E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton i premton Berishës: Do vij për 100-vjetorin

Kryeministri Berisha dhe sekretarja e Shtetit, Klinton

Sekretarja amerikane e Shtetit konfirmon vizitën në Tiranë. Berisha: U jemi mirënjohës SHBA.

Jemi të interesuar që ta shohim Shqipërinë sa më parë në BE

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, do të vijë në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Këtë e konfirmoi vetë zyrtarja e lartë amerikane gjatë takimit në zyrën e saj me Kryeministrin Sali Berisha. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ti rishprehur sekretares Klinton dëshirën e tij, të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë shqiptarëve për të pritur znj. Klinton së shpejti në Shqipëri, si mike e madhe dhe e shquar e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar. Sekretarja Klinton iu përgjigj kësaj ftese të Kryeministrit me premtimin se do të vijë në Tiranë për të festuar së bashku 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Gjatë bisedës, sekretarja Klinton i rikonfirmoi Kryeministrit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të interesuara ta shikojnë Shqipërinë sa më parë vend anëtar të Bashkimit Europian dhe se do të vijojnë të mbështesin fuqishëm në këtë rrugëtim drejt BE-së, por edhe në të gjitha fushat e tjera të bashkëpunimit dypalësh. Kryeministri Berisha e falënderoi sekretaren Klinton për pritjen e përzemërt dhe i shprehu asaj mirënjohjen më të thelle për të personalisht, për Presidentin Obama, qeverinë e SHBA-ve dhe taksapaguesit amerikanë për mbështetjen e çmuar dhe ndihmën bujare që ata i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, në përpjekjet e saj për kapërcimin e vështirësive, ndërtimin e lirisë dhe vlerave të saj, konsolidimin e demokracisë funksionale të bazuar mbi ekonominë e tregut të lirë, thuhet më tej në njoftimin e Këshillit të Ministrave, pas takimit mes kreut të qeverisë shqiptare dhe sekretares amerikane të Shtetit. Gjatë bisedës, e cila u zhvillua në një atmosfere shumë të ngrohtë e miqësore, u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera, të ngushta e miqësore midis të dy vendeve, si dhe u diskutua gjerësisht mbi zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit frytdhënës në të gjitha fushat. Përpara takimit, sekretarja e Shtetit, Klinton, në një prononcim për mediat, u shpreh se Kryeministri Sali Berisha është partner i ngushtë i SHBA. Është një nder të mirëpres Kryeministrin e Shqipërisë, këtu në Departamentin e Shtetit. Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO, si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi një marrëdhënie të gjerë e të thellë që e vlerësojmë lart. Mezi pres të diskutoj me Kryeministrin Berisha për shumë çështje, për të cilat ne po punojmë si në aspektin dypalësh, rajonal dhe atë global, u shpreh Klinton.

Sot takimi me kreun e Kongresit
Kryeministri Sali Berisha do të takohet sot me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është njëkohësisht dhe kreu i Kongresit të SHBA, John Boehner. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë do të marrë pjesë edhe në kremtimin e 100-vjetorit të themelimit të federatës VATRA, në Nju Jork. Me këtë rast do të zhvillohet konferenca shkencore Federata Pan-shqiptare e Amerikës VATRA, 100 vjet në shërbim të kombit, ku do të mbajnë kumtesa studiues e akademikë shqiptarë. Kryeministri Berisha do ti drejtohet Konferencës me një fjalë.

Problemet me opozitën tani janë tejkaluar
Në ditën e dytë të qëndrimit në SHBA, Kryeministri Berisha u takua me senatoren Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomitetit për Çështjet Europiane. Duke folur për zhvillimet në vend, Kryeministri theksoi se opozita tashmë është prezente në Parlament dhe problemet e vitit të kaluar ishin tejkaluar. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se tashmë ekziston vullneti i forcave politike për heqjen e imunitetit për të gjithë zyrtarët në Shqipëri për akuza të lidhura me korrupsionin dhe krimin e zakonshëm. Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, senatorja Shaheen vlerësoi reformat dhe progresin e bërë nga Shqipëria gjatë kësaj periudhe dhe rolin e saj për paqen prosperitetin e sigurinë në rajon, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.

Daniel Fried: Shqipëria, kontribut për Guantanamon
Ish-ndihmëssekretari i Shtetit i SHBA, Daniel Fried, vlerësoi dje kontributin e dhënë nga Shqipëria në rastin e mbylljes së Burgut të Guantanamos. Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, ambasadori Fried tha se dy vendet tona kanë arritur bashkëpunime dhe suksese të mëdha së bashku. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një nga këto arritje të mëdha. Nga ana e tij, kreu i qeverisë tha se shqiptarët u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeverisë amerikane dhe popullit amerikan për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve në të gjitha fushat..

Holokausti: Berisha merr Çmimin e Mirënjohjes
Komisioni për Ruajtjen e Trashëgimisë Amerikane Jashtë i akordoi Kryeministrit Berisha medaljen e Mirënjohjes The Cultural Pluralism Aëard, me motivacionin: Akorduar Shkëlqesisë së tij, z. Sali Berisha, për kontributet e jashtëzakonshme në çuarjen përpara të kauzës për përkujtimin e Holokaustit, duke vendosur të vërtetën historike dhe promovuar ruajtjen e trashëgimisë kulturore të shtetasve amerikanë në Shqipëri. Gjatë ceremonisë, Kryeministri Sali Berisha u takua me ambasadorin  Philip Reeker, zv.ndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore në zyrën për Europën dhe Euro-Azisë në Departamentin e Shtetit dhe me ndihmëssekretarin e Shtetit për Sigurinë Ndërkombëtare, Thomas Countryman.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›