Prokuroria legjitimon Qeleshin si mbrojtës të Dajtit
Prokuroria i jep leje për takim me klientin e tij në Spitalin e Burgut, avokatit të sapopranuar. Më parë kishte takuar klientin tjetër Erges Xhoxhi
Më parë ishte refuzuar mbrojta e dy të pandehurve nga i njëjti avokat, për konlfikt të mundshëm intereasi mes tyre
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pas kundërshtimeve të një pas njëshme për mos pranimin e avokatit Arben Qeleshit si mbrojtës i dy të arrestuarve Dritan Dajti e kunatit të tij Ergest Xhoxhi vendosi të pranojë atë si mbrojtës ligjor të dy të pandehurve. Vetë avokati Qeleshi konfirmoi për "Shekullin" pranimin e tij si mbrojtës ligjor të dy të arrestuarve, duke shtuar se fillimisht institucioni i akuzës i refuzoi kërkesën për mbrojtjen e dy të arrestuarve, por më pas u dorëzua.
Ky fakt konfirmohet edhe nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët pranuan se pas refuzimit të kërkesës për mbrojtjen e dy të arrestuarve nga i njëjti avokat, gjatë ditës së djeshme kërkesat e avokatit janë plotësuar, duke i dhënë leje edhe për takim me klientin e tij në Spitalin e Burgut. "Grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që po heton prej 18 ditëve dosjen penale në ngarkim të Dritan Dajti i akuzuar për vrasjen e pesëfishtë, ka pranuar sot (dje) si mbrojtës të interesave ligjore të të arrestuarit Dajti, avokatin Arben Qeleshin.
Pranimi i tij, u bë pasi grupi hetimor u konsultua edhe me bazën ligjore, për konflikt interesash mes të arrestuarit Dajti dhe kunatit të tij Ergest Xhoxhi.
Familja këtij të fundit ka zgjedhur gjithashtu Qeleshin si mbrojtës të interesave ligjore të tij. Avokati pasi dorëzoi dy prokurat e përfaqësimit si mbrojtës i zgjedhur nga familja e të dy të arrestuarve, kërkoi leje nga institucioni i akuzës edhe për takimin me klientin e tij të plagosur Dajti.
Pak ditë më parë, me leje të Prokurorisë kishte takuar kunatin e të dënuarit me 25 vite burg, Ergest Xhoxhi në ambientet e paraburgimit "Jordan Misja" në kryeqytet. Sipas këtyre burimeve, përveç legjitimimit të avokatit Qeleshi si mbrojtës ligjor i interesave të Dajtit, Prokuroria i ka dhënë të drejtën edhe për takim me klientin e tij brenda ambienteve të Spitalit të Burgut.
"Avokat Arben Qeleshi, ka dorëzuar para pak ditë në institucionin e akuzës dy shkresa, një prokurë përfaqësimi si avokat të zgjedhur nga familja Dajtit dhe një kërkesë për leje takimi.
Pasi u shqyrtuan nga grupi hetimor këto dy shkresa, u pranua avokat Qeleshi si mbrojtës i Dajtit. Atij iu lëshua edhe autorizimi i organit të akuzës për leje takimi brenda ambienteve të Spitalit të Burgut"- thanë burimet, që u konfirmuan edhe nga vetë avokat Qeleshi.