Kingji: FA në terren për përballimin e zjarreve, gati për evakuim nëse kërkohet

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Arben Kingji, ndodhet në zonën e Qafës së Buallit dhe Planit të Bardhë në Bulqizë, ku po drejton operacionin për shuarjen e dy vatrave aktive zjarri.
Ai bëri të ditur se në këtë zonë janë angazhuar 35 forca të FA dhe se janë marrë të gjitha masat në bashkëpunim me emergjencat civile dhe Agjencinë e Mbrojtjes Civile, për të realizuar evakuimin e banorëve në rast nevoje.
Kingji theksoi se FA po punojnë në disa qarqe të vendit për të menaxhuar situatën e zjarreve, përfshirë Dibër, Lezhë, Vlorë, Berat, Gjirokastër dhe Korçë.
Ai siguroi se operacionet po zhvillohen në koordinim të plotë me autoritetet vendore dhe se strukturat janë të gatshme për të përballuar çdo situatë emergjente.
“Nëse do të lind nevoja për evakuimin e banorëve FA do të marr masat e nevojshme si për të larguar nga zonat e rrezikshme banorët por dhe për zonat e pritjes për të gjithë personat që do të kenë nevojë për tu larguar.”- u shpreh shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Arben Kingji.
/rtsh.al/