KLD rikthen në detyrë 17 gjyqtarët e liruar
TIRANË- Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë iu deshën një vit kohë që të ekzekutojnë vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, për t’i rikthyer në punë 17 gjyqtarët e mbetur pa punë që prej 14 muajve, por që rrogën e merrnin edhe pse nuk shqyrtonin asnjë dosje civile apo penale. Kështu, sipas vendimit të anëtarëve të KLD-së mësohet se në mbledhjen e datës 24 tetor, anëtarët e këshillit me vota absolute kanë vendosur të zbatojnë vendimin e Gjykatës së Lartë për sistemimin nëpër Gjykatat e Rretheve 17 gjyqtarët që kishin mbetur pa punë që me shkrirjen e tetë Gjykatave të Rrethit një vit më parë.
Sipas këtij vendimi, të 17 gjyqtarët që mbetën pa punë menjëherë pas dekretimit të ligjit “Për Riorganizimin e Gjykatave të Rretheve Gjyqësore”, qëndruan në pritje të lirimit të ndonjë vendi të punës. Por më pas ata u ankuan në Gjykatën e Lartë dhe fituan të drejtën e rikthimit në punë me vendimin e datës 15 nëntor të vitit 2007. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me vendimin numër 2152 ka shkelur hapur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi ka vendosur largimin e gjyqtarëve nga detyra, në kundërshtim me nenin 1476 të Kushtetutës së Shqipërisë, nen i cili parashikon arsyen e shkarkimit të gjyqtarit nga detyra”,- thuhej në vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Në të saktësohej se KLD-ja nuk ka plotësuar asnjë nga dispozitat që parashikon Kushtetuta për rastet e largimit nga detyra, si vërtetimin e kryerjes së një krimi; paaftësisë mendore a fizike; akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën e figurën e gjyqtarit si dhe pamjaftueshmëri profesionale”, veprime këto të cilat nuk janë kryer nga asnjë nga 17 gjyqtarët e larguar nga puna. Sipas vendimit që tashmë u bë shkak për tu rikthyer në punë 17 gjyqtarët, mësohet se dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. “Në referencë të pikës të nenit 4 të Kushtetutës, kjo e fundit përcakton rregulla për kohën e qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve, pagën e përfitimit, emërimin, transferimin, shkarkimin etj”-ka argumentuar Kushtetutën, Gjykata e Lartë. Këto dispozita kushtetuese, sipas vendimit duhen zbatuar drejtpërsëdrejti nga KLD-ja, pasi Kushtetuta nuk parashikon ndryshe dhe këto dispozita janë pjesë e garancive kushtetuese të gjyqtarit në detyrë.
BOX - GJYQTARËT
Ahmet Jangulli emërohet gjyqtar në Gjykatën e Dibrës
Bahri Shyti emërohet gjyqtar në Gjykatën e Dibrës
Arjan Qafa, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Dibrës
Ilir Përdeda, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lezhës
Llesh Jaku, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lezhës
Julian Haxhiu, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lezhës
Ramazan Avdiu, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Elbasanit
Fatbardh Çoniku, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Elbasanit
Miranda Çekrezi, emërohet gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit
Sulejman Kurti, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Elbasanit
Astrit Shema, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës
Arqile Basha, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës
Albina Lako (Spahaj), emërohet gjyqtare në Gjykatën e Gjirokastrës
Maksim Qirjazi, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Korçës
Vjosa Çela, emërohet gjyqtare në Gjykatën e Korçës
Pëllumb Zaimi, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Beratit
Durim Hasa, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Beratit
Mbledhja e radhës, shqyrtohen 3 procedime
TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e radhës do të shqyrtojë kërkesat e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj për procedime disiplinore ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë në Mat dhe Apelit të Vlorës. Sipas burimeve zyrtare nga KLD-ja mësohet se në mbledhjen e kaluar gjyqtarët në detyrë Murat Lleshi, Meme Rexho dhe Alaudin Malaj që do të procedoheshin nga anëtarët e këshillit me kërkesë të ministrit Alibeaj, munguan për shkak të gjendjes së tyre jo të mirë shëndetësore, duke paraqitur raport mjekësor para KLD-së. Ndërkohë, këto burime saktësuan se, raporti mjekësor i ndonjërit nga tre këta gjyqtarë nuk do të pranohet në mbledhjen e radhës të KLD-së dhe do të shqyrtohet masa e kërkuar nga ministri për shkarkimin e tyre nga detyra. Mësohet se kërkesa e ministrit Alibeaj, përveç shkarkimit të tyre nga detyra, është edhe ndjekje penale për veprimet e kryera, që sipas inspektoratit kanë kryer në ushtrimin e detyrës së tyre.