E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: çadratë bëhet shkollëpër brezat e rinj

Deputeti socialist, Blendi Klosi rrëfen për “Gazeta Shqiptare” 17 ditët në grevën e urisë, se si grevistët kalonin vaktet e ditës duke biseduar për ushqime nga më të çuditshmet dhe nuk u bënte përshtypje se ishin të uritur. “Megjithëse e di se jam me diabet, 100 herë po të isha kthyer, prapë 100 herë do të isha futur në atë grevë”, - deklaroi dje Klosi, i sapodalë nga spitali.
Zoti Klosi, pas 17 ditësh grevë urie, si ndiheni nga ana shëndetësore, por edhe shpirtërisht?
Pas daljes nga spitali, ku ju nënshtrova të gjitha kontrolleve dhe një kurimi intensiv, gjendja shëndetësore ka filluar të më rregullohet, por përsëri kam probleme. Kam rënë shumë nga pesha trupore dhe po ashtu ndihem larg stabilitetit në ushqim. Jemi në situatën që organizmi nuk pranon të marrë asnjë lloj ushqimi, përveç ushqimeve fare të lehta, dhe këto në kohë shumë të shpeshta dhe në sasi shumë të vogla. Përndryshe, krijohen probleme në organizëm dhe trupi nuk mund të pranojë asnjë lloj ushqimi relativisht të fortë. Dua të them se brenda në grevë ndihesha më mirë se sa jashtë, pasi aty organizmi vepronte me një ritëm tjetër dhe ishte një mendim tjetër. Aty jo vetëm që s’të shkonte mendja për asnjë nga ushqimet, por ndiheshim aq mirë dhe jetonim në një harmoni shumë të mirë, dhe gjithsecilit prej nesh nuk na shkonte mendja fare për ushqimin apo që trupi jonë po dobësohej. Ndërsa tani jashtë fillon të rikthesh në ato ndjesitë e çdo njeriu tjetër, na vjen keq për trupin e tretur apo pse nuk hamë dot ushqim. Por, mendoj që kjo situatë do të kalojë dhe problemet shëndetësore shpresojmë të harrohen, paçka se trupi dhe organizmi ka pësuar goditje. Sa i përket ndjesisë shpirtërore, ashtu siç e kemi thënë edhe gjatë grevës, vazhdojmë të jemi në të njëjtën situatë, por ndihemi mirë dhe të bindur që kemi bërë një gjë të drejtë. Ndihemi mirë, sepse arritëm që të demonstronim se në këtë vend akoma ka njerëz të cilët mund të sakrifikojnë për një çështje të madhe, transparencën e zgjedhjeve. Arritëm të tregojmë se në këtë vend ka akoma njerëz që mund të sakrifikojnë për një ideal. Aty në çadër kishte njerëz, të cilët realisht nuk kanë asnjë lidhje me pushtetin, me fitoren para apo pas kësaj greve. Janë njerëz që janë aty se kanë një bindje dhe mendoj se kjo bindje në drejtësi dhe kjo grevë aspak abuzive na bëri që ne të jetonim aty pa ushqim, por vetëm me ujë. Mendoj që kjo grevë është shumë e suksesshme, sepse është e vërtetë. Për sa kohë që asnjëri nga njerëzit aty brenda nuk dyshonte në vërtetësinë e saj dhe që të gjithë pranonin që të vetësakrifikoheshin, na bëri që të ishim në gjendje aq të mirë shpirtërore. Aty kishim qytetarë, grupin e Kukësit, të cilët ishin njerëz që u tretën në atë grevë dhe nuk pranonin të bënin negociata me asnjë ilaç, nuk pranonin të merrnin serume. Në grupin tim të Durrësit kisha Kapllanin, një kapiten të vjetër anije, i cili s’ka pasur asnjëherë pushtet, asnjë pozicion zyrtar, dhe as nuk pret që të ketë. Por, ishte aty se beson te PS-ja, sepse beson te e vërteta, kisha doktoreshë Mozën, e cila vinte aty për të mbrojtur pronat e saj dhe mendonte që nëpërmjet kësaj greve të sensibilizonte opinionin publik. Kishte aq shumë njerëz që do të doja t’u përmendja emrin, të cilët besonin realisht. Kjo besë e dhënë, institucioni i besës, ishte aq prezent gjatë ditëve që unë qëndrova në grevë dhe vazhdon të jetë. Kjo besë i mban akoma ata njerëz në jetë, edhe shumë më të fortë se sa ne që dolëm. Nga ana tjetër, ndihem keq që nuk arrita ta vazhdoja grevën deri në fund dhe mjekët më detyruan të dilja, duke arritur në limitet e fundit, por prapë ndihesha mirë në grevë.
