E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klubi i të shëmtuarve

Pas librit studimor “Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë”, autori Gëzim Aliu vjen me librin e tij të dytë me radhë, me romanin “Në klubin e të shëmtuarve”. Ky roman, i cili është botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica” dhe është financuar nga Ministria e Kulturës, u vlerësua lart në promovimin që e pati të hënën në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare. Për të folën tre studiues, të gjithë të një gjenerate kryesisht të re dhe të përafërt me autorin e librit.

Studiuesi Agron Gashi, i cili referimin e tij e kishte titulluar ‘Mizanteksti’, tha se romani i Gëzim Aliut kohën e vë në funksion të idesë së tekstit. “Pavarësisht lëvizjeve të mëdha dhe lojës së thellë fiksionale, prapë ajo mbetet kohë objektive, e ndarë në tri periudha: e fëmijërisë, rinisë dhe pjekurisë. Nuk ka ndonjë rend kronologjik: Gëzimi di ta zotërojë tekstin, ndaj kurdo që kthehet në retrospektivë dhe rrëfen si narrator i rritur, apo qoftë prej pozitës infantile, ajo është e matshme”, u shpreh Gashi.

Ai shtoi se romani në fjalë ndjek dy linja të mëdha fabulative, në të cilat herë dominon njëra dhe herë tjetra, duke kënaqur kështu edhe lexuesin semantik dhe lexuesin estetik.

Në asnjërin rast, sipas tij, nuk kemi emërtim të narratorit, i cili është edhe personazh kryesor. Ai, sipas Gashit, i referohet vetës së parë, si rrëfim autodiegjetik, jo autobiografik, ndaj, siç u shpreh ai, koreferenca është e mundshme dhe e diskutueshme.

“Këtë e mundëson një kontratë a marrëveshje narrative me lexuesin dhe një sintaksë e veçantë rrëfimore, brenda së cilës gëlojnë modele aktantësh, figurash, diskursesh, teknikash dhe kodesh të ndryshme dhe të ndërrueshme nga rrëfimi në rrëfim”, tha ai.

Gashi shtoi se romani “Në klubin e të shëmtuarve” është tip i prozës solipsiste intradiegjetike, ku rrëfimi buron si katarsis i autorit dhe i narratorit personazh.

Ndërkaq, studiuesi tjetër i letërsisë, Ag Apolloni, e vlerësoi këtë roman si një vepër që sjell një frymë të re në prozën shqipe. Duke nxjerrë në pah estetikën bodleriane të këtij romani, Apolloni u shpreh se këtë estetikë, e cila në gjuhën e poetit njihet si estetikë moviste, që realisht është estetikë bodleriane, e përdor edhe Gëzim Aliu në romanin e tij. Sipas tij, rrëfimi alegorik dhe qëndrimi parodik i japin këtij romani një vlerë të veçantë, duke e bërë atë njëkohësisht përgjithësues dhe kritikues.

“Ky roman, në fakt, mbush një vakuum të prozës shqipe në Kosovë, për t’u imponuar kështu njëherësh si fakt ambivalent: si vlerë historike dhe si vlerë estetike. Vlera historike qëndron në faktin se ky roman, duke qenë i liruar nga idetë e mëdha nacionale që janë karakteristikë e romanit shqiptar, shënon një kthesë në kursin e prozës shqipe, veçmas asaj të Kosovës”, tha Apolloni. Ndërsa, vlera estetike, sipas tij, qëndron pikërisht në trajtimin e bukur të një teme të shëmtuar. Rrëfimi, i artikuluar në vetën e parë, sipas Apollonit, përfshin ngjarje para dhe pas luftës së fundit në Kosovë, duke mos u ndalur te lufta, por te paqja në të cilën disa njerëz realizojnë planet e tyre perfide në kurriz të humanizmit, duke pretenduar ta instalojnë shëmtinë si vlerë që duhet ta zhdukë bukurinë. Ai tha se autori margjinalizon luftën politike, për ta centralizuar luftën filozofike mes bukurisë dhe shëmtisë.

“Në planin tematik, romani i Gëzim Aliut flet për njeriun e rritur në një ambient të shëmtuar me njerëz që bëjnë veprime të shëmtuara dhe që nuk kujdesen fare për bukurinë. Ky realitet i zi, bashkë me disa përvoja të këqija të tij, ia shkaktojnë narratorit-personazh një njollë optike, Kokrrën e Zezë, të cilën për ta hequr ai duhet të bëhet pjesë e Klubit të të shëmtuarve, i cili klub përpiqet ta shëmtojë botën në mënyrë që e shëmtuara pastaj, kur e bukura të mos ekzistojë, të shpallet si vlerë e vetme estetike”, tha Apolloni.

Duke nxjerrë në pah gjëra të ndryshme që rrëfehen nga narratori, që kryesisht janë veprime të shëmtuara si incesti, dhuna në familje, vrasja etj., Apolloni shtoi se në planin figurativ, rrëfimi i këtij romani dominohet nga dy figura kryesore: parodia dhe alegoria. Parodia, sipas tij, zbulon qëndrimin e autorit ndaj objektit, ndërsa alegoria mbulon objektin. “Diskursi bëhet parodizues kur autori ose narratori pozicionohet për të kritikuar dhe kjo ndodh përgjatë tërë rrëfimit, ku narratori kritikon traditat shqiptare, duke filluar nga organizimi i familjes në shtëpi deri tek organizimi i shoqërisë në shtet. Në jetën patriarkale shqiptare me tridhjetë anëtarë në një shtëpi, ndodhin: dhuna familjare, rrahjet, frustrimet dhe incestet, të cilat prindërit mundohen t’i mbulojnë duke i martuar vajzat jashtë shtetit, ose duke u shpërngulur nëpër qytete të ndryshme”, tha Apolloni, duke shtuar se autori gjithashtu parodizon edhe pajtimin e gjaqeve ndërmjet dy familjeve të hasmëruara për shkak të një nevojtoreje.

Në fund, Apolloni konstatoi se romani ‘Në Klubin e të shëmtuarve’ i Gëzim Aliut është një rrëfim i bukur, që i ka munguar letërsisë sonë, për shëmtinë që i ka tepruar realitetit tonë.

Referuesi i tretë, studiuesi Adil Olluri, i cili kumtesën e tij e kishte titulluar ‘Klubi i së keqes universale’, u shpreh se romani i Gëzim Aliut është një freski në skenën tonë letrare në Kosovë, të dominuar nga poezia dhe kritika. Në këtë roman, sipas tij, vërehen një sërë elementesh që e bëjnë këtë vepër karakteristike dhe të lexueshme nga shumë kënde. “Së pari këtu kemi të bëjmë me një roman në qendër të së cilit është veprimi i personazhit. Pra, kemi të bëjmë me një roman të personazhit, individualitetit të tij, të jashtëm e të brendshëm (të jashtëm kur ballafaqohet me Klubin, ndërsa të brendshëm kur ka të bëjë me dashuritë e tij). Së dyti, ky personazh është edhe vetë narrator në këtë roman, duke krijuar kështu tipin e një rrëfimi të brendshëm, introspektiv. Së treti, këtu është i rëndësishëm elementi i kohës dhe hapësirës narrative. Së katërti, romani në fjalë ka një dozë të lartë të sugjestivitetit, ku “Klubi i të shëmtuarve” është një kryefigurë, një simbol, por edhe një alegori”, u shpreh Olluri. Ai shtoi se këtë roman e karakterizojnë digresionet e shpeshta, kalimet nga një kohë në një kohë tjetër dhe shkëputjet e shpeshta të njëtrajtshmërisë së ngjarjes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›