Pa numëruar vetëm njësia e fundit, Basha kryeson me 76 vota
Dita e sotme pritet të përmbyllë procesin e hapjes së kutive dhe rivlerësimit të votave të hedhura gabim në zgjedhjet e 8 Majit në Bashkinë e Tiranës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kreu dje procedurën e hapjes së kutive në tri njësi bashkiake, që përkojnë me KZAZ-të numër 52, 53 dhe 54. Në përfundim rezulton se kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, ka një avantazh prej 76 votash në raport me kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama. Ditën e sotme pritet të numërohen votat e hedhura gabim në kutitë e njësisë bashkiake numër 11, që njihet ndryshe si zona e Laprakës. Në përfundim të këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të hartojë tabelën përmbledhëse të të gjitha KZAZ-ve e të shpallë edhe njëherë rezultatin e zgjedhjeve të 8 Majit në këtë njësi vendore. Në orët e mesditës së djeshme u mbyll numërimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar në njësinë numër 8. Grupet e numërimit gjetën 7 vota të hedhura gabim për Lulzim Bashën dhe 6 vota për Edi Ramën. Gjetja e katër kutive të dëmtuara ka sjellë rikthimin e debateve në sallë mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Anëtarët e opozitës kanë hedhur dyshime të forta për integritetin e tyre, dëshmi e të cilëve, sipas saj, nis që nga mospërputhja e kodeve e deri te mosrakordimi i fletëve. Sipas administratës së KQZ-së, thyerja ka ndodhur në ambientet e KQZ, dhe administrata nuk e kishte konstatuar. Përfaqësuesit e PS-së deklaruan se këto katër kuti nuk duhej të merren në konsideratë në numërim, sepse ato kuti kanë ardhur të thyera në KQZ dhe Kolegji Zgjedhor urdhëron që të numërohen fletët në kutitë e pa thyera. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Kosovrasti, tha se thyerja mund të ketë ndodhur për shkaqe të transportit. Ai kërkoi të bëhet hetim dhe nëse fletët në kuti përputhen me atë që është në tabelat e rezultateve atëherë të numërohet. “Ne nuk jemi për të parë sesi kutitë hapen apo mbyllen, por për të parë procesin si e ka urdhëruar Kolegji. Çdo kontestim që bën një vëzhgues është i rregullt dhe nuk ka askush pse të ketë probleme me këtë çështje. Nëse ka gjashtë kode duhet thënë se duhen pesë kode”, u shpreh përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, sipas të cilit do të verifikohet çdo gjë që nga kodet, procesverbalet dhe votat e hedhura brenda në kuti. Niazi Kosovrasti reagoi duke thënë se ky “është konstatim që e kanë bërë vetë me numëruesit e tyre”. “Njëri na falënderon e tjetri na kritikon. Kjo do të thotë se thjesht ju jeni duke bërë detyrën dhe falënderimi shkon për atë që ju ka vënë juve në lëvizje”, u shpreh Ristani, duke replikuar me përfaqësuesit e partive politike në KQZ. Në orën 21:00 u mbyll procesi i hapjes së kutive dhe gjetjes së votave të hedhura gabim edhe për njësinë numër 9 në kryeqytet. Nga numërimi rezultoi se kandidati demokrat Lulzim Basha mori 27 vota, ndërsa ai socialist Edi Rama 26. Brenda të njëjtës ditë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numëroi edhe votat e hedhura gabim në KZAZ-në numër 54, që njihet ndryshe si minibashkia nr.10 në Tiranë. Kandidati i PD-së Lulzim Basha mori 11 vota, ndërsa socialisti Rama 8 të tilla.