E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Shqipëria e mbuluar me plehra, dëmtohet turizmi

Shqipëria është e mbuluar me plehra nga të gjitha anët duke bërë që turizmi të goditet seriozisht. Deputeti socialist, Blendi Klosi në një komunikim me median ngriti shqetësimin për mungesën e infrastrukturës së kanalizimeve e të përpunimit të ujërave të zeza në të gjitha zonat me banesa e hotele buzë Adriatikut e Jonit.

“Është shembulli më flagrant i një politike të dështuar turistike dhe i një qeverisjeje primitive që s'është në gjendje të kryej as edhe një shërbim të rëndomtë trajtimi ujërash të zeza në zonat turistike, ku kushtet e higjenës janë jashtë çdo standardi evropian” – tha Klosi.

“Plehrat në anë të rrugëve nacionale i vrasin sytë çdo turisti që zbret drejt Sarandës apo ngjitet drejt Shëngjinit.  Masakra urbane vijon ditë-natë edhe në këto ditë pushimi duke ngrënë çdo ditë mijëra m2 rërë, kodër, ajër dhe jo vetëm duke shpërfytyruar e shëmtuar çdo ditë e më shumë zonat turistike me banesa e hotele të ndërtuara kuturu, po edhe duke rritur volumet e rrezikshme të ndërtimit mbi troje të rrëshqitshme si rëra e ullishtat matanë hekurudhës Kavajë-Durrës, ku po ngrihen pallate me shumë kate”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›