KLD; Procedura e pezullimit të gjyqtares Balili, gjyqtarët që e zëvendësojnë
Këshilli sqaron gjithë procedurat e ndjekura për dhënien e autorizimit për hetimin e gjyqtares së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, njoftimin bërë asaj dhe përgjigjja e marrë, si dhe gjyqtarët që do e zëvendësojnë si kryesues në çështjet ku ishte kryesuese
Dy ditë pas pezullimit nga funksioni të gjyqtares Marsela Balili, KLD bën publike procedurat e ndjekura për dhënien e autorizimit për Prokurorinë e Durrësit për këtë gjyqtare. Madje, përmes një deklarate për shtyp, këshilli bën të ditur se sapo ka marrë në dorë kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për dhënie autorizimi për hetimin e një gjyqtareje, konkretisht Marsela Balilit, kjo e fundit është vënë në dijeni se më datë 2 dhjetor do të niste shqyrtimi i kërkesës për heqje imuniteti. “Pavarësisht nga mosparashikimi i shprehur në ligj për procedurën e njohjes paraprakisht nga gjyqtari, si dhe praktika e deritanishme e Këshillit, ku asnjëherë më parë gjyqtarët nuk janë vënë në dijeni për kërkesën e organit të akuzës, gjyqtarja Marsela Balili është njoftuar për t’u paraqitur në Këshill në ora 11:00 të datës 02.12.2009, përpara shqyrtimit të kërkesës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë”, - shprehen burime zyrtare nga KLD, duke shtuar se ndaj këtij komunikimi, gjyqtarja Balili është përgjigjur shprehimisht se “në këtë orë dhe datë kam gjyq”. Ndaj dhe për këtë arsye, në një deklaratë për shtyp dërguar mediave, KLD shprehet se vendimi i marrë prej tij në mbledhjen e datës 2 dhjetor 2009, për dhënien e autorizimit për fillimin e procedimit penal ndaj gjyqtares së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Marsela Balili, është bërë në respektim maksimal të ligjit organik për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Sipas nenit 29 të këtij ligji, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organi që autorizon procedimin penal ndaj një gjyqtari mbi kërkesën e prokurorisë dhe vendimmarrja realizohet nga ky Këshill pa një procedurë paraprake të dëgjimit të gjyqtarit, e lidhur kjo me vetë natyrën diskrete të kërkesës për autorizim të procedimit penal dhe urgjencën e shqyrtimit të saj. Në kushtet e dhënies së autorizimit për procedim penal, pezullimi nga detyra i gjyqtares është pasojë direkte e ligjit dhe i është komunikuar menjëherë kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda me shkresën nr. 2420, të datës 02.12.2009, me qëllim ndërprerjen e ushtrimit të funksionit nga gjyqtarja.
Zëvendësimi
Gjyqtarja Marsela Balili njihet për disa çështje të bujshme që kishte në gjykim si kryesuese e trupës gjyqësore. Një prej tyre është edhe “Banda e Lushnjes”, për të cilën si kryegjyqtar, KLD delegoi gjyqtarin e seksionit civil të Gjykatës së Tiranës. Albert Meçe. Sipas burimeve zyrtare nga KLD, me qëllimin e vetëm për të mos shkaktuar asnjë shtyrje apo vonesë në kohë të proceseve gjyqësore ku gjyqtarja Balili ka qenë në trup gjykues, menjëherë pas pezullimit të saj nga detyra, ka marrë masa për të deleguar gjyqtarë në dy çështje gjyqësore. Kështu, në çështjen me të pandehur Emiliano Shullazin dhe Ervin Ferhatin janë deleguar gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Petrit Çomo dhe Bujar Krasniqi. Ndërsa në çështjen me të pandehur Arben Boriçi, Ilir Stergu etj., është deleguar gjyqtari i gjykatës së rrethit gjyqësor, Albert Meçe. Kjo procedurë, e zakonshme për veprimtarinë e Këshillit, është përmbushur në respektim të plotë të kritereve për delegimin e gjyqtarëve, sipas vendimit respektiv të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të garantuar vazhdimësinë dhe normalitetin e këtyre gjykimeve. Ky vendim i marrë me unanimitet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka të bëjë specifikisht me aktet e një materiali procedimor të lidhur me emrin e gjyqtares Marsela Balili, që referon në veprën penale të parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Ky material procedimor, në atribut të organit të ndjekjes penale dhe konkretisht të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës është kërkuar të hetohet dhe është vlerësuar nga KLD të lejohet të hetohet.