E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI në homazhet e Milloshit, mungojnë ish-byroistët dhe PS

Jepet lamtumira për kreun e PKSH në dy dekada.

Monika Kryemadhi e Luan Rama vendosin kurora me lule dhe vlerësuan Milloshin.

Mbipopullim dhe radhë të gjata në ceremoninë e lamtumirës për Hysni Milloshin, kryetarin e Partisë Komuniste në dy dekadat e fundit.
Ai ndërroi jetë mëngjesin e hershëm të së mërkurës, ndërsa dje iu bënë homazhet, në një nga sallat e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Nga ora 11:00-12:00, qindra qytetarë nga Tirana, por sidomos të ardhur nga rrethet, u përulën dhe vunë lule pranë arkivolit. Ata ngritën grushtin lart, duke e nderuar të ndjerin me gjestin tipik komunist, si dhe i thirrën për herë të fundit shoku Hysni. Veprime që u bënë fillimisht nga ata më të moshuarit dhe më pas u ndoq nga një brez krejtësisht i ri, por që u shfaqën në ceremoninë e rastit si komunistë të vjetër.
Mungojnë ish-byroistët
Si për çudi, të rinjtë ishin në një numër të madh pranë arkivolit të Milloshit, ndryshe nga homazhet e disa muajve më parë, që u bënë për ish-liderin e fundit komunist, Ramiz Alia, ku ata thuajse mungonin. Edhe në total, numri i përgjithshëm i ngushëlluesve ishte më i madh në nderimet për Milloshin, por ndryshonte përbërja e shtresës shoqërore. Nëse për Alinë pati kryesisht vizita nga ish-funksionarë të aparatit shtetëror diktatorial, dje kjo kastë mungonte në lamtumirën për Milloshin. Për kryetarin komunist të dy dekadave të fundit kishte shumë popull, personazhe të panjohur të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, por edhe nga vende të tjera, ku banojnë sot shqiptarët, sidomos nga Kosova. Ndaj, në mes tyre nuk kishte se si të mos binte në sy ish-byroisti Kiço Mustaqi. Ish-ministri i Mbrojtjes, që ka pasur dikur në varësi Hysni Milloshin, ishte i vetmi nga ish-funksionarët e lartë të sistemit komunist që mori pjesë në homazhe.
Nderon LSI
Në fund të homazheve, fiks në orën 12:00, në sallën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë u shfaqën përfaqësuesit e vetëm të politikës aktuale. Monika Kryemadhi dhe Luan Rama, dy nga eksponentët kryesorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, prekën në shenjë nderimi arkivolin e mbuluar me lule dhe thanë diçka nën zë. Ata u dhanë dorën familjarëve të Milloshit dhe në dalje, Kryemadhi tregoi për gazetën Panorama arsyen e pjesëmarrjes në homazhe: Hysni Milloshi ishte një njeri me vlera dhe kontribute për shoqërinë shqiptare, nuk mund ti shikojmë akoma zhvillimet bardhë e zi. Ai mbetet një njeri i respektuar nga të gjithë. Megjithatë, duket se nuk e kanë parë në të tillë këndvështrim politikanët e tjerë. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste, që para 21 vitesh kanë qenë në të njëjtën forcë politike, kanë munguar në ngushëllime. Ashtu si edhe të gjitha partitë e tjera.
Fjala e fundit
Në mesditë, me karafila të bardhë dhe kurora profesionale me lule, arkivoli me trupin e pajetë të Milloshit u nis drejt varrezave të Tufinës. Familjarët e kishin parë të arsyeshme që fjalimin përcjellës ta mbante sekretari i Përgjithshëm i PKSH-së, Muharrem Xhafa. Njerëzit e thjeshtë të popullit dhe komunistët e ndershëm e panë Hysni Milloshin në ditët e errëta të tradhtisë e të përmbytjes të socializmit. E panë që me kundërrevolucion i ra rreth e qark Shqipërisë me flamurin e Enver Hoxhës në krah. Ai shkëlqeu në krye të lëvizjes Vullnetarët e Enverit, duke mbrojtur veprën e tij të pavdekshme, kur trimat e sotëm dridheshin bodrumeve të Tiranës. Dhe më pas, bashkë me shokët e tij riorganizoi PKSH-në. Që prej 20 vitesh në krye të Komitetit Qendror, i priu PKSH-së si një udhëheqës i vërtetë politik dhe si besnik i Enver Hoxhës. Njerëzit e shquar mbeten në memorien e kombit të tij për veprat e mëdha që bëjnë histori. Pikërisht, Hysni Milloshi ka meritën të mbetet i tillë në historinë e popullit shqiptar dhe PKSH-së, tha ndër të tjera Xhafa, duke ftuar të pranishmit të hidhnin grushtin e fundit të dheut mbi varrin e Milloshit. Me vdekjen e tij, pas 20 vitesh, komunistët kanë sërish bosh vendin e kryetarit të PKSH-së.

