Rehabilitimi i Sali Berishës
Pas humbjes dërmuese në zgjedhjet e 23 qershorit dhe pas tronditjes që ka pësuar Partia Demokratike si pasojë e kësaj humbjeje në të tilla përmasa, duket se ka një tendencë të fortë në media dhe rrjetet sociale për ti bërë elozhe liderit historik të kësaj force politike, Sali Berishës.
Në një vështrim të parë, kjo mund të duket si reagim i natyrshëm që admiruesit, militantët, vartësit, i bëjnë elozhe liderit të tyre. Atij që megjithëse nuk kishte shumicën popullore, diti ti mbajë plot tetë vjet në pushtet. Mirëpo besoj se nuk është vetëm reagim i natyrshëm mbështetësish ky që ka pushtuar rrjetet sociale dhe mediat. Unë këtu shoh një tendencë për të rehabilituar figurën e dyshimtë të Sali Berishës. Kjo vihet re më shumë nga pseudoanalistë të tipit Fevziu. I quaj pseudoanalistë, sepse nuk di çcfarë titulli tjetër mund të meritojnë ata që duan të shitën për gazetarë, por realisht janë zëdhënës.
Sali Berisha pa dyshim që është politikan shumë i aftë. Arriti ta mbajë forcën e tij për dy mandate rresht në pushtet, megjithëse nuk ishin mandate që ia dha populli shqiptar, por ishin fitore për shkak të ndryshimeve të statuskuosë politike. Në zgjedhjet e vitit 2005 nëse do bashkonim votat e PS dhe LSI, atëherë PD-ja nuk rezulton të ketë marrë shumicën e votës së shqiptarëve. Dhe është për tu përmendur fakti se PS-ja me në krye Fatos Nanon vinte në ato zgjedhje pas një tejkonsumimi nga korrupsioni. Liderët e saj akuzonin publikisht njëri-tjetrin për afera korruptive dhe lidhje me krimin, etj. LSI, që në atë kohë shikohej si një forcë politike parimore, u bë varrmihësja e Partisë Socialiste, çka nxori në pension politik Fatos Nanon dhe në opozitë partinë e tij.
Edhe në zgjedhjet e vitit 2009, Sali Berisha bashkë me aleatët (duhet përmendur që ishin shumë parti në kampin e tij) nuk arriti të fitonte një shumicë qeverisëse në Parlament. Edhe këtë herë paterica e tij bëhet LSI, e cila me argumentimin se lexoi në mënyrë të drejtë votën e sovranit, bëri një aleancë të panatyrshme me Berishën, çka e mbajti këtë edhe një mandat tjetër në pushtet. Zgjedhjet e vitit 2009 u kontestuan fort nga opozita, e cila kërkoi fillimisht hapjen e kutive të votimit dhe më pas, së paku hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. Kërkesat u rrëzuan nga Sali Berisha, me pretekstin se kështu shkelej Kushtetuta e vendit dhe vendimet e gjykatave. Them pretekstin, sepse koha ka treguar se Sali Berisha e ka shkelur Kushtetutën sa herë që ia ka dashur volia politike. Pra edhe me një palë zgjedhje shumë të kontestuara, Sali Berisha nuk arriti ta merrte i vetëm një mandate të dytë qeverisës, por e arriti këtë me një aleancë të panatyrshme politike dhe mes dyshimeve të forta për manipulim.
Sali Berishën po përpiqen tia shesin opinionit publik edhe si protagonistin kryesor të rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri. Por kjo ha debat. Protagonistët kryesorë të qëndresës kundra regjimit komunist ishin studentët. Mes tyre padyshim spikaste Azem Hajdari. Ata nisën protestat, ata ishin simboli i revoltës popullore kundra atij regjimi që mbajti peng popullin shqiptar për gjysmë shekulli. Çfarë beri Sali Berisha në ato ditë të nxehta, ku studentët negocionin me pushtetin e Ramiz Alisë është shumë e paqartë. Ai u përdor si negociator nga pushteti i kohës dhe pas kësaj iu bashkua studentëve, duke u bërë dhe një ndër themeluesit e Partisë Demokratike e pastaj kryetari i saj. Se si e qysh ndodhën këto ngjarje, kjo duhet zbardhur. Por një gjë është e sigurt; Sali Berisha nuk ishte një ndër nismëtarët e protestave kundra regjimit komunist. Ai u bë protagonist gjatë rrjedhës së ngjarjeve.
Mirëpo kapja prej tij e postit të kreut të Partisë Demokratike dhe udhëheqja me dorë të hekurt e saj deri në ditët e sotme, si dhe propagandimi nga fevzinjtë e opinion(ç)bërjes në Shqipëri, ka bërë që në një terren të caktuar Sali Berisha të shihet si mit, të shihet si njeriu që rrëzoi sistemin komunist.
Dy janë kategoritë e njerëzve që e shohin Berishën si shembësin e komunizmit; pragmatistët që këto dy dekada kanë përfituar prej mbretërimit të tij dhe ajo pjesë e këtij populli të painformuar ose të keqinformuar për rrjedhën e ngjarjeve të viteve 90. Të mos harrojmë se kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe breza të tërë që në ato vite skishin lindur ose ishin në mosha minore, sot janë maxhorenë dhe janë rritur nën një propagandë të fortë që gjithnjë e më shumë përpiqej të mitizonte Sali Berishën. Kjo propagandë që 21 Janarin, një ngjarje kriminale të ndodhur në mes të ditës e në mes të Tiranës u përpoq dhe ende përpiqet ta shesë si grusht shteti, e ka shumë më të lehtë që ngjarjet e viteve 90 ti manipulojë në favor të këtij mitizimi fals.
Dhe po tu hedhësh një sy ngjarjeve në Partinë Demokratike sot, mund të shohësh një përpjekje të fundit për të mitizuar Sali Berishën si shwmbësin e komunizmit, por edhe për të përligjur populizmin e sjelljeve të tij pas 23 Qershorit. Ai dha një dorëheqje që nuk ishte dorëheqje. Ishte drejtimi i partisë përmes ushtarëve të besuar.
Të dy kandidatët për kryetarë të Partisë Demokratike përpara se të kandidonin, kaluan njëherë nga zyra e Berishës dhe këto takime enkas u bënë mediatike, për të dhënë mesazhin se pa bekimin e tij askush nuk mund të kandidojë për atë post. Kandiduan dy ministra, pjesë e dështimit, arrogancës dhe korrupsionit që një milion shqiptarë dënuan me votë. Të dy këta ushtarë të bindur në çdo takim me simpatizantët e partisë së tyre, përpiqen kush e kush të theksojë më shumë se sa i madh e i rëndësishëm është për partinë, por edhe për vendin lideri historik i saj, Sali Berisha.
Pra Sali Berisha po përpiqet, në mos për të marrë edhe njëherë pushtetin, së paku për të rehabilituar figurën e tij në raport me historinë. Një përpjekje që zgjat më shumë se dy dekada.
