E Diel, 1 Nëntor 2026

Kjo qeverisje po u kushton shtrenjtë qytetarëve

Zyrtarë të LDK-së në Mitrovicë kanë vazhduar me akuza në adresë të Kuvendit Komunal rreth, siç u tha, keq qeverisjes dhe menaxhimit të dobët nga ana e pushtetit lokal.

Nënkryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, gjatë një konference për gazetarë, të shtunën në Mitrovicë, ka hedhur akuza në adresë të Drejtorisë së Urbanizmit dhe të Infrastrukturës, e cila, sipas tij, keqmenaxhohet.

Ai ka përmendur dy dokumente të rëndësishme të cilat duhet të ishin bazë për zhvillim për pesë vitet e ardhme, Planin Zhvillimor Komunal dhe Planin Zhvillimor Urban, për të cilët ka thënë se nuk përfillen nga pushteti komunal, që ka për obligim t’i konsultojë sepse këto janë dokumente të aprovuara nga Kuvendi Komunal.

“Po ashtu, kemi ngadalësim të realizimit të planeve rregullative dhe mungesë të kontrollit të realizimit të tyre edhe pse nga 11 sosh që është dashur të realizohen, janë realizuar vetëm dy, Plani Rregullativ i Qendrës dhe ai i Iliridës me Fidanishte”, ka thënë Kamberi, duke shtuar se këto plane rregullative është dashur të miratohen 18 muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Planifikim Hapësinor, e që nuk ka ndodhur në Mitrovicë.

Sipas tij, problematikë shumë e rëndësishme vazhdon të mbetet mungesa e mekanizmit të pranimit teknik të objekteve.

“Duhet të krijohen mekanizma më efikas të kontrollit të zbatimit të planeve rregulluese dhe aplikimit të parametrave urban posaçërisht me rastin e dhënies së lejeve ndërtimore të objekteve të larta”, ka thënë Kamberi.

Ai ka paraqitur edhe të dhëna sa i përket investimeve kapitale në këtë komunë. Sipas tij, orientimi i investimeve kapitale bëhet jo njëtrajtësisht në komunë dhe ka një laramani që këto investime të bëhen jo sipas nevojave të qytetarëve dhe prioriteteve të përcaktuara sipas planeve.

Ai ka shtuar se investimet nga grandet qeveritare menaxhohen shumë pak nga Kuvendi Komunal, prandaj ndërtohen objekte të kualitetit te dobët, duke përmendur këtu rrugën Vinarc –Koshtovë, e cila, siç u shpreh, është punuar me shumë mangësi teknike dhe një pjesë e rrugës në fillim të eksploatimit ka rrëshqitur dhe është deformuar.

“Kemi projekte të dështuara për shkak të mungesës së vizionit dhe mospërfilljes së profesionistëve. Shembull është rrethrrotullimi në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’, i cili e komplikon trafikun në vend se ta bëjë atë më funksional”, ka thënë Kamberi.

Ai ka bërë të ditur se investimet kapitale të planifikuara për vitin 2012 janë rreth 4 milion e 800 mijë euro, ndërsa të realizuara deri tani janë vetëm 2 milion e gjysmë euro, apo 48 për qind të realizimit.

Sa i përket shpenzimeve të parasë publike, ai ka thënë se kjo qeverisje është duke u kushtuar shtrenjtë qytetarëve mitrovicas”. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›