Klosi: Meta në qeveri, për interesa materiale
Themeluesi i LSI-së, Fatos Klosi, deklaron largimin nga partia nëse LSI-ja bën marrëveshje me PD-në për bashkëqeverisje
"Marrëveshja me Berishën ishte arritur para zgjedhjeve"
Anëtari i kryesisë së LSI-së vlerëson se, kjo forcë, me bashkëpunimin me Berishën nuk është më parti e majtë
Vendimi i kreut të LSI-së, Ilir Meta, për të bashkëpunuar me Berishën, ka nisur të japë efektet e veta të para negative për fatin e kësaj force. Figura kryesore të LSI-së, si zëvendëskryetarë, nënkryetarë, themelues dhe anëtarë kryesie, duke mos u pajtuar me këtë vendim të kryetarit të tyre, janë drejt largimit përfundimtar nga kjo forcë. Njëri prej tyre është edhe anëtari i kryesisë së saj, Fatos Klosi, i cili duke denoncuar këtë marrëveshje si të ulët dhe të paramenduar që para zgjedhjeve, shprehet se nuk mund të jetë më pjesë e LSI-së, për sa kohë ajo ka humbur identitetin si një forcë e majtë. Ai sulmon ashpër kreun e kësaj force, Ilir Meta, të cilin e akuzon se gënjeu jo vetëm elektoratin që e votoi, por edhe atë vet që e kanë ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve.
Z. Klosi, ju dhe disa figura qendrore të LSI-së, para disa ditësh keni dalë me një deklaratë të përbashkët, ku deklaroheni hapur kundër bashkëqeverisjes me PD-në, duke i bërë thirrje kreut të kësaj force, Ilir Meta, që të ndalë arritjen e një marrëveshjeje të tillë. Pse e ndërmorët këtë hap, kur dihet që ju më parë jeni shprehur kundër saj, por mendimi juaj nuk u mor parasysh në konventë?
Ne s'kemi qenë dakord që kur u shpall marrëveshja me Berishën, dhe unë dhe Pëllumb Xhufi këtë e deklaruam që në konventë. Ndërkohë që tre të tjerët, pra Sabit Brokaj, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçi, në shenjë proteste nuk morën pjesë në konventë, meqenëse nuk ishin dakord me atë që po ndodhte, aq më shumë që konventa ishte mbushur me plot fytyra të reja, që as unë nuk i njihja. Në këtë kuadër, deklarata që ne bëmë para disa ditëve ishte për t'u shprehur edhe këta tre shokë që nuk ishin në konventë, si dhe për t'i thënë edhe partisë edhe opinionit publik se njerëz të rëndësishëm të LSI-së nuk janë dakord me linjën që ka zgjedhur Ilir Meta dhe ca pasues të tij për të bashkëpunuar me Berishën. E konsiderojmë të gabuar nga të gjitha pikëpamjet dhe këtë e kemi deklaruar që në fillim, qoftë për ngutjen me të cilën u bë, apo edhe qoftë për zgjidhjen që u dha dhe për shumë faktorë të tjerë. Sigurisht kjo do të sjellë shkatërrimin e LSI-së.
U bënë gati dy muaj që është shpallur një marrëveshje e tillë. Gjatë kësaj kohe, keni mundur të gjeni arsyet e vërteta pse LSI-ja vendosi të bashkëqeverisë me Berishën?
Për sa kohë ne e quajmë të gabuar, nuk gjejmë edhe arsye. Nuk janë arsye të vërteta ato që thuhen, pra janë arsye tej logjikës sonë dhe nuk janë arsye që justifikojnë të ardhmen e partisë, politikën e saj. Pra, janë kundër linjës, për të cilën është krijuar LSI-ja. Prandaj, për mua personalisht, janë interesa të ulëta personale të Ilirit dhe të disa pasuesve të tij që pretendojnë se nga pushteti mund të përfitojnë.
Të përfitojnë në ç'aspekt?
Në të gjitha aspektet, por më kryesori është ai material.
Prisnit seriozisht një reagim pozitiv nga ana e LSI-së, pasi vetëm pak minuta pas deklaratës suaj, erdhi një reagim jo vetëm refuzues, por edhe akuzues ndaj jush, pesë themeluesve të partisë, se po bënit lojën e PS-së?
