E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kjo Tiranë nuk e kënaq Starovën

Trajneri, kritik ndaj lojës së disa futbollistëve dhe kërkon me çdo kusht Europën

E ka marrë Tiranën prej pak javësh, e ka rikthyer atë te fitorja, por ende nuk është i kënaqur me atë çfarë skuadra e tij po shpreh në fushë gjatë këtyre javëve të fundit të kampionatit. Ky është Sulejman Starova, trajneri i bardhebluve, i cili u emërua në këtë post më 30 mars, duke marrë vendin e lënë bosh nga tërheqja e Dejvi Mukës, që kishte mbajtur postin e trajnerit-lojtar nga momenti i skualifikimit të Alban Tafajt. Me të marrë frenat e Tiranës në dorë, ai mundi t’i rikthente besimin një skuadre, që deri në atë momente vuante një nga periudhat më të vështira në historinë e saj, pas një fillimi të keq të sezonit, madje arrinte deri aty sa po rrezikonte përfshirjen në zonën e ftohtë të rënies nga kategoria. Disa fitore radhazi në drejtimin e “Bobit” i afruan bardheblutë në luftën për një vend në Europa League, por hapi fals me Laçin tri javë më parë dhe barazimi me Besën e kanë kompromentuar së tepërmi këtë objektiv. Ndaj Starova nuk mund të qëndrojë duarkryq dhe të vërë në shënjestër të kritikave paraqitjen e disa prej lojtarëve të tij, por për momentin nuk preferon të zbulojë emra konkretë. “Të premten luajtëm përballë një skuadre të kompletuar dhe, pavarësisht se pika nuk më ka kënaqur, përsëri është një rezultat pozitiv për ne”, referohet ai në prononcimin e fundit në lidhje me ndeshjen ndaj kavajasve, e cila u mbyll me një barazim 1-1, që më pas prodhoi edhe disa polemika, ku edhe vetë Starova akuzohej për një kompromis me teknikun e Besës, Shpëtim Duro. Vetë trajneri i 24 herë kampionëve i ka hedhur poshtë këta zëra, të cilët i konsideron thashetheme dhe ka preferuar vetëm të analizojë lojën e skuadrës së tij. Në ditët e kaluara “Bobi” kishte tentuar të karikonte futbollistët e tij, duke i paralajmëruar se të gjithë janë në test, nëse do të meritojnë të jenë pjesë e Tiranës së sezonit të ardhshëm. Por nuk ka marrë përgjigje nga të gjithë futbollistët, pasi disa duket se e kanë zhgënjyer. “Më duhet të nënvizoj se nuk jam i kënaqur me nivelin që kanë paraqitur disa lojtarë në ndeshjen ndaj Besës, sepse prisja më shumë nga një sfidë e tillë”, shpjegon Starova. Tirana do të luajë në distancë me Laçin për vendin e tretë. Nëse Vllaznia fiton Kupën dhe shkon në Europë dhe Besa sipas gjasave del e dyta, atëherë është e vështirë të parashikosh çfarë do të ndodhë. Tirana luan me Dinamon, në një ndeshje që pavarësisht se tifozët bardheblu po përgatiten që të prishin festën e Dinamos, kjo e fundit po përgatitet që t’i bëjë një dhuratë Tiranës. Në të njëjtën ditë luan edhe Laçi me Skënderbeun dhe atje në Laç nuk mund të gabojnë në një ditë kaq të madhe. Skuadrat janë me pikë të barabarta dhe nëse shkojnë kështu në javën e fundit gjithçka kthehet në një “triller”. Në rast se rezultatet Skënderbeu-Tirana dhe Kastrioti-Laçi kanë të njëjtën shenjë, atëherë Tirana është jashtë Europës, sepse Laçi ka më shumë pikë në ndeshjet direkte. E tëra për t’u parë. “Skuadra duhet të punojë akoma edhe më tepër, në mënyrë që në ndeshjet e mbetura të realizojmë objektivin, i cili është kualifikimi për në Europa League”, përfundon Starova.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›