E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: Maskarada e hapjes së kutive po kalon çdo limit

Farsa që po zhvillohet në KQZ, nën drejtimin e Sali Berishës, ka kaluar çdo kufi. Në këtë konstatim doli dje para medias deputeti socialist, Blendi Klosi, sipas të cilit vjedhja e manipulimi që nisën me hapjen e jashtëligjshme të 117 kutive nga Ristani e Saliu, tanimë është shtrirë në të gjitha kutitë e votimit të kryeqytetit. Deputeti Klosi u shpreh se çdo kuti e hapur deri më sot nga Ristani, dhe e njohur si e vlefshme me votat e përfaqësuesve të Saliut në KQZ, ka pasur probleme që kanë treguar qartë se integriteti i kutive të votimit është cenuar. Kodet që mungojnë, shtoi ai, fletët e votimit për Lulzim Bashën që kanë mbirë si me magji nëpër kuti, jashtë zarfeve, kodet e numrat e votave që nuk përputhen me procesverbalet, kutitë e thyera e të shqyera, tregojnë më së miri se çfarë përmasash ka arritur manipulimi i vullnetit të qytetarëve të Tiranës. “Qytetarët shqiptarë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë patën rastin të shihnin drejtpërdrejtë në media provën e manipulimit. Me lehtësinë më të madhe një vëzhgues i Partisë Socialiste arriti të bënte atë që sipas ligjit duhet të ishte e pamundur: të nxirrte zarfin e votave nga kutia, duke dëshmuar kështu qartë manipulimin e kutisë së votimit”, argumentoi Klosi. E megjithatë, vijoi ai, kjo kuti u deklarua e vlefshme nga kryetari i Komisionit Qendror të Vjedhjeve. “Ky është integriteti i kutive të votimit, për të cilat na flet përditë Saliu e Ristani. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe me disa kuti, të cilat ruhen nga njerëzit e Saliut në Lundër, për t’u hapur më pas nga Ristani në KQZ”, theksoi Klosi. Duke pranuar se gjithsesi nuk çuditet nga ato çka po ndodhin në KQZ, deputeti socialist u shpreh se vendimi i Kolegjit Zgjedhor për rinumërimin e plotë të votave nga Arben Ristani dhe përfaqësuesit e tjerë të Saliut në KQZ, nuk bëri gjë tjetër, por vetëm sa e shtriu paligjshmërinë e veprimeve të KQZ në të gjithë kutitë e kryeqytetit. “Vendimi i kolegjit i dha hajdutit mundësinë ta çojë deri në fund vjedhjen e tij. As më shumë as më pak. Procesi tanimë ka humbur legjitimitetin dhe është kriminalizuar fund e krye. Prandaj Saliu e ka të kotë dhe duhet ta dijë se ne nuk do të lejojmë tjetërsimin e fitores së Bashkisë së Tiranës, si pasojë e kësaj palo maskarade”, nënvizoi Klosi. Partia Socialiste e ka deklaruar tanimë se po bën një hetim të imtësishëm për atë çka po ndodh në KQZ dhe do të paraqesë provat për shkeljet dhe mospërputhjet numerike në të gjitha kutitë që i janë nënshtruar hapjes në këtë komision e që kanë prodhuar një rezultat të caktuar zgjedhor. Do të jenë këto prova që do të paraqiten edhe në formulimin e opozitës si ankimim ndaj tabelës që do të miratojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për procesin e zgjedhjeve në Tiranë. Aktiv në denoncimet e tyre kanë qenë edhe përfaqësuesit e socialistëve në institucionin e menaxhimit të zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›