Kisha në Përmet, Berisha ngre zërin: Greqia të mos ndërhyjë në punët tona
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha reagoi dje për incidentin e ndodhur në Përmet mes besimtarëve ortodoksë dhe policisë private e cila ka marrë në dorëzim mbrojtjen e Pallatit të Kulturës në këtë qytet. Përmes një deklarate për shtyp, kryeministri Berisha e cilëson si të papranueshme ndërhyrjen e Greqisë në punët e brendshme të Shqipërisë.
Reagimi
Duke ju referuar incidentit të Përmetit, kryeministri thekson se zbatimi i vendimeve të gjykatave është themeli i funksionimit te shtetit ligjor ndërsa shton se skenat e dhunimit të objekteve të shenjta rikthyen në memorien e shqiptarëve pamje të kohës së barbarisë hoxhiste mbi institucionet e kultit. Kryeministri vlerëson se zbatimi i vendimeve të gjykatave është themeli i funksionimit te shtetit ligjor por nga ana tjetër skenat e rrëmbimit të objekteve të shenjta nga përmbarimi privat gjatë ekzekutimit të vendimit gjyqësor të 11 viteve më parë, rikthyen për shqiptarët pamje të kohës së barbarisë hoxhiste mbi institucionet e kultit. Ky ishte një ofendim i rëndë për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë, thuhet ndër të tjerash në reagimin e kryeministrit Berisha. Në vijim, Berisha vlerëson dialogun e nisur mes përfaqësuesve të Bashkisë së Përmetit dhe atyre fetare. Kryeministri vlerëson dialogun e sotëm(djeshëm) midis autoriteteve të Bashkisë së Përmetit dhe atyre fetare dhe i ka kërkuar Kryetarit te Komitetit te Kulteve që së bashku me këto autoritete të bëjnë verifikimet e nevojshme dhe propozimet respektive për një zgjidhje përfundimtare jashtë të gjitha abuziviteteve dhe praktikave të dënueshme ateiste, vijon më tej reagimi i kryeministrit.
Greqia
Duke ju referuar deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke për incidentin në Përmet, kryeministri Berisha e cilëson atë si të papranueshme ndërsa shton se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe mjetet ligjore për garantimin e shtetit të së drejtës. Kryeministri konsideron të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e djeshme të autoriteteve greke. Shqipëria ka të gjitha mundësitë dhe mjetet ligjore për garantimin e shtetit të së drejtës, veprimtarisë normale të institucioneve të vendit dhe atyre të huaja si dhe për tiu përgjigjur shkelësve të rendit dhe provokimeve të çdo lloj, mbyll reagimin e tij, kryeministri Sali Berisha.
MPJ: Konflikti të zgjidhet me gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje
Edhe Ministria e jashtme reagoi për incidentin e ndodhur në Përmet. Përmes një deklarate për mediat, MPJ ka bërë një sqarim për takimin që zëvendës ambasadorja shqiptare në Greqi pati me përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme greke për ngjarjen në fjalë ndërsa ka kërkuar që kjo situatë të zgjidhet me gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje. Në mbrëmjen e datës 19 gusht, u thirr në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke zëvendës ambasadorja shqiptare në Athinë znj Ermira Braho. Gjatë takimit pala greke paraqiti shqetësimin lidhur me dy incidente, në Përmet si dhe goditjen me gurë të Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Gjirokastër. Në vijim, diplomatja shqiptare në Athinë, ka sqaruar se te dhënat zyrtare flasin për situata të ndryshme. Sipas informacioneve zyrtare, në datën 19.08.2013, disa besimtarë ortodoks janë afruar tek godina e shtëpisë se kulturës në Përmet duke çarë rrethimin e forcave të policisë private, dhe pasi kanë hequr materialet rrethuese janë futur brenda në këtë objekt. Më tej, dy besimtarë ortodoks janë paraqitur të plagosur në Spitalin Civil të Përmetit. Autoritetet përkatëse shqiptare kanë marrë në pyetje shtetasit në fjalë, për të sqaruar rrethanat e plagosjes së tyre, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të shpjegojë asnjë rrethanë hetimi. Lidhur me sulmin me gurë të pretenduar, rezulton se në oborrin e Konsullatës ka rënë një gur i përmasave relativisht të vogla, që sipas hetimeve paraprake, mendohet se ka rënë si pasojë e fërkimit me gomën e ndonjë makine. Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare kërkoi që ngjarjet të analizohen sipas fakteve me gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje dhe në kontekstin në të cilin ato ndodhin, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.