Mesi, si Kaka dhe Ronaldo, nuk është Botërori i numrave Një
Edhe Maradona duhet të shkojë në shtëpi. Ka fikur cigaren “kastriste” dhe ka rifutur në xhep hajmalinë e tij. Edhe Lionel Mesi e ka mbyllur valixhen dhe ka marrë fluturimin në drejtim të Buenos Airesit, pa marrë me vete asnjë top si kujtim. Pas Runit dhe Kapelos. Pas Henrit dhe Domenkut. Pas Lipit dhe Kanavaros. Pas Dungës dhe Kakasë. Pas Kristiano Ronaldos dhe Kueirozit, salla VIP e aeroportit të Johanesburgut është boshatisur tashmë.
Ky nuk është botërori për “special one”, ky është turneu që u pret kokën fisnikëve, apo të ashtuquajturve të tillë. Nuk është revolucioni, janë karnavalet, nuk është një “fiction”, është realiteti. Në futboll nevojiten figura, jo ata që shkojnë si të tilla para se të hyjnë në fushë. Në futboll vlejnë shifrat të cilat mbeten përgjithmonë. Ndërkohë që disa lojtarë të mëdhenj kanë tradhtuar tifozët e tyre dhe ata që e dashurojnë futbollin, kanë premtuar shumë dhe nuk kanë mbajtur asnjë. “Luna park” është mbyllur gjatë kësaj kohe, sepse luhet botërori dhe këtu luhet seriozisht.
Gjermania ia ka hequr maskën Argjentinës, ashtu siç kishte bërë disa ditë më parë me Anglinë e madhe të Kapelos. Katër gola të rëndë që kaluan nëpër mjekrën gri të Maradonës, pas katër “lakrave turshi” mes “shalëve” të Kapelos. Janë ata, “Deutschland uber alles” (“Gjermania mbi gjithçka”), janë gjithmonë ata, por këtë herë më të fortë dhe më korrektë.
Rënia e “zotave”??? Jo, thjesht rikthimi në realitet, te futbolli spontan, i organizuar, helmues, por jo i helmuar, i praktikuar nga futbollistë dhe jo nga robotë apo njerëz të komanduar me pult. Holanda dhe Gjermania kanë forca të freskëta dhe të rinj, me shumë kualitet dhe teknikë. Pilotët e tyre quhen Marvijk dhe Lëv, nuk kanë famë dhe llogari bankare të tilla si të atyre fisnikëve të rënë dhe që tashmë kanë mbërritur në shtëpi. Nuk merren me futboll për të qenë në qendër të vëmendjes. Para tyre ishin në të njëjtat pankina Van Basten e Klinsman, por a u mjaftonte kurrikulumi? Jo, nuk ia dolën dot, u kthyen në shtëpi në mes të turneut njëlloj si të tjerët, duke marrë me vete një thes me para dhe disa fotografi si kujtim.
Holanda dhe Gjermania praktikojnë futboll esencial, duke u mbështetur edhe të kundërsulmet, që disa skuadra i kanë fshirë fare nga strategjitë e tyre. Por kanë bërë një blasfemi, duke u ndëshkuar kështu nga manovrat e reja të futbollit total, agresiv, me shumë intensitet, me shumë forca. Të gjitha këto janë gjëra që mbushin gojët boshe të stadiumeve. Holandezët e kanë braktisur lojën e qarkullimeve të kota, gjermanët nuk janë më divizioni i tankeve kokëfortë dhe të trashë të futbollit ndërkombëtar. Në fund kjo i çon dy kombëtaret në gjysmëfinale, pasi kanë eliminuar finalistet e sigurta, të paktën sipas parashikimeve.
Nuk është botërori për “special one” në pankina, nuk është për ata që shkojnë në fushë dhe luajnë futboll. Le të bëjnë një hap përpara ata, që do të kishin vënë bast një euro për kalamanin Tomas Myler, i cili deri në shkurt të vitit 2009 nuk kishte as edhe një fletë kontrate si profesionist! Le të vihet në rresht, ai që do të kishte besuar tek ëzil dhe Khedira! Kush e kishte imagjinuar në gol me kokë, të parin në karrierën e tij, të Shnajderit?
Futbolli është penalltia e humbur nga Gana, në minutat e fundit, në shpresën e fundit, futbolli është e qara e një koreanoveriori ndërsa dëgjon himnin e kombëtares së tij, futbolli nuk është shkencë ekzakte e studiuar në universitete, futbolli nuk është kamasutra me njëqind pozicione për t’u respektuar rigorozisht për të arritur te kënaqësia e garantuar. Madje, një trajner argjentinas thoshte (përshtatet me kohët e sotme): Unë i organizoj shumë mirë lojtarët në fushë, por më pas më ikin. Ja problemi. Holandezët dhe gjermanët kanë hedhur në qarkullim muskujt dhe trurin, pa humbur nga pamja pozicionin fillestar, kualitetin teknik, organizimin. Pjesa tjetër e teoricienëve ka menduar gjatë, në vend që të dilnin në pension, janë parë në pasqyrë, duke i kërkuar vetes se cila do të ishte mënyra më e mirë për të luajtur. Pa dyshim kështu ka ndodhur nga Roma në Rio, nga Londra në Paris, nga Lisbona në Buenos Aires.
Murinjo do të thoshte: Runi? Zeru gol, Mesi? Zeru gol, Anelka? Zeru gol. Kakà? Zeru gol. Kristiano Ronaldo? Zeru presje pesë gola. E atëherë? Pse t’i paguajmë si sheikë? Pse t’i celebrojmë si heronj? Nëse një yll, disa të tillë, nuk ndriçon, atëherë çfarë ylli është?. Në Afrikën e Jugut munguan golat e ëndërruesve dhe romantikëve. Pas disa javësh të humburit e sotëm do të rikthehen në heronj e fenomene. Tani vjen më e bukura. E shëmtuara është tashmë në shtëpi ose me pushime.
#