Kishat e Goricës, mes rrugicave të lagjes historike me arkitekturë osmane

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Berati, qyteti i një mbi një dritareve, tashmë ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve për arkitekturën e bukur, rrugicat joshëse, trashëgiminë e pasur historike e kulturore, kalanë e banuar, lumin Osum dhe malet përreth ku Tomori e Shpiragu qëndrojnë si kurorë. Por, jo më pak vizitorët i tërheq edhe trashëgimia shpirtërore e qytetit, ku krah njëra-tjetrën qëndrojnë kisha e xhami historike, sikundër edhe objektet e reja të kultit që i përkasin të dy besimeve.
Pjesë e kësaj trashëgime të pasur janë edhe dy kishat e Goricës.
Kisha e Shën Spiridhonit, e vendosur mes rrugicave të ngushta në zemër të lagjes historike përfaqëson një vlerë të jashtëzakonshme arkitekturore të shekullit XIX dhe mban një status të veçantë si kisha e parë ortodokse që u rihap në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist.
Kisha është e madhe dhe nga larg me qiparisat në oborr të jep përshtypjen e një manastiri. Mjaft vizitorë hyjnë në dyert e saj të drunjta, ngjisin shkallët e gurta dhe hyjnë në brendësi ku përveç objekteve të reja kishtare ruhen në mur edhe pse të zbehura nga koha dhe nga dëmtimet e së kaluarës, afreske të mrekulueshme.
Të dhënat historike flasin për tjetërsim të rëndë të kësaj kishe në kohën e komunizmit, kur u përdor për kultivimin e krimbit të mëndafshit e më pas si muze botanik e zoologjik për të përfunduar në depo materialesh ndërtimi. Banorët më të vjetër të Beratit e mbajnë mend mirë 20 nëntorin 1990 kur u zhvillua mesha a parë publike ortodokse pas dekadash ateizmi. Besimtarët ortodoksë guxuan të hapnin dyert e kishës, duke e pastruar me nxitim, edhe pse regjimi nuk kishte rënë ende zyrtarisht dhe feja ndalohej.
Tashmë e restauruar kisha pret vizitorë dhe mbart peshën e kujtimeve, ndërsa meshat që mbaheshin aty bëhen në katedralen e madhe të ndërtuar në qendër të qytetit. Vizitorët i shohim të afeksionohen sidomos me afresket ende të ruajtura në murin verior të kishës, ndërsa ikonostasi mban ikona me vlerë. “Kushdo që vjen këtu, unë do ta pranoj me shumë dashuri”, thuhet në mbishkrimin mbi portën e harkuar.
Ndërsa dalim sërish në rrugicat e Goricës, vargu i vizitorëve të shpie drejt e në kishën tjetër të kësaj lagjeje, atë të Shën Thomait. Rugica ku ndodhet kisha më tej vijon drejt e te ura e madhe mbi Osum, dhe itinerari i turistëve që ngjiten në Goricë nuk mund ta anashkalojë këtë pjesë të rëndësishme të jetës shpirtërore të qytetit. Kisha e Shën Thomait mban një histori të gjatë nga faltorja e hershme mbi të cilën është ndërtuar rreth shekullit XVIII e deri tek legjendat e besimet lokale për shpirtin që jetonte aty përpara se të ndërtohej kisha.
Petraqi një nga kujdestarët e kishave ortodokse të Beratit na tregon legjendën sipas së cilës kisha është ndërtuar pasi një grua kishte parë në ëndërr një shpirt që kërkonte shtëpi pikërisht në këtë vend, ku në fakt nuk kishte asgjë përvec shkëmbinjve. Banorët provuan mrekulli nga ndezja e qirinjve pranë këtij vendi të shenjtë. Edhe sot e kësaj dite, pranë kishës ndodhen disa gropa natyrore në shkëmbin ngjitur me të, e sipas besimit lokal ato janë gjurmët e këmbëve të Shën Thomait. Shkëmbi shërben si vend lutjesh ku ndizen qirinj.
Gjatë komuznimit, kisha nuk u shemb plotësisht por u tjetërsua. Kisha e re prej guri ndërtuar mbi godinën e vjetër ka zënë vend tashmë në ansamblin e lagjes Goricë. Në brendësi ikonostasi është i thjeshtë dhe ka ikona të reja. Nga kisha dhe kryqi gjigand që ndodhet në oborrin e saj mund të kesh një panoramë të gjerë të Beratit, lumit Osum dhe urave të tij e deri sipër në Kala, ku mund të dallohen edhe njerëzit që qëndrojnë në tabe.
Në Beratin e arkitekturës osmane aktualisht ekzistojnë 20 kisha ortodokse, brenda kalasë dhe në lagjet historike. Pjesa më e madhe e këtyre kishave gëzojnë statusin monument kulture të kategorisë së parë për shkak të arkitekturës bizantine dhe pasbizantine por edhe për afresket unike të epokës së Onufrit.
Rrënjët ortodokse të Beratit janë unike sepse ato u zhvilluan në harmoni të plotë me komunitetin mysliman. Secila prej kishave ka histori për të treguar, historinë e një rrugëtimi jo të lehtë në kohë dhe sakrificat e banorëve që i ruajtën dhe i ringritën.
Tanimë kur gjithë turistë nga pothuajse e gjithë bota vizitojnë Beratin, qyteti u tregon se si dy besime mund të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrën, Mangalemi mysliman dhe Gorica ortodokse duke ndarë të njëjtat tradita qytetare, madje duke mbrojtur objektet e njëri-tjetrit në kohë krizash.
Kishat e Goricës, foto: ATSH 1 nga 21