Ju e dinit që kishit probleme me diabetin. Pse hytë në atë grevë. Ndoshta mund ta bënit punën edhe jashtë?
Unë kisha mbi 10 vjet që kurohesha nga diabeti. Por, të gjithë njerëzit e kësaj bote, problematika me shëndetin e tyre dhe po të fillonim të bënim analizën se kush ishte më sterili nga të gjithë, do të ishte e vështirë. Kur pranuam atë natë, në mbledhjen e grupit të futeshim në grevë urie, gjithsecili nuk mendoi asgjë për vete, por menduam se sa do t’i shërbente kjo grevë asaj që ne besojmë dhe të vërtetës së madhe të 28 qershorit. Kur ishim brenda, kjo ishte një nga ato ndjesitë, që është e vështirë ta provosh nga jashtë. Aty gjithsecili mendonte të jepte pak nga vetja e tij, nga gjaku i tij që të ndihmonte me çfarë të kishte mundësi. Ju më thoni se përse pranuat të hyni brenda, edhe pse e dinit që ishit me diabet. Dhe unë ju them; megjithëse e di se jam me diabet, 100 herë po të isha kthyer, prapë 100 herë do të isha futur në atë grevë, e cila më bëri të ndihem krenar për veten time, krenar për edukatën që më ka dhënë familja ime, krenar për atë se çfarë edhe unë do t’i lë fëmijëve të mi.
Meqë përmendët edhe familjen tuaj, si e pritën ata vendimin për të hyrë në grevë? Si reaguan ata për këtë dhe pas disa ditëve, kur dëgjonin se gjendja juaj ishte rënduar?
Nëse kishte një moment gjatë gjithë grevës kur ndihesha keq ishte ai moment, kur mamaja më thoshte: “dil ti që të futem unë”, apo për Norën, nusen time, e cila është shtatzënë më thoshte që, në momentin që unë duhet të isha njeriu që duhet të kisha më shumë kujdes, ajo kujdesej më shumë për mua. Duhej një kujdes pikërisht në momentet e para të shtatzënisë, një periudhë e vështirë për të, kur unë duhet t’i rrija pranë. Por, siç e thashë, kjo nuk është një gjë e cila lind në moment. është një gjë e cila vjen në vite dhe ashtu siç unë jam krenar që stërgjyshi im ka qenë në luftën e Vlorës, apo që gjyshërit e mi kanë luftuar në Luftën e Dytë Botërore, apo që prindërit e mi kanë punuar për ndërtimin e Shqipërisë, mendoj që edhe fëmijët e mi do të jenë krenarë që unë isha në këtë grevë urie. Këto janë gjëra për të cilat nuk të bie rasti shpesh të japësh kontribut. Ndaj, them që kemi bërë një veprim të drejtë dhe familja ime ka qenë mbështetës i madh. Nuk mund të them që nga momenti i parë, sepse vetëm për shkak të problemeve shëndetësore dhe nga përkujdesja, kërkuan që unë të mos isha në grevë, e theksoj vetëm prej shëndetit, por gjatë gjithë grevës ata ishin mbështetësit e mi kryesorë dhe ata më jepnin besim që unë ta vazhdoja grevën.
Besoj i keni dëgjuar këto ditë deklaratat e kundërshtarëve tuaj, që thonë se aty hahet ushqim, nuk është një grevë reale... etj. Keni një koment për këtë?
