E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kishë apo Pallat Kulture? Të vërtetat e Përmetit (VIDEO)

kollonat e kishes brenda pallatit te kultures_001Nga Altin Ketro

Në këto ditë të nxehta gushti, papritur na u rishfaq konflikti i vjetër midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Ortodokse të qytetit, ku sekush prej tyre pretendon pronësinë mbi një ndërtesë të cilën, Bashkia e konsideron Pallat Kulture, kurse Kisha si objekt kulti të saj.

Nëpër media e shkruara kanë nisur të jepen opinione rreth kësaj çështje. Komentuesit online po tregohen më të zellshëm se kurrë rreth kësaj teme. Dhe, si për ti hedhur më shumë benzinë zjarrit, në këtë çështje është mpleksur edhe qeveria greke, e cila ka reaguar fort nëpërmjet diplomacisë së saj me dy nota proteste.

Por, për tu njohur më mirë me historinë e këtij konflikti, na vjen në ndihmë një dokumentar i gazetarit të talentuar të TCH-së, Marin Mema, i cili, me emisionin e tij Shqipëria Tjetër, të transmetuar në TCH me datë 6 shtator 2011, na përcjell nëpërmjet faktesh dhe dokumentash sesi kanë rrjedhur ngjarjet dhe se cila prej palëve në konflikt ka të drejtë.

Materiali i zbardhur më poshtë i përket pikërisht dokumentarit në fjalë të realizuar nga Marin Mema, me titull: Kishë apo Pallat Kulture? Të vërtetat e Përmetit. Një material dokumentar që duket edhe sot më aktual se kurrë. Duhet theksuar se ky gazetar i guximshëm, është shpallur si Person i Padëshiruar nga qeveria greke që të shkelë në territorin e saj:

“Pallati i Kulturës Naim Frashëri në Përmet, është kthyer në arsyen e një përplasje të fortë mes intelektualëve e banorëve të qytetit nga njëri krah, Kishës Ortodokse e disa besnikëve të saj në krahun tjetër. Prej vitesh kjo qendër kulturore është adoptuar në një kishë ortodokse, drejtuesit e së cilës, pretendojnë se ajo është ngritur në tokën që i takonte kishës së Shën Marisë së Pazarit, e cila është shkatërruar në vitin 60-të.

Por, në fakt, dokumentat e kohës tregojnë se nga 584 m2 ku shtrihet Pallati i Kulturës, vetëm 25 metra në fakt i takojnë kësaj kishe.

Mbështetur pikërisht në dokumentat e arkivës së qytetit të Përmetit, Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit në Tiranë, si dhe, provave të paraqitura nga palët, Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër në 2001-in, Apeli në 2002-in dhe Gjykata e Lartë në 2003-in, me vendim të formës së prerë vendosin që Pallati i Kulturës Naim Frashëri të mbetet i tillë, duke mospranuar kërkesën e Kishës Ortodokse të qytetit të Përmetit.

Në 2004-ën, Gjykata Kushtetuese la në fuqi vendimet e tri shkallëve të gjyqësorit, duke i cilësuar ato si të rregullta dhe konform Kushtetutës.

Por, të fitosh gjyqin në Shqipëri, nuk do të thotë se ke fituar të drejtën. Edhe pse një vepër publike, zyra e përmbarimit nuk ka mundur dot ta zbatojnë këtë vendim.

Në një vend ku ligjet nuk zbatohen është ideal që gjithkush ti zbatojë projektet sipas dëshirës së tij. 

Në këto kushte, Kisha vazhdoi punimet në mënyrë të fshehtë, duke i maskuar ato si rikonstruktim i çatisë së ndërtesës edhe pse ata ligjërish nuk kanë punë me asnjë tjegull të saj.

Përtej mureve të gurta të ndërtesës që quhet Pallati i Kulturës, një tjetër godinë po merrte jetë. Makineri të rënda hedhin beton në mënyrë të kundraligjshme brenda Pallatit të Kulturës Naim Frashëri, sigurisht jo për çatinë, po për një ndërtim shumë më të madh; një ndërtim brenda ndërtimit.

Kjo ndodhte(vazhdon) në orët e vona të natës, në mënyrë ilegale, ku rrugët e qytetit të Përmetit janë të boshatisura nga kalimtarët. Ndërkohë paradite gjithçka kthehet normale. Nga jashtë asgjë, përveç disa gjurmëve të vogla të cilat, gjithsesi, nuk japin imazhin e vërtetë të ndryshimeve që po ndodhin brenda saj. Kjo, jo vetëm për qytetarët e thjeshtë, por edhe për strukturat shtetërore.

Nuk është e vështirë të mësosh se si është e mundur që në mes të qytetit, brenda Pallatit të Kulturës, është duke u ndërtuar një kishë, pa leje ndërtimi dhe, mbi të gjitha, duke shkatërruar një ndërtesë që me vendim final gjyqësor është Pallat Kulture. Dhe, këtë ska se si ta ndalojë as Policia Bashkiake, as Policia Ndërtimore, e as ajo e Rendit. Dhe kjo, pasi ka qenë vetë Bashkia e këtij qyteti pronaria e kësaj ndërtese e cila, të paktën tri herë, ka dërguar për miratim në Këshillin Bashkiak një Plan Rregullues të Territorit të qendrës së qytetit ku, në të tria rastet, përfshihej një ndërhyrje në Pallatin e Kulturës, por që në të gjitha rastet, me shumicë votash, projektet janë rrëzuar.

Pikërisht në këtë situatë, Bashkia Përmet, me ish-kryebashkiakun Edmond Komino, në shkelje të plotë të vendimeve të gjykatës, ka bashkëpunuar duke lejuar në këtë mënyrë përmes një qarkoreje jo zyrtare, nisjen e punimeve për rikonstruktimin e çatisë së Pallatit të Kulturës. Kjo ishte vetëm pikënisja, sepse synimi në fakt ishte tjetër.

Plani është i qartë. Pas përfundimit të ndërtimit, larg syve të publikut, në ilagalitet të plotë, muret e Pallatit të Kulturës do të rrëzohen plotësisht, e, nga to, do të mbijë Kisha e re Ortodokse e qytetit të Përmetit. Në atë moment, rrëzimi do të jetë thuajse i pamundur, pasi nga krerët e saj do të paraqitet si një sulm i shtetit kundër fesë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›