Ata na akuzojnë dhe të gjitha ato akuza janë vërtetë absurde. Ne dolëm edhe për të treguar se përveç meje dhe Pëllumbit, që e kishim deklaruar qëndrimin tonë, ishin edhe të tjerë figura të rëndësishme të kësaj partie që ishin kundër një marrëveshjeje të tillë. Kjo është kryesorja. E dyta është se mendojmë që po, ka njerëz që gjatë kësaj kohe kanë menduar dhe kanë ardhur në përfundim të njëjtë me ne dhe ne me këtë duam t'i mbështesim ata, pra t'u japim zemër për të deklaruar qëndrimin e tyre se kjo që po bën LSI-ja është vërtetë e gabuar. Prandaj, ajo deklaratë që bëri LSI-ja nëpërmjet Dritan Yllit dhe Dritan Prifti më pas, se qenkan interesat tona personale ato që na kanë detyruar të dalim në këtë qëndrim, është absurde dhe s'ka kuptim që unë ta shpjegoj. Pra, të ikësh nga partia, e cila po hyn në pushtet, nuk tregon për interesa personale, pasi ne po largohemi nga ajo parti që po pretendon të marrë diçka.
Prandaj më duket e pavend, por si duket kanë qenë keq me argumente dhe ndaj u ngutën dhe bënë atë deklaratë. Gjithashtu, edhe argumenti tjetër që gjoja kjo deklaratë e jona bëhet në interes të PS-së më duket përsëri i pavend. Kjo pasi nuk shoh ku është interesi i PS-së në këtë mes. Përfaqësuesi i LSI-së deklaroi se edhe njoftimi për vendin dhe orën e mbajtjes së kësaj deklarate ishte bërë nga zyra e PS-së. Kjo është një gënjeshtër e madhe, pasi të gjithë gazetarët e dinë se nga është bërë lajmërimi dhe nga kush. Prandaj them se kanë mbetur aq keq me argumente, sa sajojnë dhe gënjeshtra të tilla. Unë nuk e kuptoj pse ky akt i joni që është një problem brenda LSI-së, ndihmon dhe tërheq vëmendjen nga kongresi i PS-së.
Unë mendoj se kongresi i PS-së është një ngjarje shumë e rëndësishme, e një partie që është më e madhja në vend dhe të thuhet se dalja jonë në një deklaratë për një problem të brendshëm të LSI-së, të një partie shumë më e vogël, ndihmon PS-në, kjo mua më duket fare pa kuptim.
Në deklaratën tuaj ju bëni të ditur në fund se, në rast se nuk reflektohet nga ana e LSI-së lidhur me këtë marrëveshje, atëherë ju nuk do e ndiqni pas. Çfarë keni patur parasysh me këtë deklaratë?
Ne nuk mund të ngatërrohemi dhe ta ndjejmë veten në një parti që bashkëpunon me Berishën, të cilin e kemi luftuar gjatë gjithë jetës së kësaj partie, pra që prej pesë vjetësh. Ne, që kur u ndamë nga PS-ja, ikëm me këtë ide që PS-ja dhe kryetari i saj po bënte një politikë të gabuar, qoftë në qeveri, ashtu edhe ndaj PD-së, sidomos për sa i përket problemit të Presidentit. Gjithashtu, edhe për qëndrimet e drejtuesit të ri të PS-së, ne kemi mbajtur të njëjtin qëndrim për sa u përket marrëdhënieve të tij me të djathtën, ku i kemi quajtur të gabuara ndryshimet në Kushtetutë, ngutjet me të cilën u bënë, Kodin Zgjedhor etj.
Pra, ne kemi patur një pozicion ndoshta më të ashprin ndaj PD-së dhe për mua ka qenë një pozicion i drejtë. Dhe tani, pa pritur, në momentin më të vështirë për PD-në, në kundërshtim me të gjitha ato që kemi thënë më parë, ne kalojmë në anën e Berishës, duke i afruar atij katër deputetë për ta mbajtur gjallë. Kjo është shumë e rëndë dhe ndaj unë nuk mund të jem në atë parti, sepse unë kam qenë dikush në të parti, kam shkuar në fushatën e parë dhe të dytën, por edhe gjatë intervaleve mes dy fushatave u kam mbushur mendjen njerëzve që të vijnë me ne, se ne ishim konseguentë në luftën ndaj Berishës.
Kështu që ne, deri ditën e fundit ishim ata që mburreshim se do të ishim ne ata që do ta rrëzonin Berishën dhe jo PS-ja, pasi kjo e fundit kishte bërë shpeshherë marrëveshje me Berishën. Pra, ne i kemi mbushur mendjen elektoratit se ne vërtet përfaqësojmë atë pjesë të së majtës kundërshtare e fortë e këtij njeriu dhe të mënyrës sesi ai qeveris. Papritur, atëherë kur ai kishte nevojën më të madhe, katër deputetët tanë të zgjedhur me këtë slogan, shkojnë dhe e shpejtojnë, përfshi këtu edhe kryetarin.
Kur shpreheni se nuk mund të jeni në një parti të tillë, keni parasysh largimin prej saj?
