Klose: Spanja nuk është e pathyeshme
Në krahasim me finalen e Europianit dy vite më parë, kur Gjermania e tij u mund 1-0 në finale nga Spanja, sipas Miroslav Kloses ndryshimi në terminin e kualiteteve mes dy ekipeve nuk është më kaq evident. “Spanja është ende skuadra më e mirë europiane nga kjo pikëpamje, por ne kemi bërë shumë hapa para”, tha Klose. Gjermania e Spanja do përballen të mërkurën në Durban në gjysmëfinale. “Do të jetë një ndeshje e ndryshme nga ajo e dy viteve më parë, shprehet sulmuesi i Bajernit. Disa vite më parë njerëzit ankoheshin, sepse futbolli ynë nuk përfshinte të rinj cilësorë, mbi të gjitha sulmues ose mesfushorë cilësorë, por tani demonstrojmë se gaboheshin”. Nga skuadra kampione e Europës U-21, në fakt, Lëv ka peshkuar elementë që po udhëheqin skuadrën në Botëror, si mesfushorët sulmues ëzil e Myler dhe shkatërruesin Khedira. Klose e Myler kanë shënuar katër gola për kokë në këtë botëror dhe ndjekin Vijan me pesë gola. Gjermania likuidoi Anglinë (4-1) dhe Argjentinën (4-0). “Spanja është më e fortë se dy skuadrat që eliminuam, pohon Klose. Ata luajnë një futboll të mrekullueshëm”. Edhe pse të shtunën “Furie Rosse” rrezikuan shumë ndaj Paraguait. “Një ndeshje që na tregon se nuk janë të pathyeshëm, shton ai. Vija është një lojtar fantastik, i kompletuar, gati si Leo Mesi. Por siç i ndodhi Argjentinës, një lojtar i tillë ndalet vetëm duke luajtur si skuadër”. Dopjeta e shënuar ndaj Argjentinës e bën Klosen të arrijë në kuotën e 14 golave në klasifikimin e shënuesve të të gjitha kohërave përkrah bashkëkombësit Gerd Myler, -1 nga kryesuesi absolut, braziliani Ronaldo. “Shpresoj që ai të mos shqetësohet shumë”, bën shaka Klose.
#