Kingji në Konferencën SHBA-Karta e Adriatikut: Investime shumëpalëshe në shërbim të sigurisë rajonale

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji mori pjesë në Konferencën e Shefave të Shtabit të Nismës SHBA–Karta e Adriatikut (A5), që zhvilloi punimet në Zadar (Kroaci).
Konferenca u bashkëdrejtua nga homologu kroat, gjenerallejtënant Tihomir Kundid dhe komandanti i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, gjeneral Alexus Grynkewich nën temën “Realizimi i Përfitimeve Rajonale”, duke vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit shumëpalësh, forcimit të kapaciteteve dhe rritjes së ndërveprueshmërisë së forcave ushatarake, në funksion të sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Evropën Juglindore.
Në kuadër të punimeve, u miratua Procedura Standarde Operacionale (A5) për Asistencën Humanitare dhe Ndihmën në Rast Fatkeqësish. Një kuadër vullnetar dhe jodetyrues, i cili synon të forcojë koordinimin, shkëmbimin e informacionit, ndërveprueshmërinë dhe bashkëpunimin praktik ndërmjet vendeve të A5 në përgjigje ndaj emergjencave humanitare dhe fatkeqësive natyrore.
Gjenerallejtënant Kingji vlerësoi se përmes këtyre angazhimeve të përbashkëta, synojmë që investimet shumëpalëshe në fushën e mbrojtjes, trajnimet dhe zhvillimi i kapaciteteve të përkthehen në rezultate konkrete dhe kapacitete operacionale në shërbim të sigurisë rajonale.
Ai vlerësoi se për Shqipërinë, Korridori VIII përbën një prioritet strategjik. Gjenerallejtënant Kingji nënvizoi po ashtu se “synimi ynë është të rrisim kapacitetin e rrjetit të transportit dhe të integrojmë kërkesat e lëvizshmërisë ushtarake në planifikimin e infrastrukturës, duke maksimizuar përdorimin e dyfishtë të investimeve”.
“Në këtë kuadër, Letra e Synimit për Lëvizshmërinë Ushtarake, e nënshkruar nga Shqipëria, Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në Samitin e NATO-s në Uashington, në korrik 2024, synon të mundësojë lëvizjen e shpejtë dhe fleksibël të forcave dhe mjeteve përgjatë territoreve të vendeve nënshkruese”, u shpreh Kingji.
1 nga 10/m.m/a f/r.e/