Ne s'bëhemi pjesë e kësaj marrëveshjeje, por do shohim më parë se çdo bëjë dhe marrëveshja. Dritani na quan të vetëpërjashtuar dhe nëse ai është gjykatësi i partisë dhe vendos se cili përjashtohet dhe cili jo, le të thonë. Në rast se ata do vendosin dhe do ta përkrahin bërjen e qeverisë së re, unë nuk mund të them se jam nga ata që e përkrah qeverinë e re. Por unë do dal prapë dhe do them: "jazëk ju qoftë".
Ne kemi tradhtuar elektoratin tonë dhe unë nuk mund të pranoj ta fus veten tek tradhtarët. Këtë kemi dashur të themi tek ajo fjali e fundit, se ne akoma shpresojmë që do t'i thërrasin mendjes dhe disa të tjerë, në mënyrë që të mbeten shumë pak ata që janë të interesuar për këtë marrëveshje dhe që kërkojnë të përfitojnë prej saj. Janë shumë pak ata që janë të interesuar prej asaj marrëveshjeje dhe që do të përfitojnë nga ajo. Pra janë shumë pak kokrra në atë parti që e mbështesin këtë marrëveshje. Por si duket, ashtu si në të gjitha partitë shqiptare, edhe kjo parti është privatizuar nga kryetari. Pra, qëllimi ynë qe që t'u jepnim zemër këtyre njerëzve që mendonin si ne, të thoshin fjalën e tyre.
Besoni se arritja e kësaj marrëveshjeje paraprake ishte një zgjidhje e çastit, ashtu siç pretendon LSI-ja, apo ishte e parapërgatitur që më parë?
Jo, nuk është e çastit. Nuk mund të bëhen gafa kaq të mëdha në çast. Unë nuk e kam quajtur ndonjëherë Ilirin të papërgjegjshëm që të bëjë gjëra të tilla. Më vjen keq që ta them, por ka dhe raste të tjera ku Iliri nuk ka qenë kaq konseguent në pozicionin që ka pranuar, por janë histori të vjetra. Pra, unë nuk e quaj që është një zgjidhje e çastit, apo një zgjidhje siç pretendohet që gjoja ajo bëhet për hatër të stabilitetit të vendit, për hatër të integrimi në Europë etj.
Të gjitha janë broçkulla dhe nuk i beson më njeri, të paktën njerëzit që e kanë ndjekur politikën shqiptare dhe që e ndjekin akoma dhe që e dinë se ajo është një politikë interesash dhe se politikë parimore s'ka qenë ndonjëherë nga asnjëra palë. Prandaj ato që thuhen për të arsyetuar këtë vendimmarrje, janë të gënjeshtra, prandaj nuk besoj se ajo është një zgjidhje që është marrë ato dy-tre ditë. Unë e thashë edhe në konventë se ngutja me të cilën u bë, më ka lënë një shije shumë të hidhur. Ne patëm një mbledhje kryesie, ku e kritikuam Priftin për një deklaratë që kishte bërë, përfshi edhe Ilirin, që e konsideroi atë deklaratë emocionale dhe të ngutur. Ndërkohë që s'kaluan 36 orë dhe u bë deklarata e bashkimit në një koalicion për integrim, i cili edhe ky në vetvete është karagjozllëk.
Pra, nuk mund të jetë dhe nuk e besoj se është një gafë e momentit, por është një vendim i marrë me kohë për të përfituar nga situata. Është krijuar një situatë ku ato pak kokrra në kryesinë e LSI-së menduan se erdhi koha për të përfituar.
Që pas daljes suaj kundër kësaj marrëveshjeje në konventë, keni patur më komunikime me kryetarin Meta dhe me strukturat e partisë?
Jo, pasi kjo ka qenë edhe kohë pushimesh. Jo, nuk kam pasur. Ka qenë muaj pushimesh, madje edhe vetë LSI-ja, në deklaratën që bëri me anë të zëdhënësit të saj, tha se ne me deklaratën tonë kishim prishur rehatinë verore, pse ne paskemi qenë të shqetësuar. Po more zotëri, kemi qenë të shqetësuar vërtet, pasi jemi më seriozë se ju dhe që na dhemb ajo që nisëm dhe që e bitisëm në të kundërt. Prandaj të gjithë këto që thonë Dritanët më duken përgjigje absurde se gjoja kjo qenka bërë për PS-në. Ata nuk kanë argumente dhe përpiqen më kot ta lidhin këtë qëndrim tonin me interesa personale.
Realisht, çfarë mendoni se humbet dhe fiton LSI-ja nga kjo marrëveshje?
