Klos/ Zjarri masiv në Plan të Bardhë rrezikon banesat, kërkohet ndërhyrje nga ajri

Një vatër zjarri e përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme fshatin Plan i Bardhë në Bashkinë e Klosit, duke krijuar një situatë mjaft kritike për banorët e zonës. Flakët, të cilat janë përhapur me shpejtësi të madhe, kanë djegur tashmë dy banesa të pabanueshme, ndërsa po rrezikojnë drejtpërdrejt të paktën dy shtëpi të tjera të banuara.
Në sajë të ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse të Bashkisë Klos, është bërë e mundur evakuimi dhe shpëtimi i një banori me aftësi të kufizuara, i cili rrezikonte të mbetej i bllokuar nga përparimi i flakëve.
Pengesat në terren dhe kërkesa për ndërhyrje nga ajri
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, punonjës të emergjencave civile si dhe efektivë të Ushtrisë Shqiptare, të cilët po përballen me një betejë mjaft të vështirë.
Përpjekjet për izolimin e vatrës po pengohen seriozisht nga erërat e forta dhe temperaturat e larta extreme që po mbizotërojnë në zonë.
Për shkak të terrenit të thyer dhe përhapjes me intensitet të lartë të zjarrit, mjetet tokësore e kanë pasur të pamundur vënien e plotë të situatës nën kontroll, ndaj autoritetet vendore kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga ajri.
/rtsh.al/