E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi dhe Xhufi distancohen nga Meta: Aleancë pa moral

Pavarësisht zërave kundër, Konventa e LSI-së ka marrë vendimin për të bashkëqeverisur me Kryeministrin Sali Berisha gjatë katër viteve të ardhshme. Ky vendim është marrë pas një diskutimi gati tri orësh në mbledhjen e konventës së kësaj force politike, pjesë e së cilës ishin pothuajse të gjithë emrat kryesorë që e drejtojnë LSI-në. I pari që mori fjalën ishte kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili dha argumentet e tij pro këtij vendimi, duke theksuar se ky hap është hedhur për të mirë të vendit, për të shmangur një krizë institucionale dhe për t‘iu larguar destabilizimit, i cili për një vend anëtar të NATO-s do të thoshte vetëm hapa prapa. Meta shpjegoi se nuk mund të bënte marrëveshje me Ramën, pasi një bashkëpunim tani PS-LSI do të prodhonte vetëm kriza. Gjithashtu, ai sqaroi se ia ka shtrirë disa herë dorën për bashkëpunim Ramës për gjatë një viti dhe përgjigjja ka qenë vetëm negative. Siç ndodhi edhe me rastin më të fundit ku ai i kishte dërguar për të gjetur një zgjidhje, zotin Brokaj, Meidani dhe Agolli të cilët tha Meta, kryetari i PS-së Rama i ka refuzuar, duke mos pranuar të diskutojë me ta. Synimi i vetëm i kreut socialist, tha Meta, ka qenë shkatërrimi i LSI-së dhe për këtë në fushatë janë shpenzuar rreth 50 milionë euro për të blerë njerëzit dhe komisionerët tanë. Pas fjalës së Metës janë rreshtuar pro tij edhe disa drejtues të tjerë të LSI-së, si Haxhinasto, Prifti, Vasili, Kodra, Xhixho e tjerë. Por nuk kanë ndarë të njëjtin mendim figura të tjera drejtuese të kësaj force politike. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, me një gjuhë diplomatike ka dhënë argumentet e tij pse ishte kundër këtij bashkëpunimi të LSI-së me PD-në. Sipas Pëllumbit, LSI-ja është nxituar te kthimi i përgjigjes ndaj PD-së, sepse siç tha ai, në Kryesi ne vendosëm se do të prisnim vendimin përfundimtar të KQZ-së, gjë e cila nuk ndodhi. Në vlerësimin e Xhufit duhej që të pranohej bashkëpunimi me PD-në, por jo duke qenë pjesë e kabinetit qeverisës, por duke i dhënë mbështetje nga jashtë, duke miratuar ligje të rëndësishme, të cilat do të ishin në shërbim të ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Po kështu, kundër këtij bashkëpunimi është shprehur edhe anëtari i Kryesisë së LSI-së, Fatos Klosi. Ky i fundit ka theksuar se LSI-ja nuk mund të bënte marrëveshje me Kryeministrin Berisha, duke e ditur shumë mirë kontributin që ka dhënë ai për shkatërrimin e së majtës. Klosi ka hedhur idenë e qeverisë teknike për të përgatitur ndryshimet në kod dhe më pas përgatitjen e vendit për zgjedhje të parakohshme. Por fjala e Klosit dhe e Xhufit është shoqëruar me replika të shumta nga salla, të cilat kanë çuar deri në fyerje të rënda, për ndalimin e të cilave është dashur të ndërhyjë kryetari i LSI-së, Meta, i cili me ton të lartë u ka kujtuar mbështetësve dhe anëtarëve të konventës se nëse do të vazhdonin të fyenin dhe shanin ata që kishin mendim kundër do t‘i nxirrte jashtë nga salla. Pas fjalës së Klosit dhe Xhufit, si dhe reagimit të sallës, kryetarit Meta i është dashur të marrë fjalën sërish për të treguar detaje me konkrete pse kishte pranuar të bashkëpunonte me Berishën. Ai tha se ka qenë ndërhyrja e ndërkombëtarëve që e ka detyruar të marrë këtë vendim dhe pastaj telefonata e Berishës, i cili gjithashtu ka qenë i vënë para përgjegjësisë se nuk mund të bënte qeveri me vota të trafikuara, pasi vendet e NATO-s nuk e lejonin një gjë të tillë. Duke u ndalur te fjala kundër, Meta theksoi se nuk mund të priste të tensionohej më shumë situata. Gjithashtu, ai u shpreh se ka mbetur i zhgënjyer nga profesor Brokaj, të cilin e ka ftuar në mbledhjen e Kryesisë, nuk ka ardhur dhe më pas ka shprehur mendimin e tij kundër në media. Unë, tha Meta, në fund të fjalës së tij, nuk merrem me probleme personale që mund të ketë Brokaj apo ndonjë tjetër me Berishën. Po të analizoj në këtë drejtim, shtoi ai, unë kam më shumë probleme me Berishën sesa të tjerët në këtë sallë.

