E Diel, 1 Nëntor 2026

Klima, projektmarrëveshje pa asnjë objektiv me shifra

Sipas një negociatori evropian, ky dokument pritet të rishikohet gjatë natës së sotme, kur grupet e punës, të mandatuara për secilën nga pikat delikate, do të japin raportet e tyre, veçanërisht për objektivat afatmesëm dhe afatgjatë të zvogëlimit të emetimit të gazeve me efekt serrë të vendeve të industrializuara.
     
Deri tani, dokumenti nuk jep hollësi të tjera lidhur me vullnetin për kufizimin e rritjes së temperaturës mesatare të planetit, në një prag të përcaktuar. Projekti i mëparshëm, i bërë publik të premten, përmendte dy objektiva të mundshëm: +1,5 gradë ose +2 gradë.
     
Formulimi i projektit të parë shkaktoi pakënaqësi tek amerikanët të cilët u shprehën se ai nuk mund të shërbejë si basë për bisedime, lidhur me çështjen themelore të zvogëlimit të emetimit të gazeve ndotës.
     
Pika kryesore e mosmarrëveshjes ka të bëjë me fjalorin e përdorur. Ajo vë si kusht që vendet e industrializuara "duhet" të marrin angazhime për zvogëlimin ndërkohë që vendet në zhvillim "mund" ta bëjnë këtë.
     
"Nëse flasim për domosdoshmërinë e kufizimit të ngrohjes me 2 gradë në krahasim me nivelet e epokës së industrializimit, në fakt nuk mund të diskutojmë për sa kohë vendet kryesore në zhvillim nuk janë gati të luajnë një rol të vërtetë", theksoi i dërguari amerikan për klimën, Todd Stern.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›