Kjo është ’97-ta tjetër e Berishës
Arben Rrozhani
-Më pesimistët kishin paralajmëruar: Sali Berisha nuk largohet nga pushteti pa bërë një ’97-të tjetër. Kishin parasysh atë të shkuar të afërt: marsin kur shteti militant ra, qindra depo ushtarake u lanë në mëshirë të turmave të egërsuara nga humbja e kursimeve në firmat piramidale të lejuara prej vitit 1994 nga Sali Berisha, asokohe president, si “paratë më të pastra në botë”, pas qershorin kur zgjedhjet i fitoi e majta dhe një vend të zhytur në kaos, 3 korrikun kur në emër në monarkisë u tentua të pushtohej KQZ-ja. Kaosi do të vijonte gjatë me një bilanc prej rreth 4000 të vrarësh dhe janë armët e rënies së shtetit në atë kohë, që po vrasin edhe sot në korrik 2013. Lajmi i mirë pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 ishte se Sali Berisha, me maskën e një politikani bashkëkohor, e pranoi disfatën, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së dhe paralajmëroi një dorëzim të paqtë dhe pa kosto të postit të kryeministrit. Të parën nuk e ka bërë dhe e ka pranuar edhe vetë se nuk do ta bëjë kurrë në gjallje të vet: ka vënë në një garë të stisur, sipas parimit “një anëtar një votë”, dy njerëz të besuar të tij, për të zgjedhur si pasardhës të tij njërin dhe tjetrin dhe zëvendës të pasardhësit. Edhe pse ka marrë 1 milion vota kundër superkleptokracisë që ndërtoi ditë pas dite për tetë vite nga shtatori 2005, po rreh gjoksin si udhëheqësi që shqiptarët nuk duhet ta humbin, si kryeministri që ka bërë mrekullinë ekonomike në këtë vend të falimentuar nga të katër anët, për 1001 të zezat që do t’i priskan shqiptarët ditën kur ai do të lërë atë godinë, ku në shtator 2005 hynte në këmbë triumfalisht bashkë me Lufter Xhuvelin dhe xhuveleritë surrogate që i jepnin shumicën e nevojshme për qeverisje. Ai nuk ka dhënë dorëheqjen si mbajtësi i vulës së Këshillit të Ministrave: ministrat, zëvendësat, prefektët, drejtorët dhe kuç e maç nga nivelet e larta te ato më të ulëta të administratës militante janë sulur këto dy muaj të mbyllin punët e pabëra, të zhvasin ç’të mundin, të mos lënë gjë në arkën e shtetit, asnjë pronë pa privatizuar, asnjë zullum pa bërë, asnjë oaz shprese për shqiptarët, që pas shtatorit do të jenë nën qeverisjen e të majtës. Ai ka dhënë dorëheqjen si kryeministër. Si për të konfirmuar se kushtetuta nuk ka vlerë për të, se ai nuk di dhe nuk do që të dorëzojë shtet me protokoll, as atë që bëri kleptokrati Fatos Nano. Shteti i ndërtuar prej tij me militantë ka rënë sërish, me shumë kosto jetësh njerëzore. Ushtarakët e tij kanë dezertuar dhe po bëjnë sekserin, për të shitur pronat e mbetura. Kryepolicët e tij militantë, pasi i thurën ditirambe udhëheqësit krahinor dhe mallkuan me “libër shpie” kryeministrin e ardhshëm, tani kanë marrë lejet e zakonshme për të harxuar paratë e mbledhura nga hallexhinjtë dhe kriminelët. Kanë lënë në detyrë burra që vrasin gra dhe çfarë t'u dalë përpara, maska që u zënë pritë dhe masakrojnë në rrugët kombëtare fëmijë që nisen për në det dhe përfundojnë te pavionet e shpifura të Spitalit Ushtarak me gjymtyrët e bluara nga plumbat, turistë që vijnë për t’i dhënë ato pak euro buxhetit të vendit dhe të shijojnë bukuritë e dheut amë dhe plaçkiten në mes të Rrugës së Kombit dhe policia as ua vërshëllen thirrjeve të tyre për ndihmë. Kjo është ’97 e dytë e Sali Berishës, që tani po qeveris shqiptarët me mesazhe të përvuajtura në Facebook dhe e ka lënë vendin që e flaku, pa ushtri, pa polici, pa administratë dhe pa asgjë... për të treguar se ai nuk diti të mbjellë asgjë tjetër veç kaosit dhe dhunës, përmes të cilës po ikën, sërish me turp.