Vasili: Pse vendosëm aleancë me Berishën

83 mijë vota i kanë shpëtuar furisë asgjësuese të operacionit kundër LSI-së

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaron në një intervistë për "Shqip" arsyet pse u vendos të bashkëpunohej me Partinë Demokratike.

Zoti Vasili, a mund të na sqaroni konkretisht pse LSI-ja mori vendimin për të kaluar djathtas dhe për të bashkëqeverisur me Berishën dhe PD-në?

Jam i detyruar që të korrigjoj pyetjen tuaj që në krye të herës, sepse LSI-ja nuk ka kaluar djathtas. LSI-ja ka ruajtur të paprekur identitetin e saj të spikatur të majtë si në pikëpamje të filozofisë së saj për shtetin, të asaj programore, por edhe të solidaritetit të saj njerëzor. LSI-ja është pjesë e një koalicioni ku shumicën e ka fituar Partia Demokratike dhe ku identitetet e LSI-së dhe PD-së bashkëjetojnë pa asimiluar dhe asgjësuar njëra-tjetrën. Ky vendim ishte qartësisht një vendim i detyruar, sepse opozita e përbërë nga LSI-ja dhe PS-ja nuk kishin numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të krijuar një shumicë qeverisëse. Kjo erdhi për arsye të aplikimit të një Kodi Zgjedhor që socialistët kishin përgatitur me qëllimin e vetëm strategjik, asgjësimin e LSI-së dhe përvetësimin me çdo mjet korruptiv dhe të paligjshëm të votave të saj gjatë fushatës, në ditën e zgjedhjeve dhe gjatë administrimit të procesit të votimit. Të ndodhur në rrethana të tilla, nga njëra anë e provokimit të zgjedhjeve të reja të dështuara sërish me të njëjtin Kod Zgjedhor, krijimit të një kaosi tepër të dëmshëm për vendin edhe në kushtet e krizës serioze ekonomike dhe nga ana tjetër krijimit të një qeverie që krijon qetësi dhe stabilitet për qytetarët, ne zgjodhëm pa hezitim të dytën. Disa objektiva themelore programore, të cilat u bënë publike gjatë fushatës elektorale nga LSI-ja dhe PD-ja, të cilat kanë afërsi, lehtësojnë bashkëpunimin në planin programor duke ecur kësisoj në rrugën e aplikimit të reformave të suksesshme dhe racionale larg ideologjizmave të prapambetur. Ekzekutivi ndërtohet mbi objektiva programorë dhe kur ato nuk kanë kundërthënie të rëndësishme kjo krijon një terren të favorshëm për suksesin e tij dhe rezultatet që mijëra qytetarë presin nga qeverisja.

A mendoni se ky bashkëpunim do të ketë kosto në elektoratin tuaj, a do ta kuptojë elektorati këtë lëvizje, ndonëse kryetari Meta thotë se kjo po bëhet për gjëra madhore?

Elektorati ynë ka qenë shumë inteligjent dhe i madh në numër. Ka qenë aq i madh saqë jo pak, por 83 mijë vota i kanë shpëtuar furisë asgjësuese të operacionit ndaj LSI-së të ndërmarrë nga PS-ja në dëmin tonë, pa munguar spotet agresive, paratë e pista dhe presionet gjithfarësh. Pra, elektorati ynë është mësuar mirë të dallojë të mirën nga e keqja, të dallojë çfarë është e mirë për vendin dhe çfarë jo, si dhe di të ndajë mirë interesat personale për pushtet të pakufizuar të kryetarit të PS-së, nga interesat e të majtës dhe të opozitës. Kodi dhe sistemi spanjoll i miratuar nga Rama i humbi të paktën 12 mandate opozitës dhe shumica e tyre i takonin LSI-së. Për hir të këtij kodi monstër dhe të administrimit të korruptuar të votave, shumë nga mandatet i përfitoi e djathta. Miratimi i një kodi të tillë u bë vetëm për interesat personale të Ramës për të fituar i vetëm gjithçka dhe kjo është shumë e lehtë për t‘u kuptuar nga çdo shqiptar. LSI-ja ka fituar votat e saj nën një presion të pashembullt me sakrifica të mëdha, ndaj ajo është sovrane absolute e administrimit politik të tyre vetëm në të mirë të vendit dhe jo në funksion të ëndrrave të çartura për një pushtet në një grusht të vetëm të kryetarit të PS-së.

Ju si forcë politike keni sulmuar vazhdimisht Berishën dhe qeverinë si qeveria e Gërdecit dhe keni protestuar kundër tij. Gjithashtu, keni kritikuar Ramën se po bashkëpunon me Berishën për reformat kryesore. Tani si e gjykoni ketë lëvizje tuajën, ketë rreshtim në krah të njeriut që keni sulmuar më shumë?

