E Diel, 1 Nëntor 2026

Kirurgu që kërkoi 160 euro ryshfet për operacion

Kirurgu Ilir Kafexholli, i cili punon në repartin e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), është arrestuar sot rreth orës 10 të mëngjesi. Këtë arrestim e ka bërë Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës.

Arrestimin e Ilir Kafexhollit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Por, burime të sigurta gazetës “Zëri”, brenda Policisë së Kosovës, kanë konfirmuar se, Ilir Kafexholli, i ka kërkuar një pacienti 160 euro për të hyrë në operacion.

Sipas të njëjtit burim, 110 euro mjeku në fjalë i ka marrë para se të hyjë në operacion pacienti dhe 50 pasi që ai ka dalë nga operacioni.

Sabrije Kamberi, zëdhënëse e Policisë së Kosovës, ka deklaruar se mjekut në fjalë iu është shqiptuar masa e paraburgimit, transmeton reporteri. 

“Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e ka bërë sot arrestimin e një personi të dyshuar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit. I njëjti punon në njësi të QKUK-së. I njëjti person është dërguar në paraburgim. Me urdhër të prokurorit i është shqiptuar masa e dënimit prej 48 orësh”, ka deklaruar Kamberi”.

Në anën tjetër Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së, ka deklaruar se drejtoria e QKUK-së nuk është e njoftuar zyrtarisht për këtë arrestim. V. Halimi./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›