“Toponimet” në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut
Abdurahim Ashik/Qytetar/Athinë
-Faqja tashmë shumë popullore “Facebook” është bërë, ndër të tjera edhe “Gazetë muri shkolle” lajmërimesh për nxënës të ciklit të ulët që mezi lexojnë dhe asgjë nuk kuptojnë. Fjalën e kam për plagën (gangrenë për shkak të malcimit dhe qelbit që rrjedh tash për vite) pasaportat e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi, të asaj që ka hyrë si pykë në jetën e mërgimtarëve, pa shpresë se dikush do ta nxjerrë. Faji, vështruar me vëmendje në pasaportat e të gjithëve, është i shtetit shqiptar, shtet që pasaportat i plotëson me 34 gërma, degjenerimit të gjuhës shqipe si dhe mosplotësimi i të gjitha pikë kërkesave të pasaportës në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht. Nuk jam jurist por këtë edhe një emigrant me “shkollë tetëvjeçare” e di dhe e kupton se këtu kemi të bëjmë me një çështje ligjore, me liritë dhe të drejtat e njeriut sanksionuar në një sërë dokumentesh ndërkombëtare, me një shkelje flagrante të tyre, shkelje që çuditërisht ndodh vetëm në Greqi. Unë si qytetar i thjeshtë, si gjysh që ka një nip që është i privuar të vijë nga Tirana të më përqafojë vetëm e vetëm, sepse në pasaportën e tij nuk është shkruar krahas fjalës Greqi (në shqip) edhe fjala Greece (në anglisht), si njeri publik, me që e shoh të ngrirë kallkan problemin e toponimeve dhe hyrjen në kufi të Greqisë të fëmijëve shqiptarë kërkoj që këtë gjë ta marrin në dorë tubimet shqiptare në tërë Greqinë, Federata apo Shoqatat. Etmond Guri është jurist, është njëkohësisht edhe Kryetar i zgjedhur me votën e lirë të përfaqësuesve të shoqatave në tubimin e njohur Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi. Ai ka kulturë juridike që të gjejë mënyrën (edhe me ndihmën e juristëve të tjerë shqiptarë në Greqi, edhe me ndihmën e juristëve përparimtarë grekë) që çështjen ta çojë në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Jam i sigurt se kjo çështje do të fitohet, por ajo që do të fitohet më shumë se çdo gjë tjetër është prestigji në ngjitje i zërit të mërgimtarëve shqiptarë, dalja nga “ngujimi” i tubimeve shqiptare. Shpresoj që një ditë të dëgjoj, lexoj e shkruaj për fitoren e “Drejtësisë së Fëmijëve” ndaj të gjithë atyre që i përçmojnë dhe i torturojnë me ndalesa absurde në kufi.