Po, e kemi bërë në mënyrë shumë të ndershme dhe të hapur këtë gjë bazuar mbi principe. Ne sot kemi vënë përpara gjithë opinionit publik arsyet e koalicionit LSI-PD dhe kemi zgjedhur mes kaosit dhe qetësisë këtë të dytën. Por asnjë shqiptar nuk di të thotë se për ç‘arsye natën e 21 prillit brenda tri orësh u ndryshua Kushtetuta, e cila është shumë më e rëndësishme sesa qeveritë. Nuk di askush të thotë se për çfarë arsyeje u mbështet aq shumë zoti Berisha nga Edi Rama dhe PS dhe u refuzua prej tyre, kërkesa jone për dorëheqjen e qeverisë, si dhe ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për Gërdecin. Të gjithë e dinë mirë se i vetmi moment kur PS hyri në konflikt me z.Berisha dhe bojkotoi Parlamentin ishte pikërisht kur ky i fundit mbështeti rishikimin e Kodit Zgjedhor kur Presidenti i Republikës e ktheu atë për përfshirjen e komisionerëve të LSI-së. Pra, prioritet madhor politik i Edi Ramës ka qenë një dhe vetëm një, asgjësimi i LSI-së si një prezencë parimore problematike në planin politik ashtu edhe atë elektoral. Mendoj se ky hap historik emancipues për politikën shqiptare më shumë ka vënë në vështirësi të mëdha politikën e thashethemit të vogël hipokrit dhe që ka dominuar skenën politike shqiptare dhe aspak opinionin e gjerë, i cili ka qenë shumë më përpara se kjo soj politike arkaike dhe me sens të fortë vasalizimi.

Ditët e fundit janë artikuluar qëndrime kundër brenda LSI-së, ju referohem këtu deklaratave të zotit Brokaj. Cili është komenti juaj dhe a e dëmtojnë LSI-në?

Nuk dëmtojnë aspak dhe asgjë. LSI është dëmtuar deri në kufijtë e asgjësimit nga PS nëpërmjet një veprimi jo politik, por të një operacioni të vërtetë korruptiv të sensit policor të mbështetur nga miliona euro të pista. Mijëra njerëz të LSI-së janë kërcënuar dhe deri u është hequr edhe ndihma ekonomike, pra buka e gojës nga drejtues lokalë socialistë dhe njerëzit e LSI-së do ta kenë të vështirë ta harrojnë një pogrom të tillë të pabesueshëm, të papajtueshëm me mentalitetin e të majtës. Përkundrejt kësaj, LSI ka qenë fituesja morale e këtyre zgjedhjeve për arsye të ndershmërisë së saj dhe luftës së saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për mua personalisht, kodet morale të bashkëpunimit me drejtuesit aktualë socialistë dhe jo me socialistët e ndershëm, janë thyer që atëherë kur ata nuk denjuan t‘u jepnin as dorën grevistëve të urisë në Parlamentin shqiptar që u ngujuan për ndershmërinë e zgjedhjeve dhe kush e harron ketë bën një gabim të pafalshëm.

Nëse PS-ja rishikon drejtimin e saj, mund të rishikohet qëndrimi i LSI-së apo do qeverisni për katër vite me PD-në?

Unë nuk kushtëzoj asnjë veprim të LSI-së nga veprimet që PS ndërmerr brenda vetes së saj dhe që janë absolutisht atribut legjitim i saj. Analizën politike në Shqipëri po e dëmton shumë mentaliteti arkaik i vlerësimit kooperativist të politikës apo të krahëve politikë. Zgjedhjet e fundit konfirmuan edhe një herë tre identitete të mëdha politike në Shqipëri LSI, PD dhe PS, të cilat janë sovrane absolute të kapitaleve të tyre elektorale dhe që marrin vendime në bazë të mekanizmave politike organizative të gjithsecilës. Që nga ky çast, analiza dhe vendimet politike përfundimisht duhet të ndërtohen në respekt të plotë me këto identitete çdo ngatërrim i qëllimshëm ose jo i këtij realiteti do të fuste në qorrsokak arsyetimin politik dhe asgjë më shumë.

Si do ndahen postet qeverisëse, keni një plan konkret si parti apo kjo mbetet për t‘u parë nga ajo çfarë do t‘ju ofrojë Berisha?

Në këtë moment ka vetëm një mirëkuptim politik parimor, pra i është dhënë përgjigje dhe zgjidhje krizës politike dhe institucionale nga e cila rrezikohej vendi për arsye të mungesës së një mazhorance absolute. Gjithçka më tej do të ecë së pari në rrugën e realizimit të një mirëkuptimi programor sa më të plotë që respekton angazhimet e palëve në fushatën elektorale dhe më tej niveli dhe masa e përfaqësimit do të ecë në rrugën e realizimit të këtij programi qeverisës me sukses sa më të plotë, si dhe fitimit të betejës me krizën ekonomike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›