Kisha greke kërkon eshtrat e 150 ushtarëve të vrarë
POGRADEC- Kisha greke kërkon eshtrat e ushtarëve të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore në zonën e Pogradecit. Një prift grek ka mbërritur dje në qytetin e Pogradecit dhe ka kontaktuar me Gjergji Velon një dëshmitar okular i cili ka bërë zhvarrimin e 150 ushtarëve grekë dhe më pas, së bashku me disa shokë të tjerë, i kanë rivarrosur në kodrën e gështenjave pak metra më poshtë depos së ujit. Gjergji Velo ka thënë për gazetën “Shekulli “ se ai ka qenë duke punuar në ofiçinën e tij kur ka mbërritur prifti grek, i cili i ka thënë se donte informacion të hollësishëm për vend vendosjen e ushtarëve. Ai i ka treguar priftit grek Llazaros të gjitha hollësirat dhe i ka treguar edhe vendin në varreza ku ndodhen ushtarët e vrarë grekë në vjeshtën e vitit 1940 në kalanë e qytetit të Pogradecit gjatë përplasjes së tyre me ushtrinë italiane.
Gjergji Velo tregon për gazetën se në prill të vitit 1967 ai punonte në ndërmarrjen e ndërtimit në Pogradec. Së bashku me disa punëtorë të tjerë të kësaj ndërmarrjeje janë thërritur nga drejtori dhe iu është komunikuar se tek zona industriale, atje ku ndodhet fabrika e mobilieve, do të ngrihet një fabrikë tjetër por aty ndodhet një varrezë e ushtarëve grekë të vrarë në vjeshtën e vitit 1940 në kalanë e Pogradecit. “Prandaj na u caktua neve që t`i zhvarrosnim ushtarët grekë dhe më pas t`i rivarrosim në kodrën e gështenjave poshtë depos së ujit pasi ishin përgatitur më përpara arkivole të vegjël me përmasa 30 cm me 60 cm”,- thotë Gjergji. Ai tregon se bashkë me shokët kanë nisur të kryejnë zhvarrimin e trupave të ushtarëve grekë. Gjergji tregon se ushtarët grekë ishin trupa të mëdhenj dhe kishin të gjithë medaljone në gjoks me numra dhe simbole të tjera. “Ne gjetëm nëpër varre edhe pagurë me konjak metaksa apo dhëmbë floriri që kishte pasur ndonjë ushtar i vrarë. Nuk ishin prishur këpucët togëzat e rripave”,- thotë Gjergji.
Historiani dhe dramaturgu i njohur Mirosh Markaj (nipi i Mitrush Kutelit), i cili e mban mend këtë ngjarje në vjeshtën e vitit 1940 pohoi se ushtarët grekë ishin vendosur në kodrat rreth qytetit ndërsa ushtarët italianë kishin kapur majën e kalasë. Një kolonel grek, i cili drejtonte forcat ka ngatërruar sinjalet ka hedhur në ajër shenjën e gjelbër për sulm ndërkohë që artileria greke që ndodhej në kodrat e fshatit Rëmenj ka filluar të qëllojë kalanë e qytetit dhe predhat greke vranë gabimisht ushtarët grekë të cilët ishin duke u ngjitur në kalanë e qytetit. Janë vrarë dhe jo pak por rreth 150 ushtarë, të cilët më pas të nesërmen u varrosën në periferi të qytetit të Pogradecit. Sipas Mirosh Markajt të nesërmen koloneli grek që krijoi tragjedinë ka kryer vetëvrasje nga dëshpërimi. Në lidhje me këtë ngjarje prifti grek ka premtuar se së shpejti do të vijë në Pogradec me një ekip nga Greqia dhe do të bëjnë zhvarrosjen e ushtrave.