Lamtumira e fundit e Jackson
Skena ishte e thjeshtë. Lulet, publiku, vipat, tamam si një koncert i zakonshëm roku. Por, kur Smokey Robinson hapi ceremoninë mortore, duke lexuar fjalimin, emocionet në sallë ishin të mëdha, madje arritën kulmin kur vogëlushja Paris Katherine, vajza e dytë e Michael, qau përpara arkivolit të të atit duke thënë: "Ke qenë babai më i mirë në botë. Dua të them që të dua shumë". Pastaj erdhi e gjithë familja: babai Joe, mamaja Katherine, motrat Janet dhe La Toya, gjashtë vëllezërit (të gjithë kishin në duar dorashka me gurë të çmuar, si ato që mbante Michael dikur në skenë) dhe tre fëmijët. Mbizotëron një atmosferë trishtimi dhe "Staples Center" në Los Anxhelos bëhet vendi i fundit i Michael, që çohet në "tempull" me arkivolin tij prej floriri, mbuluar me lule të kuqe. Mariah Carey është e para që ngjitet në skenë, duke kënduar një këngë të grupit "Jackson 5", "I‘ll be there". Nuk ndalen lotët kur pas saj ngjitet Lionel Richie, që kujton bashkëpunimin me mbretin e popit në vitin 1985, që çoi në krijimin e këngës "We are the world". "Michael, sa herë të kam thënë që të dua shumë? Tani po ta them përgjithmonë", tha Stevie Wonder para se të bënte një performancë të jashtëzakonshme. Jennifer Hudson këndoi bashkë me Mahalia Jackson dhe u shoqëruan nga grupi i balerinëve që do të perfomonte me Michael në koncertet që do të mbaheshin në Londër. Brooke Shields nuk i mbajti dot lotët ndërsa kujtonte kohët e vjetra: "Isha 13 vjeçe kur e njoha, ajo e jona ishte miqësia më e thjeshtë dhe e pastër në botë. Tani të gjithë e quajnë mbret, por për mua do të mbetet gjithmonë princi i vogël". E njëjta skenë edhe kur i vëllai, Jermaine, këndoi "Smile", këngën e Chaplin që Michael pëlqente më shumë. Për fëmijët e Martin Luter Kingut, që kanë trashëguar nga i ati talentin e madh të oratorisë, ishte e vështirë të gjenin fjalë në ato momente. Usher, që kishte në plan një bashkëpunim me Michael, është i vetmi që zbriti për të kënduar afër arkivolit këngën "Gone to Soon". Pas tij, këngëtari 12-vjeçar me një zë të jashtëzakonshmen, Shaheen Jafargholi, që duhej të merrte pjesë në shfaqjen londineze. Për një moment, Amerika kthehet 40 vjet pas. Në mbyllje, testamenti i tij artistik: anëtarë të korit dhe balerinë që kanë punuar me të deri dhjetë ditë më parë, gjithë të ftuarit dhe një kor fëmijësh që këndojnë së bashku "We are the world". Muzika ndalon: është momenti i familjes, të gjithë vëllezërit e motrat, kanë zbritur në skenë për të thënë fjalët e tyre për njeriun e dashur. Kishte të drejtë mamaja Katherine kur tha: "Pa trupin e Michael kjo ceremoni nuk do të kishte asnjë vlerë". Me mijëra fansa në të gjithë botën e ndoqën ceremoninë që u transmetua drejtpërsëdrejti nga shumë televizione të së gjithë botës. Lot dhe trishtim, mbreti i popit nuk është më. Kësaj here, familja veproi ashtu siç kishte deklaruar. Pas eventit madhështor dhe ngjarjes më të ndjekur në Los Anxhelos dhe gjithë botën, në mënyrë rreptësisht private ata iu drejtuan varrezës së "Forest Lawn". Aty në "Staples Center", Michael Jackson më 22 qershor, 48 orë para se të vdiste, ishte ngjitur në skenë për të bërë provat për spektaklin që nuk do ta shohim kurrë. 90 sekondat e videos "They don‘t care about us" të transmetuara këto ditë nga televizionet dhe sajtet e internetit, janë tashmë një kult "post mortem". Aty Jackson u përshëndet nga rreth një miliard njerëz që ndoqën "spektaklin" e tij, ku rreth 1 milion kishin ardhur nga e gjithë bota, edhe pse e dinin se nuk mund të ishin të pranishëm në ceremoni. Ishte tamam një lamtumirë alla Lady Diana. Mungonte Liz Taylor, që duhej të duhej të lexonte një pjesë të rëndësishme në ceremoni. Por ndonjëherë besimi bën mrekulli. Michelle Baker dhe Sarah Fawcett, dy angleze që kanë moshën e Jackson, u nisën rrëmbimthi të premten nga Londra. "Ta shihja ceremoninë përmes televizorit ishte e padurueshme. Zbrazëm të gjitha kursimet. Duhet ta bënim, e kishim idhull, jemi rritur me të". Të dyja gratë morën pjesë në një lotari online dhe arritën të fitonin dy bileta. Erdhën në Los Anxhelos dhe në dorë mbanin nga një dorashkë të bardhë të thjeshtë, duke thënë me keqardhje se "ato prej argjendi kushtonin shumë". Qëndronin aty dhe qanin prej dy ditësh. "Është momenti më i bukur i jetës sonë. Michael na ka dhuruar aq shumë kur ishte gjallë. Duhet të ishim këtu patjetër". Por, jo të gjithë kanë qenë me kaq fat. Shumë prej atyre që nuk kishin mundësi, e ndoqën ceremoninë nga televizori. "Ushtarët e mi, ushtria e dashurisë", e kishte quajtur dikur Jackson publikun teksa dilte nga Gjykata e Santa Barbarës që e kishte çliruar nga akuzat për ngacmime seksuale ndaj të miturve. Ishte pa diskutim më i madhi, mbreti dhe perandori i popit. I pavdekshëm qoftë kujtimi yt Michael. Zoti të bekoftë!
Mungesat
Liz Tejlor: Nuk mund të isha e pranishme
Një ceremoni mortore pa miqtë më të dashur. Mes tyre mungonte Liz Taylor, e cila pak ditë më parë kishte thënë: "Nuk besoj se Michael do të kishte dashur që ta ndaja dhimbjen time me një milion njerëz të tjerë. Ajo që ndiej është diçka mes meje dhe Michael. Nuk mund të isha pjesë e asaj ceremonie, nuk do të isha në gjendje të thosha asnjë fjalë". Nuk ishte as Diana Ross, e nominuar nga Jackson në testamentin e tij si njeriu që duhej të kujdesej për fëmijët, pasi gjyshja Katherinë nuk do të mundte më. Edhe Quincy Jones nuk ishte, producenti që e çoi drejt suksesit planetar me "Rhriller".
Mungesat
Liz Tejlor: Nuk mund të isha e pranishme
Një ceremoni mortore pa miqtë më të dashur. Mes tyre mungonte Liz Taylor, e cila pak ditë më parë kishte thënë: "Nuk besoj se Michael do të kishte dashur që ta ndaja dhimbjen time me një milion njerëz të tjerë. Ajo që ndiej është diçka mes meje dhe Michael. Nuk mund të isha pjesë e asaj ceremonie, nuk do të isha në gjendje të thosha asnjë fjalë". Nuk ishte as Diana Ross, e nominuar nga Jackson në testamentin e tij si njeriu që duhej të kujdesej për fëmijët, pasi gjyshja Katherinë nuk do të mundte më. Edhe Quincy Jones nuk ishte, producenti që e çoi drejt suksesit planetar me "Rhriller".