Për kolegët e mi deputetë të PD-së, mbetet vetëm të më vijë keq, pasi sa i përket vërtetësisë së grevës kjo është më se e vërtetuar. E kam thënë edhe kur isha brenda dhe tani e them, se shkenca mund ta vërtetojë këtë punë. Të gjithë trupat tanë, të 60 vetët që kanë dalë nga greva, janë dëshmi e gjallë e vërtetësisë së kësaj greve, se në organizmat tanë nuk është gjetur asnjë fije ushqim. Nuk kemi futur përveç ujit, asgjë në organizmin tonë. Kjo është vërtetuar edhe nga analizat që na janë bërë të gjithëve, që nga Klodiana e deri tek i fundit. Sali Berisha, po të dojë të bëhet doktor, mund të futet në grevë dhe ta vërtetojë këtë tek trupat e grevistëve se s’ka asnjë gram ushqim në trupat e tyre. Sa i përket kolegëve, të cilët janë detyruar të lexojnë deklaratat për shtyp, që i bëjnë ata qesharakë, do të kisha keqardhje, sepse disa prej tyre më kanë çuar mesazhe mbështetje, sepse jemi kolegë. Unë nuk pres që ata të besojnë te kauza jonë apo që të pranojnë që të deklarojnë se zgjedhjet janë vjedhur. Unë nuk pres që ata të thonë se janë dakord me Edi Ramën, por më vjen keq për ata si politikanë që nuk kishin rastin ta provonin grevën e urisë. E them me bindje të plotë këtë, sepse greva e urisë do të mbetet si moment i lavdishëm i politikës në historinë e Shqipërisë. Kolegët e mi të maxhorancës humbën një shans. E them këtë edhe nga pozitat e mia personale. Para 20 vjetësh unë isha student, kur u bë greva e urisë së studentëve. Arrita deri të dera e grevës së urisë, shoqërova shokët e mi të klasës dhe unë nuk u futa në atë grevë, jo se nuk besoja se ai sistem duhej të ndryshonte, por nuk u futa se e lidha politikën e asaj kohe me njerëz të përveçëm. Dhe, që atëherë nuk besoja se Sali Berisha mund ta sillte demokracinë në Shqipëri bashkë me njerëz të tjerë. E lidha kauzën me njerëz dhe bëra gabim në jetën time që nuk u futa në grevën e urisë. Të njëjtin gabim po bëjnë edhe kolegët e mi, të cilët e lidhin kauzën, transparencën e zgjedhjeve me personazhe të caktuara të jetës së ditës. Ky është gabimi i tyre, që do ta vuajnë ashtu si unë atëherë. Jo se isha kundër kauzës, por se isha kundër personazheve që e drejtonin atë kauzë dhe mendoj se ky është një mësim i madh edhe nga greva e urisë, që ne duhet të ndajmë kauzën nga njerëzit. Ne jemi të gjithë vdekatarë, por ideali është i pavdekshëm.
Pse u arrit deri në grevë urie, një masë kaq ekstreme?
Mesa duket, politika shqiptare po vazhdon ta tregojë se është kryekëput e mbërthyer nga kthetrat e së shkuarës. Sali Berisha përsëri dëshmoi se është një komunist i vjetër dhe si ai i plotfuqishmi i lagjes në kohën e Enver Hoxhës, që për të dhënë edhe një vërtetim se ishe i pastër politikisht duhet të vërdalloste me muaj të tërë, të zhbironte, të pyeste lart e poshtë, të ta nxinte jetën që të jepte një gjë, që ty fare të takonte dhe e meritoje. është e njëjta situatë me Sali Berishën. Po torturon këtë popull, duke e ditur fare mirë që ne e kemi të shkruar në ligj të drejtën për transparencë. Ne e kemi kërkuar këtë duke bojkotuar Parlamentin, me protesta në të gjithë vendin. Ne shkuam te greva si mekanizmi i fundit për të dëshmuar se ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë për këtë të drejtë të pakundërshtueshme. Dhe, Sali Berisha vazhdon të luajë komunistin, duke e zvarritur, duke e sjellë vërdallë. Vajtëm te greva e urisë, sepse e kuptuam që në këtë vend ka humbur besimi për gjithçka dhe do të duhej një sakrificë e madhe që të kthente besimin tek njerëzit. Një nga momentet më të vështira të grevës, 5-6 ditët e para, kur uria ishte një nga problemet më të mëdha, sepse pastaj kjo ndjesi kaloi dhe ne jetonim pa pasur mendjen te ushqimi, Presidenti i Republikës shkon e shikon ndeshjen e futbollit. Ai ishte një moment që ne na bëri të ndiheshim aq keq. Ai është mbrojtësi dhe njeriu i parë i këtij vendi dhe shkon e shikon ndeshjen në vijë ajrore 200 metra nga greva e urisë, kur ne ishim në grevë dhe kërkonim një të drejtë. Zgjedhjet e 28 qershorit tani janë bërë pis. Nuk ka njeri tanimë që t’i pranojë këto zgjedhje. Por, frika e Sali Berishës tani është se zbulohet mekanizmi i korrupsionit elektoral dhe ky mekanizëm e bën atë që të vazhdojë këtë lojë pa fund me cicmice pa fund.
