E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicionet, krerët e partive të vogla takime në selinë e PD-së

Ndërsa regjistrimi i koalicioneve po shkon drejt limiteve që parashikon kodi zgjedhor dy partitë e mëdha PD e PS kanë intensifikuar takimet me krerët e partive të vogla për të bërë të mundur arritjen e një marrëveshje mes tyre për koalicion parazgjedhor.

Kryetarë të disa partive të vogla të djathta kanë zhvilluar sot takime me përfaqësues të lartë të PD-së për të shqyrtuar edhe kriteret për arritjen e një koalicioni parazgjedhor.

Kështu kreu i partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahiu, Nard Ndoka i PDK-së, Lufter Xhuveli i partisë agrare ambientaliste, Adriatik Alimadhi i Ballit Kombëtar dhe Edmond Vlashaj, kryetar i lëvizjes Shqipëria e re janë takuar paraditen e sotme në selinë blu me grupin negociator të përcaktuar nga kryesia, sekretarin e përgjithshëm të PD-së Ridvan Bode dhe shefin e kabinetit të kryeministrit Oerd Bylykbashi.

Ndërkohë pritet që takimet mes dy negociatorëve të PD-së me krerët e partive të vogla të vijojnë edhe përgjatë pasdites. Mësohet se gjatë orëve të pasdites do të zhvillojë një takim konsultues në selinë blu edhe kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi.

Më herët në selinë rozë, kreu i PS-së Edi Rama nënshkroi marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me PBDNJ-in e Vangjel Dules ndërsa bëri publik edhe emrin e koalicionit i cili do të jetë Aleanca për Shqipërinë Europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›