E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton ne Islamabad. SHBA nis kontaktet me talebanet

Shtetet e Bashkuara kanë kontaktuar talibanët dhe rrjetin Hakani për të testuar sinqeritetin dhe vullnetin e tyre për tu angazhuar në një proces paqeje në Afganistan. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton konfirmoi takimin me rrjetin e militantëve të cilët mbahen përgjegjës edhe për disa sulme kundër interesave amerikane në Pakistan.

Gjatë turit të saj në rajon, që nisi me vizitën surprizë në Afganistan e më tej në Pakistan, Klinton ka vënë theksin në faktin se pavarësisht tensioneve, qëllimi i përbashkët është lufta kundër militantëve islamikë dhe bashkëpunimi sa i përket pjesës kufitare mes Pakistanit dhe Afganistanin.

"Unë mund të them se jam e vetëdijshme që ka tension nga të dyja palët. Por, personalisht, besoj se marrëdhëniet tona janë thelbësore, të rëndësishme për të dyja shtetet dhe ndaj nuk mund të heqim dorë. Do të duhet të jetë një strategji “merr dhe jep””- deklaroi Klinton.

Klinton gjatë një konference me gazetarët pakistanezë tha se është arritur një takim i parë më rrjetin Hakani, i cili akuzohet edhe për komplotin e vrasjes së ambasadorit saudit në Washington. Ajo nuk dha detaje se cilët ishin personat e përfshirë në takim apo kur u takuan.

Në bisedimet e nivelit të lartë në Islamabad, shefja e diplomacisë amerikane kërkoi që Pakistani të veprojë vendosmërisht ndaj rrjetit të militantëve. Deri më tani, Pakistani ka refuzuar të angazhohet, duke mohuar lidhjet me rrjetin. Marrëdheniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit, përvec se të rëndësishme në luftën ndaj terrorizmit, komplikohen nga situata në kufirin e tij me Afganistanit, tejet jashtë kontrollit.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›