E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas divorcit; Babai hedh nga ura fëmijën e tij 2-vjeçar



Një fëmijë vetëm dy vjeç është hedhur nga lartësia, duke u plagosur rëndë nga i ati i tij. Ngjarja ndodhi në mesditën e djeshme në qytetin verior të Shkodrës. Policia ka shpallur në kërkim autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe po punon për ndalimin e tij. Fëmija dyvjeçar me inicialet E.Xh. ka pësuar dëmtime të rënda, pasi lartësia nga ai është lëshuar ka qenë e lartë. Ai ka pasur thyerje të këmbës dhe dëmtime të tjera, por është dërguar në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve nga policia, 40-vjeçari ishte një njeri me probleme. Vetëm para pak muajsh ai ishte ndarë nga gruaja e tij, me të cilën kishte pak vite që ishte martuar.

Ngjarja

Rreth mesditës së djeshme, kalimtarë të rastit kanë parë një 40-vjeçar që kishte hipur në një mbikalim hekurudhor në periferi të qytetit me një fëmijë të vogël në krahë. Ndërsa ka qëndruar sipër, ai ka lëshuar prej andej fëmijën për në shinat e trenit dhe është larguar më pas me shpejtësi. Të shokuar nga ngjarja, menjëherë banorë të zonës kanë shkuar për të ndihmuar fëmijën e mitur. Ndërkohë që në të njëjtën kohë është lajmëruar edhe policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje. Sipas deklarimeve të dëshmitarëve okularë, lartësia prej nga është lëshuar fëmija ka qenë e konsiderueshme dhe për pasojë fëmija vetëm 2 vjeç ka pësuar dëmtime serioze, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Fëmija u dërgua në spitalin e Shkodrës. Sipas burimeve nga spitali, si pasojë e rrëzimit nga lartësia e mbikalimit hekurudhor, 2-vjeçari kishte thyer vetëm këmbën, por ai kishte thyerje edhe në pjesë të tjera të trupit. Fëmija ndodhet në reanimacion, nën kujdesin e mjekëve, në spital. Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Sipas burimeve nga uniformat blu të qytetit verior, i ati 40-vjeçar e ka kryer këtë krim në vetëdije të plotë. Pas ndarjes nga e shoqja, gjykata i kishte lënë ta takonte të birin tri herë në javë. Po punohet për arrestimin e autorit, i cili për policinë njihej si një njeri me probleme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›