Cilat ishin momentet më të bukura ose më të këqija që jetonit brenda çadrës?
Momentet më të bukura ishin ato të ditëlindjeve të grevistëve. Të gjithë festonim bashkë. Ndjesitë më të forta i përjetonim kur ndonjë nga grevistët largohej nga çadra dhe të gjithë e duartrokisnim. Duartrokitjet ishin shumë të forta, në fillim në ditët e para. E pastaj, natyrisht nuk mblidheshim dot të gjithë te dera e çadrës dhe duartrokisnim nga krevatet. Jeta në çadër kalonte në harmoni. Dita ikte shumë shpejt, merrnim serume, bisedonim me njëri-tjetrin, debatonim, bënim analiza të ndryshme politike, apo bënim biseda që s’kishin asnjë kuptim, por na bënin të ndiheshim mirë. Kështu, diskutonim gjerë e gjatë duke folur për ushqime. Kalonin vaktet duke përmendur ushqime që gatuheshin në krahinat e ndryshme. Ishte një terapi shumë e çuditshme e mendjes, se si njeriu mund të ngopej edhe duke i shijuar me mendje ato gatime. Ishin momente që s’na bënte përshtypje, se diskutonim dhe i kujtonim këto gatime se si bëhej një gjellë më e mirë nga një krahinë apo tjetër. Kemi dëgjuar për ushqime që s’i kisha dëgjuar kurrë në jetë, siç na shpjegonte Kipja nga Rrogozhina, se si bëhej byreku me lëkura pule apo Kapllani nga Durrësi, se si hahej tartufi i detit apo Taulanti, që na shpjegonte se si gatuhej kaprolli në furrë nga zona e tij. Kishte ushqime që unë s’i kisha dëgjuar asnjëherë në jetë dhe aty nuk të bënte përshtypje. Momente të vështira gjatë grevës ishin ato kur binte shi dhe i gjithë ambienti lagej dhe vinte një moment që nuk na bënte të ndiheshim mirë. Një tjetër, siç e thashë, kur pamë që Presidenti shihte ndeshjen e futbollit ndërsa ne ishim në grevë. Ishte një moment i rëndë. Ishte momenti kur kolegë të PD-së flisnin nga pozita jo realiste dhe nga pozita të cilat me kalimin e viteve do t’i bëjnë ata të ndihen keq.
U kam propozuar kolegëve të mi të PS-së, që ajo çadër duhet bërë një shkollë për brezat e rinj. Një parti serioze, moderne, evropiane, atë çadër do ta merrte dhe aty do të bëheshin të gjitha trajnimet, përgatitjet e të gjithë kuadrove të rinj të politikës, shkollat e verës. Ajo çadër mund të spostohet diku tjetër, por ndjesia dhe fryma që është brenda saj, fryma që ishte brenda vdekatarëve dhe shpirtrave të tyre, ajo frymë mund të mbajë gjallë politikën shqiptare për shumë vite. Ishte një moment të cilin unë pata fat që e jetova.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›