Kisha Ortodokse: Rezultati i Censit 2023 nuk pasqyron realitetin

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë kundërshtoi të enjten rezultatet e Censit 2023. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Kisha Ortodokse bën të ditur se rezultati i Censit 2023, në lidhje me përqindjen e numrit të të krishterëve ortodoksë, nuk pasqyron në të vërtetë realitetin.
“Kjo ka ndodhur për disa arsye, ndër të cilat do të përmendim disa: Regjistruesit, në shumë raste, nuk i pyesnin të intervistuarit për përkatësinë fetare. Kemi evidencë të dokumentuar se një numër i madh besimtarësh nuk u intervistuan, sepse nuk u vizituan nga asnjë regjistrues.”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë deklaron se sipas regjistrave të saj të pagëzimeve tregohet qartë se numri i të krishterëve ortodoksë është shumë herë më i madh nga sa rezulton në Cens.
“Sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna: myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67.5%; orthodhoksët 22.3% dhe katolikët 10%. Ndonëse pyetja për besimin fetar ishte fakultative, numri i madh i besimtarëve të pacilësuar prej 332 155, të ateistëve 85 311, të atyre që preferuan të mos i përgjigjen 244 331 dhe të atyre që nuk ishin të disponueshëm 134 451 – në total 796 248 – afërsisht 1/3 e popullsisë, dëshmon për pasaktësinë e këtij Censi.”, përfundon deklarata për shtyp e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
/rtsh.al/