Klima, Rompuy: BE, motor për marrëveshjen
Bashkimi Europian dëshiron që të ketë një rol ambicioz, një rol nxitës dhe konstruktiv, për të arritur një marrëveshje në konferencën e klimës në Kopenhagen. Një lajm i tillë është garantuar nga presidenti i ri i Bashkimit Europian, ish kryeministri belg Herman Van Rompuy, në Milano të Italisë, ku ai pati një takim me kryeministrin Silvio Berlusconi. Ky i fundit ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm në samitin e Kopenhagenit. Natyrisht, shtoi presidenti i ri i BE-së, përpjekjet që BE-ja është e gatshme të ndërmarrë, të marra si të vetme, nuk janë të mjaftueshme për të arritur një marrëveshje globale për të luftuar ngrohjen globale. Ndërkaq plani i kryeministrit laburist Kevin Rud për ta bërë Australinë një ndër vendet e para me një sistem komercial të emetimeve, ka pësuar një goditje të rëndë. Senati australian e ka refuzuar projektligjin e qeverisë për të dytën herë dhe që ka të bëjë me ndryshimin e politikave klimaterike, kryesisht me reduktimin e emetimit që shkaktojnë efektin serë. Ndërsa Kina, një nga ndotësit kryesorë të planetit, u ka drejtuar një apel vendeve të industrializuara që duhet të kenë parasysh pozitën e vendeve në zhvillim për çështjen e klimës, kur kanë mbetur edhe pak ditë, nga fillimi i konferencës së OKB-së në Kopenhagen. "Vendet e zhvilluara duhet të marrin parasysh shqetësimet dhe interesat e vendeve në zhvillim," tha për gazetarët zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze. Ky qëndrim vjen menjëherë pas takimit në Pekin që mblodhi së bashku përfaqësues nga Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut , Sudani dhe të tjerë, për të arritur në një qendrim të përbashkët drejt Kopenhagenit.