E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinezçja jo e pamundur, instituti “Konfuci” edhe në Shqipëri

TIRANË-Një dekadë më parë, askush nuk e kishte menduar që gjuha kineze do të merrte një përhapje të vrullshme, ndërkohë që aktualisht numërohen rreth 50 milionë studentë të gjuhës kineze.

Edhe Shqipëria nuk mbetet pas këtyre zhvillimeve globale. Tashmë Instituti “Konfuci”, një organizatë jofitimprurëse kineze që merret me mësimdhënien e gjuhës, përgatitjen e mësuesve dhe përhapjen e kulturës kineze në mbi 96 vende të Botës, çelet në shtator pranë Universitetit të Tiranës, në fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Ngritja e këtij instituti u konkretizua me nënshkrimin e marrëveshjes së posatçme me Universitetin e Tiranës.

Gjuha kineze, e cila ka nisur të studiohet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, po shihet me interes nga studentët shqiptarë në kushtet e reja të politikës dhe ekonomisë globale, pohoi rektori i UT-së Prof. Dr. Dhori Kule, duke rikujtuar se dy vjet më parë u çel një seksion i veçantë për mësimin e gjuhës kineze, ku studiojnë rreth 70 studentë.

Kule tha se “është për tu përshëndetur fakti që UT u përzgjodh nga qëndra e Institutit “Konfuci”, përkrah 71 universitete më të mira, si në SHBA, Kanada, Francë, Itali, Danimarkë në Europën e zhvilluar, Australi, për përhapjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës Kineze”.

Zv/ministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku, nisur nga detyra e tij specifike edhe si Koordinatori Kombëtar i Komisionit strategjik të Republikës së Kinës për ndihmën e Europës Qëndrore dhe Lindore, konfirmoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për të garantuar mbështetjen e iniciativave në forcmin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve. “Instalimi i një instituti të tillë do të ndihmojë trendin në rritje të studentëve shqiptarë që kërkojnë mësimin e gjuhës dhe kulturës kineze”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›