Kinezçja në Shqipëri, hapet instituti Konfuci për mësimin e gjuhës
Tashmë Instituti Konfuci, një organizatë jofitimprurëse kineze që merret me mësimdhënien e gjuhës, përgatitjen e mësuesve dhe përhapjen e kulturës kineze në mbi 96 vende të Botës, do të çelet në shtator pranë Universitetit të Tiranës, në fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Ngritja e këtij instituti u konkretizua me nënshkrimin e marrëveshjes së posaçme me Universitetin e Tiranës. Gjuha kineze, e cila ka nisur të studiohet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, po shihet me interes nga studentët shqiptarë në kushtet e reja të politikës dhe ekonomisë globale, pohoi rektori i UT-së Prof. Dr.Dhori Kule, duke rikujtuar se dy vjet më parë u çel një seksion i veçantë për mësimin e gjuhës kineze, ku studiojnë rreth 70 studentë. Kule shtoi se: Është për tu përshëndetur fakti që UT u përzgjodh nga qendra e Institutit Konfuci, përkrah 71 universitete më të mira, si në SHBA, Kanada, Francë, Itali, Danimarkë në Europën e zhvilluar, Australi, për përhapjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës Kineze. Në këtë aktivitet ka qenë i pranishëm ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në vendin tonë si dhe përfaqësues të ministrisë sonë të Arsimit dhe Punëve të Jashtme. Marrëveshja konsiston në mësimin e gjuhës kineze, trajnimin e lektorëve, aktiviteteve kulturore në të dyja gjuhët etj. Deri në fund të vitit 2010, ka pasur 322 Institute Konfuci dhe 369 klasa Konfuci ngritur në 96 vende të botës.
<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<
Shqipëri- Maqedoni, rriten shkëmbimet tregtare
Rritja e shkëmbimeve tregtare dhe shfrytëzimi i resurseve turistike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, ka qenë qëllimi i Forumit të Biznesit dhe Investimeve, i mbledhur në Tiranë. Turizmi i të dy shteteve iu ofron pushuesve, diçka ndryshe që i mungon në vendin e tyre. Shqipëria ka bregdetin, Maqedonia turizmin malor. Ambasadori i Shkupit në Tiranë, Vele Tërpevski, tha se pavarësisht krizës në rajon, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve në 3 vitet e fundit janë rritur me 15 %. Ndërsa Shqipëria rreth 2 % të shkëmbimeve tregtare i kryen me Maqedoninë.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Kontroll vajit të restoranteve dhe fast-foodeve
Restorantet dhe fast-foodet do të përballen me kontrolle dhe monitorime të vazhdueshme nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Kontrollet nuk do të përqendrohen vetëm tek higjiena, por edhe tek vaji që përdoret për gatim. Udhëzimi vjen pas trajtimit të gjerë nga media mbi rrezikshmërinë që paraqitet nga skuqja e herëpashershme e ushqimeve pa ndërruar vajin. Vaji përbëhet nga disa produkte polare që janë të dëmshme për shëndetin. Nga skuqja e herëpashershme e vajit produktet polare transformohen në kancerogjene dhe gjatë konsumimit të ushqimit, ato depozitohen në trupin e njeriut dhe shkaktojnë sëmundje të ndryshme të rrezikshme. Ndaj, në udhëzimin e botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se vlera maksimale e komponimeve të përgjithshme polare në vajrat e përdorura për skuqje nga operatorët e biznesit ushqimor, duhet të jetë jo më shumë se 25 për qind, që është një standard i Bashkimit Europian. Edhe pse udhëzimi ka hyrë në fuqi, zbatimi i tij do të nis pas 3 muajve.