‘Një botë’ me tri çmime

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut “Një Botë” të dielën mbrëma mbylli edicioni e dhjetë, duke i shpërblyer tre filma.
Çmimi për dokumentarin më të mirë vendor i takoi filmit dokumentar “Dy rrëfime dashurie” të regjisores kosovare Shota Bukoshi. Ndërsa shpërblimi tjetër shkoi për dokumentarin më të mirë ndërkombëtar “Me, my Gipsy Familly and Woody Allen” (Unë, familja ime jevge dhe Woody Allen) nga Laura Haliloviq. Çmimin e tretë, atë special për të drejtat e njeriut, i cili e mban emrin e veprimtarit të shquar kosovar për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi, e mori dokumentari “Against Blood Justice” (Kundër Gjakmarrjes) i regjisorit Turi Finocchiaro.
Filmi fitues i regjisores Bukoshi, i cili është shfaqur edhe në festivale tjera, trajton një vizitë të dy qifteve rome në Kosovë, ku kjo vizitë hapë botën paralele si në margjina, ashtu edhe në mes të shoqërisë kosovare. Pamje nga rrethi i jetës, i dashurisë, i punës dhe i humbjes, gërshetohen për të treguar dy rrëfime krejt të ndryshme ku pothuajse pa vërejtur, shikuesi hyn në jetët e këtyre njerëzve, kureshtarë për të zbuluar sa më shumë rreth tyre.
Ndërsa filmi “Me, my Gipsy Familly and Woody Allen” i regjisores boshnjake Haliloviq flet për historinë e familjes Haliloviq që shkoi në Itali nga Bosnje Hercegovina në fund të viteve ’60. Sipas regjisores ky ishte një udhëtim tejet intim mbi përfundimin e jetesës çergare dhe vështirësive të vendosjes në një banesë solidariteti. Filmi është i rrëfyer në vetën e parë, me ironi dhe zgjuarsi nga vajza e re që ka vështirësitë e saj për ta pranuar prejardhjen e vet. Sipas traditës familjare, ajo do të duhej të ishte tashmë e martuar, porse vajza është këmbëngulëse që të vendosë për vete dhe të luftojë për jetësimin e ëndrrës së saj, të bëhet regjisore filmi.
Filmi dokumentar, i cili mori çmimin special ‘Adem Demaçi’, “Against Blood Justice” i regjisorit Turi Finocchiaro, flet se si një djalë ishte vrarë në Shqipëri gjatë trazirave. Por nëna e të vrarit Lucia ia fal gjakun vrasësit dhe në film shihet se si vrasësi tashmë nënën e të vrarit e sheh si nënë të tij. Dhe falë saj ai tashmë me gjithë vrasjen e bërë e sheh vetën të rahabilituar në sytë e shoqërisë.
Shkëlzen Gashi, organizator i këtij festivali, theksoi se është shumë i kënaqur me filmat të cilët u prezantuan këtë vit, sepse, sipas tij, cilësia ishte më e lartë. Ai mendon se njëra ndër arsyet është edhe web faqja që kanë bërë në këtë edicion, sepse për fat të keq ky festival nuk ka pas web faqe në edicionet paraprake. Kjo, sipas Gashit, ka ndikuar që cilësia e këtyre dokumentarëve të cilët konkurruan në këtë edicion të jetë shumë me e lartë por edhe sasia me qenë me e madhe.
“Gjithsej kanë konkurruar 52 dokumentarë, mirëpo kemi bërë një përzgjedhje prej 26 dokumentarëve” tregon Gashi.
Ai shton se këtë vit kanë organizuar edhe aktivitete tjera, aktivitete këto të cilat nuk kanë qenë me herët. “Kemi bërë debatet të cilat nuk kanë qenë në dy edicionet paraprake, tri debate paraprake për të drejtat e grave, të drejtat e minoriteteve etnike dhe për të drejtat e të burgosurve sikurse edhe kemi hapë një ekspozitë me fotografi për shkeljen e të drejtave të njeriut në dy dekadat e fundit”, tha Gashi.
Sa i përket shikueshmërisë, Gashi megjithëse shprehu pakënaqësi, prapëseprapë tha se ka pasur rritje në krahasim me edicionet e kaluara.