E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njiheni Kosovën

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik ka miratuar një rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Rezoluta e sponsoruar nga Turqia dhe Shqipëria u bën thirrje 27 vendeve të mbetura të kësaj organizate ta marrin vendimin për njohje. Ndërkohë që 30 vende të OBI’t tashmë e kanë njohur pavarësinë.

Këshilli i Ministrave të Jashtëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) ka miratuar një rezolutë për Kosovën, në të cilën u bën thirrje të gjitha shteteve të mbetura të kësaj organizate, që të njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Në rezolutën e miratuar në sesionin e 39’të të këtij Këshilli të zhvilluar në Xhibuti, për Bashkëpunim Islamik, u bën thirrje shteteve anëtare të Organizatës që të shqyrtojnë njohjen e pavarësisë së Republikës e Kosovës, “e cila bazohet në të drejtën për liri dhe sovranitet dhe në praktikën nacionale”.

Në rezolutë, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të kësaj organizate mirëpret progresin në Kosovë në 5 vitet e shtetëndertimit, veçanërisht përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, “e cila ka demonstruar progresin e vazhdueshëm në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit në punën institucionale në të gjitha drejtimet, në integritetit territorial, dhe i cili ka sjellë paqe, stabilitet në Kosovë dhe në rajon”.

Rezoluta është bashkësponsorizuar nga Turqia dhe Shqipëria.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për miratimin e kësaj rezolute, për miratimin e këtij dokumenti, një rol të madh lobues ka pasur Ministri Hoxhaj, i cili gjatë pjesëmarrjes zyrtare në punimet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI’t, ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësuesit e shteteve anëtare të kësaj organizate.

”Ministri Enver Hoxhaj, gjatë punimeve të sesionit të Këshillit, ka mbajtur edhe një fjalim para 57 ministrave pjesëmarrës, ku ka kërkuar njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate. Në fjalimin e tij, Hoxhaj ka thënë se gjatë pesë vjetëve të pavarësisë, Kosova ka qenë faktor i paqes, i stabilitetit dhe i sigurisë në Europë dhe më gjerë” ,ka njoftuar MPJ’ja.

“Prandaj, unë dua të apeloj te të gjitha shtetet anëtare të OBI’it, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë. Njohja e Kosovës do të ishte mirënjohje dhe respekt për përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për dinjitet njerëzor, liri dhe pavarësi politike”, ka thënë Hoxhaj në fjalimin e tij.

Sipas MPJ’së, Hoxhaj ka prezantuar progresin në Kosovë, përkushtimin dhe forcimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.

“Njohja e Kosovës nga gjysma e shteteve anëtare të OKB’së dhe integrimi i saj në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, anëtarësimi në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili po ndodh në këtë kohë kur po mbahet kjo konferencë, është dëshmia më e mirë se Kosova po integrohet në sistemin ndërkombëtar dhe po siguron njohje të plotë ndërkombëtare”, ka thënë kryediplomati kosovar.

“Në këtë drejtim, Kosova është njohur nga 30 shtete anëtare të OBI’t, por kanë mbetur edhe 27 vende të tjera që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai.

Hoxhaj, në fjalimin e tij ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës si argument për njohje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›