Për mua ka humbur gjithçka, pasi nuk është më parti politike. Nuk është më ajo që ishte, mund të bëhet një parti ministrore, d.m.th., që ta mbajë veten dhe strukturën e saj me nëpunës të asaj ministrie që do të marrë. E provoi ministri i Mjedisit Xhuveli këtë punë dhe e pa se si doli, e provuan edhe republikanët. Prandaj nuk është kjo zgjidhja. LSI-ja, me këtë që bëri nuk mund të thotë më se është një parti e majtë dhe aq më tepër parti politike.
E majta, fatkeqësisht, në Shqipëri kështu është ndarë, të majtë janë të gjithë ata që nuk e pranojnë Berishën. Nuk ka parime të rëndësishme, ide apo kolona të rrugës që të thonë se një forcë është e majtë apo e djathtë. E majta dhe e djathta në Shqipëri është ngatërruar aq keq, sa mund të thuash se politikë më të majtë bën Berisha praktikisht, pasi politikë më sociale ai bën. Në këtë pikëpamje, Iliri, (them Ilir dhe jo LSI-ja, sepse me këtë që bëri mendoj se tashmë ajo është një parti personale e tij), kurrë s'mund të pretendojë se është më i majtë.
Pra, për mënyrën sesi u bënë gjërat, arrijmë të kuptojmë se ne i paskemi shkuar mbrapa qorrazi pa e kuptuar mirë se kush ishte Iliri dhe ç'donte të bënte Iliri. Pra, do të përfundoja këtë logjikë duke thënë se LSI-ja do të jetë një parti ministrore, që boshtin kryesor do ta kenë nëpunësit ministrorë.
Është fakt që ju, pesë anëtarët e kryesisë që jeni dhe themeluesit e saj, keni dalë kundër kësaj marrëveshjeje, ndërkohë që në anën tjetër, pra, atë të mbështetësve të marrëveshjes, qëndrojnë më së shumti emra që deri para pak kohësh nuk njiheshin fare për opinionin publik, ose nuk ishin fare pjesë e saj...
Nuk ndjej asgjë për këtë punë, nuk është se unë bëhem xheloz për figura të reja. Madje them shyqyr që vijnë figura të reja. Por duke iu përgjigjur pyetjes, nëse ka vërtet të tillë që kanë ardhur kohët e fundit dhe e mbështesin marrëveshjen, ata natyrisht kanë ardhur për interesa. Do t'i shtohen dhe shumë të tjerë interesaxhinj, ndërsa do t'i ikin kësaj force plot njerëz që janë në atë parti prej kohësh për ideale dhe që e kanë menduar partinë ndryshe. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për këtë parti, ndaj zgjedhjet e radhës do të jenë shumë të rëndësishme për të.
Për marrëveshjen
"E konsiderojmë të gabuar nga të gjitha pikëpamjet dhe këtë e kemi deklaruar që në fillim, qoftë për ngutjen me të cilën u bë, apo edhe qoftë për zgjidhjen që u dha dhe për shumë faktorë të tjerë. Sigurisht kjo do të sjellë shkatërrimin e LSI-së"
Për qëndrimin
"Në rast se ata do vendosin dhe do ta përkrahin bërjen e qeverisë së re, unë nuk mund të them se jam nga ata që e përkrah qeverinë e re. Por, unë do dalë prapë dhe do them: "Jazëk ju qoftë". Ne kemi tradhtuar elektoratin tonë dhe unë nuk mund të pranoj ta fus veten tek tradhtarët"
Për të rinjtë
"Nëse ka vërtetë të tillë që kanë ardhur kohët e fundit dhe e mbështesin marrëveshjen, ata natyrisht kanë ardhur për interesa. Do t'i shtohen dhe shumë të tjerë interesaxhinj, ndërsa do t'i ikin kësaj force plot njerëz që janë në atë parti prej kohësh për ideale dhe që e kanë menduar partinë ndryshe"
Për Metën
"Në këtë pikëpamje, Iliri, (them Ilir dhe jo LSI-ja, sepse me këtë që bëri, mendoj se tashmë ajo është një parti personale e tij), kurrë s'mund të pretendojë se është më i majtë. Pra, për mënyrën sesi u bënë gjërat, arrijmë të kuptojmë se ne i paskemi shkuar mbrapa qorrazi, pa e kuptuar mirë se kush ishte Iliri dhe ç'donte të bënte Iliri"
Për LSI-në
"LSI-ja, me këtë që bëri nuk mund të thotë më se është një parti e majtë dhe aq më tepër parti politike. E majta, fatkeqësisht, në Shqipëri kështu është ndarë, të majtë janë të gjithë ata që nuk e pranojnë Berishën. Nuk ka parime të rëndësishme, ide apo kolona të rrugës që të thonë se një forcë është e majtë apo e djathtë"