E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi EKOFIN ministrat e BE diskutojne per krizen

Ministrat e Financave të eurozonës diskutojnë në Bruksel krizën e borxheve,  në vigjilje të samitit të shumëpritur të së dielës, ku pritet të arrihet një qëndrim i përbashkët për daljen përfundimtare nga kjo krizë. Tre pikat kryesore të axhendës janë shtimi i fondit të shpëtimit, situata ekonomike në Greqi dhe finalizimi i planit të rikapitalizimit të bankave europiane.  

Kreu i eurogrupit, Zhan Klod Junker pohoi se vonesat në miratimin e planit të premtuar Merkel-Sarkozi nuk vijnë vetëm për shkak të mosmarrëveshjeve mes këtyre dy liderëve të BE-së, por edhe pasi janë 17 parlamente që duhet të kenë një plan bindës për ta miratuar.

E ndërsa Europa rrezikon të hyjë sërish në recesion, liderët e BE-së janë duket diskutuar ende krizën që nisi nga Greqia dy vjet të shkuara, e që tashmë kërcënon, Spanjën, Italinë dhe vetë Francën.

"Situata është serioze. Kemi mbi vete një përgjegjësi shumë të madhe. Kemi përgjegjësi ndaj Europës, eurozonës, vendeve tona, por edhe ekonomisë globale. Përpara kemi një afat të përcaktuar, samitin e XX më 3 dhe 4 nëntor. Duhet të gjejmë patjetër një zgjidhje deri në këtë kohë”- deklaroi Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaueble.

Takimi do të përpiqet të arrijë një marrëveshje edhe për paketën e re të ndihmës për Greqinë. Paketa e dytë që fillimisht ishte 109 miliardë euro, pritet të jetë edhe më e madhe, por nuk dihet sesa. FMN kërkon për këtë paketë përfshirje më të madhe të sektorit privat dhe reduktimin me 50 për qind të borxheve greke.

Azhornuar së fundi ( e premte , 21 tetor 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›