aheng, me histori që mbylleshin bukur. Tërë ditën e tyre të zymtë mundoheshin ta rregullonin me filmin e darkës.
Kalamajve u vinin emra që i gjenin nëpër filma, dhe emrat e ri dukeshin allosoj me mbiemrat e vjetër. Bënin kalamaj shumë e shihnin filma po kaq shumë.
Kur bënte ftohtë, binte ndonjë borë apo vërshonin shirat, u kujtohej të ankoheshin se përse nuk kishin një kinema më afër mëhallës së tyre. Por të nesërmen e harronin këtë dhe, të mbërthyer në kapotat e vjetra, xhaketat ushtarake apo me kapelat keqane, ia behnin qysh herët, të prisnin në radhë për biletat e filmit të ri.