E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klima e biznesit dhe masat përballë krizës

Gjergj Buxhuku / Administrator i Përgjithshëm/KONFINDUSTRIA  

Mbështetur në të gjitha të dhënat që vijnë pranë Konfindustrisë, si dhe nga analizat makroekonomike, viti 2012 është pa dyshim një nga më të vështirët për biznesin shqiptar. Vala e goditjes së krizës globale ka mbërritur në ekonomitë periferike dhe të vogla, në të cilat bën pjesë edhe Shqipëria, shoqëruar me problematikën e brendshme të ekonomisë vendore. Gjendja më e vështirë paraqitet për biznesin prodhues, që e ka më vështirë se pjesët e tjera të biznesit të përballojë nga njëra anë uljen e ndjeshme të kërkesës konsumatore të brendshme e mungesën e likuiditetit në treg, dhe nga ana tjetër, konkurrencën gjithmonë e në rritje të prodhimeve dhe shërbimeve të vendeve të tjera në luftë të ashpër për sigurimin e mbijetesës së tyre.

Pikërisht si më sipër duhet gjykuar për klimën e biznesit shqiptar në vitin në vazhdim. Pasiguria kryesore e biznesit prodhues shqiptar, si pjesa më e ndjeshme e biznesit në përgjithësi dhe më e rëndësishmja për zhvillimin ekonomik të vendit, është rënia e ndjeshme e konsumit të brendshëm. Rënia e konsumit i ka çuar operatorët që prodhojnë për tregun e brendshëm, në uljen e vazhdueshme në vitet e fundit të sasive prodhimit, gjë që ka sjellë edhe rritjen e kostove për njësi. Kjo e fundit është pasqyruar në uljen e konkurrueshmërisë në përballjen me operatorët e huaj, që nëse vazhdon gjatë, do të jetë me pasoja të rënda, sidomos për biznesin vendas që prodhon për tregun e brendshëm.

Shkaqet e mësipërme janë pengesa të rëndësishme, që objektivisht e vështirësojnë klimën e biznesit në Shqipëri. Natyrisht që të pakta janë mundësitë e kundërveprimit të shtetit  shqiptar për të zeruar shkaqe të tilla madhore, por ndërkohë janë të gjitha mundësitë për ti zvogëluar pasojat e dëmshme të tyre. Para së gjithash, vendimmarrja politike duhet të japë shenja të qarta, që të mos thellojë më shumë keqësimin e mjedisit të biznesit, duke filluar nga mosprekja e disa prej arritjeve fiskale të kryera deri më tash në vend. Fjala është për taksën e sheshtë mbi fitimin e kompanive dhe të ardhurat për individët,  si dhe taksën e punës. Reforma e inspektorateve gjithashtu është për tu përshëndetur. Me siguri mund të thuhet se pa praninë e tyre, gjendja ekonomike  në vend mund të ishte edhe mjaft më e rëndë.  Është për tu përshëndetur miratimi me konsensus nga politika e të gjithë krahëve e ligjit për gjykatat administrative, por duhet ushtruar trysni për fillimin sa më shpejt të punës dhe rekrutimin cilësor të gjyqtarëve administrativë.

Nëse duam të përmirësojmë gjendjen ekonomike në vend, duhet tu japim sinjale të qarta investitorëve  të vendit dhe të huaj se klima e biznesit është realisht dhe jo vetëm teorikisht e mirë. Në këtë kuptim, zbatimi i ligjit në praktikë, përdorimi i buxhetit në projekte efektive, garantimi i të drejtave pronësore, siguria fizike për investitorët,  shmangia e shfaqjeve të tenderave të paracaktuar etj., duhet të jenë jo vetëm kushte të nevojshme, por të detyrueshme për tejkalimin e gjendjes së vështirë të tanishme. Kuptohet që vendimmarrja politike në sa më sipër mund të bëjë shumë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›