Xhafaj: Pas numërimit në KQZ, beteja ligjore vazhdon
Përfundimi i procesit të numërimit të votave të hedhura gabim nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të pasohet me nismën e Partisë Socialiste për të kontestuar procesin. Këtë e ka konfirmuar sekretari për çështjet ligjore në këtë parti, deputeti Fatmir Xhafaj. Në një intervistë për “News 24”, Xhafaj insistoi se opozita nuk mund të pranojë këtë proces që po zhvillohet në KQZ, pasi përbën certifikimin e manipulimeve, që filloi pas datës 14 maj dhe vazhdoi më tej me prodhimin e një rezultati të deformuar me hapjen e 117 kutive. Sipas tij, pretendimet e socialistëve i konfirmoi edhe Kolegji Zgjedhor me vendimin më të fundit. “Keqadministrimi i procesit është bërë pas datës 18 në funksion të nevojës, të qëllimit për të ndryshuar rezultatin, për ta deformuar rezultatin në favor të Partisë Demokratike. Nuk ka rezultat sot që flasim, e ka rrëzuar Kolegji. Kolegji ka urdhëruar KQZ-në dhe i ka thënë bëj dhe këto veprime dhe bëj tabelë të re në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor, pra kjo do të thotë që procesi është në pikën e tij fillestare. KQZ do jetë i detyruar, sipas këtij urdhërimi të Kolegjit, që të miratojë një tabelë të re për njësinë 5 dhe natyrisht për rezultatin e Tiranës. Në mënyrën se si është duke u administruar ky komision Qendror i Zgjedhjeve, kjo është e papranueshme. Ajo që ka interes është fakti që palëve iu lind e drejta për ta kundërshtuar këtë tabelë. Ne nuk mund ta pranojmë se ky proces ka në themel manipulimin e 117 kutive”, deklaroi Xhafaj. Një nga argumentet kryesore të socialistëve deri më tani ka qenë cenimi i integritetit të kutive dhe mosrakordimi i numrit të votave të gjetura në kuti me ato të numrit të votuesve. Në intervistën e tij, Xhafaj ka reaguar edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja. Xhafaj vlerësoi se, Beqja është ndër figurat e reja por më me integritet në PS, ndërsa vendimi i KQZ ishte i politizuar por edhe me dy standarde. “Duke qenë se një kërkesë e Partisë Demokratike pranohet dhe ajo e socialistëve refuzohet”, tha Xhafaj. Zyrtari i lartë socialist këmbënguli gjithashtu se kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka influencuar në këtë vendimmarrje, ndërsa Gjykata Kushtetuese bazuar mbi vendimet e fundit po humbet vlerat e saj në mbrojtje të Kushtetutës.