Sëmundja
Kryetari i Partisë Komuniste, Hysni Milloshi, ndërroi jetë të mërkurën, në moshën 66-vjeçare. Zemra e tij u ndal në orën 06:30 minuta, në spitalin e mushkërive, në Sauk të Tiranës, ku ishte shtruar prej disa ditësh. Burime nga bluzat e bardha të Sanatoriumit bënë të ditur se shkak i vdekjes ka qenë fibroza polmonare, që siç duket ka qenë një sëmundje e hershme e tij.

Dritëro Agolli
Shkrimtari i famshëm, Dritëro Agolli, ka zgjedhur telegramin për të ngushëlluar familjen Milloshi. Agolli ka shkruar se ndien keqardhje për vdekjen e Milloshit. Ndërkaq, ai është ndalur më së shumti te kontributi i Milloshit në letërsi dhe përgjithësisht në art, ku ka vlerësuar më shumë krijimtarinë poetike. Edhe Agolli nuk ka komentuar mbi qëndrimet politike të Milloshit.

Nga bota
Partitë në Shqipëri nuk kanë ngushëlluar familjen Milloshi, por disa prej forcave politike botërore kanë dërguar telegrame zyrtare. Disa prej tyre janë nga: Partia Komuniste e Greqisë, Partia Komuniste Revolucionare e Turqisë, Partia e Punës e Turqisë, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Spanjës, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Ekuadorit, Formacioni Komunist i Francës, si dhe shumë të tjera.

Kiço Mustaqi: Unë, i vetmi ish-byroist në homazhet e Milloshit
Ish-ministri i Mbrojtjes kritikon mungesën e familjarëve të Hoxhës

Kiço Mustaqi

Ishte i vetmi ish-byroist në homazhet për Hysni Milloshin, por nuk pranon se pjesëmarrja e tij ka të bëjë me detyrat e dikurshme. Në një intervistë të shkurtër për gazetën Panorama, ish-ministri i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, rrëfen miqësinë e vjetër me Milloshin…
Jeni i vetmi nga ish-liderët e lartë komunistë, që merrni pjesë në ceremoninë mortore të Milloshit. Ku janë të tjerët?
Prania ime këtu ka të bëjë me respektin për Hysni Milloshin, si ushtarak e atdhetar me integritet, si krijues e intelektual me vlera të spikatura njerëzore. Pra, nuk kam ardhur me cilësinë e ish-ministrit të Hysniut, por të mikut dhe të shokut. Sa për të tjerët, nuk e di se ku janë…
Kur jeni njohur me Milloshin?
Me Milloshin jam njohur që në fillimin e viteve 70, kur shërbenim bashkë në Delvinë.
As familjarët e Enver Hoxhës nuk u dukën në ceremoni. Ka ndodhur diçka në marrëdhëniet e tyre me Milloshin?
Është zgjedhja e tyre, nuk di si ta shpjegoj drojën e familjarëve të Enverit për ti bërë nderimet njeriut që e mbrojti deri në çastet e fundit figurën e tij. Madje, libri i fundit që Hysniu botoi këto ditë, ishte monografia për Enver Hoxhën, ku përshkruhet roli i tij si komandant dhe komisar i Luftës Nacionalçlirimtare.
Si e keni vlerësuar zgjedhjen e Hysniut në krye të PKSH-së?
Hysniu është futur në radhët e PKSH-së, kur të gjithë e braktisën dhe rendën te partitë e djathta për një punë, për interes. Kaq besoj mjafton për të vlerësuar guximin dhe ndershmërinë e tij.

AFRIM IMAJ/ ELISABETA ILNICA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›