Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë: Kryepeshkopi i ri zgjidhet më 16 mars

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se zgjedhja e Kryepeshkopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, i cili do të pasojë Kryepeshkopin e ndjerë Anastas, do të mbahet të dielën e dytë të Kreshmës, më 16 mars 2025.
Zgjedhja e Kryepeshkopit do të bëhet në Qendrën Sinodike, pas Liturgjisë Hyjnore. Procesi i zgjedhjes do të ndjekë dispozitat e Statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepeshkopi Anastas ndërroi jetë me 25 janar të këtij viti, pas një beteje të gjatë shëndetësore. Ai vdiq në moshën 95-vjeçare, në spitalin “Evangelismos” në Athinë, si pasojë e mosfunksionimit të mjaftueshëm të shumë organeve.
Pasuesi i tij i përkohshëm, ose “Mbikëqyrësi i Fronit Kryepeshkopal” u vendos Mitropoliti i Korçës, Joani. /j.p/