Fier, dhunohet zyra e PBDNJ-së
Dhunohet dega e Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut në rrethin e Fierit. Sipas burimeve zyrtare të kësaj dege partiake, mësohet se persona të paidentifikuar mbrëmjen e së hënës dhe gjatë orëve të natës kanë shkatërruar logon e kësaj partie, e cila ishte e vendosur në hyrje të kësaj zyre. Ndërkohë që denoncohet edhe marrja e disa flamujve që ndodheshin pranë zyrës së kësaj partie. Lidhur me këtë ngjarje, kryetari i PBDNJ-së dega Fier, Arqile Piperi, e ka quajtur një incident të qëllimshëm me motive politike. "Nuk është hera e parë që zyrat e kësaj partie janë dhunuar. Kjo ka ndodhur edhe herë të tjera para dhe gjatë fushatës dhe në vazhdim deri ditën e sotme", akuzoi Piperi. Lidhur me këtë incident, Piperi, si kreu i PBDNJ-së dega Fier, ka kryer edhe një denoncim pranë organeve të Prokurorisë së rrethit gjyqësor Fier. Edhe pse fushata ka përfunduar, dhunimi i subjekteve dhe simboleve politike vazhdon të jetë prezent në Fier. Mëngjesi i së martës e ka gjetur selinë e Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut në Fier të dhunuar. Emblema e kësaj force politike është gjetur e thyer sikurse dhe një xham i kësaj selie. Ka qenë kreu i PBDNJ-së së Fierit, Arqile Piperi, ai që e ka parë i pari këtë dhunim dhe ka sinjalizuar menjëherë policinë e Fierit, duke depozituar te kjo e fundit dhe një kallëzim penal në lidhje me këtë ngjarje jo të zakonshme. "Unë uroj dhe shpresoj që të mos ketë prapavijë politike një ngjarje e tillë, pasi është një ngjarje e rëndë për një vend që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian, por dhe që është anëtare e NATO-s", tha publikisht për mediat kreu i PBDNJ-së.